Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gazi, jo monopol në treg

Komisioni i Veprimtarive Prodhuese shqyrtoi sot nen për nen, nën praninë e ministrit Gjiknuri, projektligjin “Për sektorin e gazit natyror”

Ministri deklaroi se ky pr.ligj do të shmangë monopolet në tregun e gazit natyror, si dhe do të funksionojë si një rregullatorë për tregun e bombolave të gazit, kaq problematike.
“Do të hartojmë masterplan për të mos patur operator monopol në shpërndarjen e gazit për konsumatorët, por edhe për industrinë. Kemi gati aktin e ri që do të rregullojë tregun e bombulave të gazit”- ka deklaruar Gjiknuri.

Ky pr.ligj gjithashtu do të garantojë zhvillimin e projekteve strategjike në sektorin e gazit natyror, sikurse janë projekti TAP, projekti IAP, etj.

Projektligji “Për sektorin e gazit natyror” synon amendimin e ligjit ekzistues të vitit 2008, në bazë të implementimit të Paketës së Tretë të Energjisë të Bashkimit Evropian, në drejtim të zhvillimit, liberalizimit dhe ndërlidhjes së sektorit dhe tregut të gazit natyror. Kjo nismë ligjore është përgatitur me asistencën e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, përveçse ka patur në konsideratë dhe është përfshirë thuajse tërësisht ligji ekzistues për gazin.

Ky projektligj (me 9 kapituj dhe 117 nene) përbëhet nga dy shtylla kryesore:
– Organizimi dhe funksionimi i tregut të gazit si një treg i rregulluar, i cili në bazë të Paketës së Tretë të Energjisë të BE për sektorin e gazit natyror, do të jetë një treg “plotësisht i hapur/ i liberalizuar”.
– Ndërtimi dhe funksionimi i infrastrukturës dhe impianteve të gazit (përfshirë aspektin teknik dhe teknologjik), për furnizimin, transportimin, depozitimin dhe shpërndarjen e gazit natyror, ku në esencë rolin kryesor në aspektin organizativ dhe ekzekutiv por edhe të mbikëqyrjes e ka Ministria dhe strukturat e institucionet në përbërje dhe vartësi të saj. Nëpërmjet këtij projektligji të ri janë parashikuar ndryshime të rëndësishme në kuadrin ligjor për sektorin e gazit, ndryshime të cilat konsistojnë në:
– Ruajtjen dhe garantimin e stabilitetit ligjor dhe institucional.
– Saktësimin e përgjegjësive dhe kompetencave të KM dhe të Ministrisë përgjegjësepër sektorin e energjisë.
– Rritjen e rolit dhe të përgjegjësive të ERE kryesisht në lidhje me monitorimin e tregut, konkurencën dhe mbrojtjen e konsumatorit. ERE në këtë projekt ligj është projektuar në një dimension të ri duke bashkëpunuar ngushtësisht edhe me Ministrinë në lidhje me monitorimin e tregut por gjithmonë pa ndërhyrë në kompetencat e institucionit tjetër.
– Rishikimin dhe rivlerësimin e disa neneve të ligjit aktual të gazit (p.sh. “Operatori i Kombinuar”, “Matja e gazit natyror”), kjo edhe për shkak të marrjes në konsideratë të specifikave, ndërlidhjeve dhe përmasave e zhvillimeve që mund të ketë sektori i gazit në Shqipëri.
– Përcaktimet për përgatitjen e Rregulloreve për aktivitetin e depozitimit nëntokësor të gazit dhe për gazin natyror të lëngëzuar.
– Rregullimin e çështjeve të pronësisë në aktivitetin e gazit natyror, duke caktuar saktësisht grupin e te drejtave qe preken, përsa kanë të bëjnë me infrastrukturën dhe instalimet përkatëse
– Rritjen e bashkëpunimit ndërmjet subjekteve, organeve shtetërore të përfshira në këtë ligj.
– Rivlerësimin e raportit të organeve qëndrore të ekzekutivit në disa veprimtari duke përcaktuar më qartë edhe kompetencën e Këshillit të Ministrave, Ministrisë përgjegjëse për energjinë, apo ERE.
– Përcaktimi i Programit dhe Zyrtarit të pajtueshmërisë, që përbën një element të ri dhe të rëndësishëm të formuluar për here te pare ne këtë projektligj, sipas kërkesave të legjislacionit Europian, ku përcaktohen rregullat për te garantuar transparencën e transaksioneve, pavarësinë e operatoreve (TSO dhe DSO).
– Është shtuar si një kapitull i ri, “Tregu i gazit natyror dhe rregulloret e tregut dhe të sistemit”, ku përveç organizimit të tregut dhe tregtisë së gazit natyror në një nen më vete janë përfshirë gjithashtu masat për nxitjen e hapjes së tregut, që përbën një nga drejtimet dhe synimet kryesore të Paketës së Tretë të Energjisë të BE.

Përsa i përket organizimit dhe funksionimit të sektorit të gazit në Shqipëri, në këtë projektligj ka disa veçori specifike që përbëjnë ndryshim nga fushat e tjera të sektorit të energjisë, kështu:
– nuk ka vetëm një Operator të Sistemit të Transmetimit (OST) për gazin në nivel vendi, por parashikohet dhe mundësohet ekzistenca dhe funksionimi i disa disa OST-ve të gazit, po kështu edhe për Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) së gazitduke parashikuar disa të tilla në shkallë vendi
– është përfshirë edhe roli e funksioni i “Operatorit të kombinuar”, gjë e cila lidhet dhe reflekton sa zhvillimet konkrete në sektorin e gazit në Shqipëri, po ashtu edhe specifikat në përmasa dhe kapacitet që pritet të ketë tregu i gazit në Shqipëri.

– janë përfshirë plotësisht edhe çështjet e mbikëqyrjes dhe inspektimit në aspektin e sigurisë teknike dhe teknologjike për ndërtimin, përdorimin, mirëmbajtjen e infrastrukturës dhe impianteve të gazit përfshirë sektorin e furnizimin, të transportimit, depozitimit, dhe shpërndarjes së gazit natyror. Është përcaktuar qartë jo vetëm rolin e Ministrisë në këtë drejtim, por edhe roli dhe funksioni i Inspektoratit Shtetëror Përgjegjës për sektorin e gazit.

Revista Monitor,  21.09.2015