Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Prezantohet projektligji për shërbimin gjeologjik

Zëvendës Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z. Ilir Bejtja prezantoi sot para deputetëve të Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese projektligjin “Për shërbimin Gjeologjik”. Ai tha se kjo nismë e re ligjore merr në konsideratë të gjithë ndryshimet që kanë ndodhur në sektor ndër vite, qofshin këto në nivel burokratik, ashtu edhe në industritë, të cilat kanë lidhje direkte ose indirekte me Shërbimin Gjeologjik Shqiptar.

“Qëllimi i ligjit është të përcaktojë saktë detyrat, bazat, parimet e organizimit të drejtimit të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, si dhe objektivat e zhvillimit të veprimtarisë shkencore, organizimin, mënyrën sesi organizohet, si dhe burimet e financimit të tij. Ndërtimi i këtij ligji përveç të tjerave është bërë mbi bazën e nevojave të harmonizimit dhe të përqendrimit të strukturave të Shërbimit Gjeologjik, të cilat në periudha të ndryshme kanë qenë të shpërndara, në varësi të disa ministrive,” u shpreh Z. Bejtja.

Zëvendës Ministri Bejtja vuri në duke se me projektligjin e propozuar synohen të arrihen disa objektiva.

“Së pari, forcimi i mëtejshëm i statusit të institucionit, si këshilltar teknik shkencor i shtetit në disa institucione dhe nivele. Prania e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, si anëtar me të drejta të plota në disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare dikton gjithashtu nevojën e reformimit ligjor, strukturor dhe programor të këtij shërbimi, duke e shtrirë gamën e studimeve të tij në tokë, det, liqene dhe lumenj”, sqaroi ai.

Duke vazhduar më tutje, z. Bejtja theksoi se për pjesën e organizmit, ka një ndryshim nga bord që ishte, në një koncept i përgjithshëm i vendimmarrjes në nivele të larta. “Ka qenë bordi ai që i miratonte të gjitha propozimet e institucionit. Për vet natyrën e këtij institucioni, fjala bord nuk ka kuptim. E dyta kanë kontakte apo lidhje të drejtpërdrejta me tregun, në terma komercialë. Pra, miratojnë plane, buxhete, taksa, tarifa, tatime e të tjera me radhë të kësaj natyre”, nënvizoi ai.

Zëvendës Ministri tha se për rastin konkret, Shërbimit Gjeologjik, përveç asaj çka sillet në ligj nga pikëpamja organizative, synohet ti jepet edhe një status, jo thjesht i atij që bën studime shkencore, por edhe i atij që ka edhe përgjegjësinë burokratike-administrative për të gjitha studimet që bëhen dhe për të gjitha vendimet që merren.

“Fakti që ne kemi parashikuar që anëtarësia e tij të jetë nga vet institucioni, ka qenë shumë i lidhur me nivelin që kërkohet në përfaqësim individual nga ana profesionale për pjesëmarrje në këshillin teknik. Nuk i heq asnjë presje vërejtjes tuaj që është shumë e rastit dhe është shumë me vend që ne të kemi edhe anëtarë nga jashtë institucionit, që kuptohet fare mirë do të sillnin edhe mendim pak më ndryshe sesa mendimi i vetë institucionit për çështje që ne i diskutojmë në këtë institucion,” tha Z. Bejtja.

Përsa i përket anës financiare, projektligji përcakton se çdo të ardhur që ky institucion do të mund të grumbullojë do të trajtohet gjithmonë në formën e të ardhurave të qeverisjes vendore.

“Pra që nuk mund të përdoren nga vetë institucioni dhe buxhetet e tij do të miratohen gjithmonë në kuadrin e Buxhetit të Shtetit me planifikim vjetor, ashtu siç bëhet me të gjithë institucionet e tjera. Pra nuk është një organizatë fitimprurëse që mund të përdorë të ardhurat e saj”, përfundoi fjalën e tij Z.Bejtja.

energjia.al  29.09.2015