Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ligj i ri për tregun minerar, Ulet garancia financiare

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nxjerrë për konsultim publik ligjin për sektorin minerar, që parashikon një sërë ndryshimesh në drejtim të investimeve në këtë fushë. Sipas relacionit shoqërues, qëllimi i projektaktit është përmirësimi dhe lehtësimi i procedurave ligjore për shoqëritë që ushtrojnë veprimtari minerare në vendin tonë. Fillimisht detyrimi për depozitimin e garancisë financiare të investimit për lejet e kërkim zbulimit ulet në masën 10%.

Aktualisht kjo vlerë është e barabartë me vlerën e investimit që është parashikuar të kryejë shoqëria çdo vit, por shoqëritë minerare e konsiderojnë si një barrë shumë të rëndë financiare, pasi bllokon një pjesës të likujditeteve të shoqërisë. Gjithashtu, projektligji parashikon transferimin e lejeve të dhëna me procedurë konkuruese, që deri më tani ka qenë një prej problemeve në zhvillimin e tregut minerar. Kështu, duke marrë në konsideratë dinamikën e ndryshimeve që mund të ketë një shoqëri tregtare gjatë zhvillimit të veprimtarive të ndryshme që ajo mund të zhvillojë (jo vetëm në aktivitetin minerar) është propozuar që të lejohet mundësia e transferimit të lejeve të dhëna me procedurë konkurruese pas një periudhe 5-vjeçare nga data e dhënies së lejes dhe transferohen vetëm pas miratimit paraprak të ministrit.

Ndërkaq, sa i takon zgjatjes së afatit të lejes minerare, ajo do të bëhet vetëm kur vazhdimi i shfrytëzimit nuk bie ndesh projekte të tjera që kanë interes publik. Nga ana tjetër me ligjin e ri, subjekteve që zotërojnë Leje shfrytëzimi me karrierë të mineraleve dhe grupit të mineraleve ndërtimore u jepet e drejta e pezullimit te përkohshëm te veprimtarisë së shfrytëzimit në zonën e lejuar. Deri më tani, kjo e drejtë nuk ekziston, çka detyron zotëruesit e këtyre lejeve të vazhdojnë prodhimin dhe të krijojnë një stok materiali, pavarësisht se tregu pëson luhatje.

Scan,  03.08.2020