Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kompanitë e sektorit minerar po rishikojnë planet e investimit

Flet Sokol Mati, ekspert në sektorin minerar

Kompanitë që ushtrojnë veprimtari në sektorin minerar janë përballur gjatë pandemisë me vështirësi në treg, të lidhura me luhatshmërinë e çmimeve në periudha afatshkurtra, mungesë likuiditeti dhe vështirësi në sigurimin e lëndës së parë.

Sokol Mati, ekspert për sektorin minerar, shprehet se të gjitha këto shtrojnë para mundësinë e rishikimit të planeve të investimit, duke i shtyrë në kohë në rastin më të mirë. Ndër mineralet më të goditura ka qenë kromi e për rrjedhojë, edhe subjektet që kanë në bazë të tyre këtë lloj minerali.

Si paraqitet ecuria e sektorit minerar në vend gjatë këtij viti, duke pasur parasysh ndikimin e pandemisë në ecurinë e aktivitetit të tyre normal?

Veprimtaria minerare, si një aktivitet prodhues, është ndikuar nga situata e pandemisë në disa aspekte, si:

  • vështirësi në sigurimin e tregut dhe luhatjes jo normale të çmimeve, si në vlerë nominative me ulje, por dhe në periudhën kohore shumë të shkurtër pothuajse mujore të luhatjes së tyre. Kjo e ndikuar globalisht nga pandemia dhe lufta midis ekonomive të mëdha botërore (duhet të kemi parasysh se Kina është vendi ku shkojnë rreth 90% e eksporteve shqiptare të metaleve që përbëjnë rreth 80% të të ardhurave nga biznesi minerar);
  • vështirësi në sigurimin e lëndës së parë dhe kryesisht të atyre ndihmëse;
  • mungesa e aftësisë paguese të biznesit minerar shqiptar, relativisht i ri për të paguar pa prodhim, kostot fikse për një periudhë disamujore ndalese të prodhimit;
  • detyrimi i pagesave të fuqisë punëtore për moslargimin e tyre, pasi me imigrimin dhe emigrimin e madh të këtyre viteve të fundit, vështirësitë po shtohen për sigurimin e fuqisë punëtore dhe personelit të kualifikuar inxhiniero-teknik. Ky aspekt po dominon vendimet e investimit për shumë objekte minerare në zonat rurale me popullsi të kufizuar;
  • mungesa e likuiditetit nga një periudhë e gjatë krize globale e biznesit minerar në tërësi dhe kushtëzimi i financimeve nga ana e institucioneve financiare;

Këto dhe arsye të tjera bënë që dhe ky sektor i ekonomisë të ndiejë efektet e pandemisë. Gjithsesi po të vërejmë të dhënat e vitit 2019 dhe të gjashtëmujorit të këtij viti, shohim se me rritjen e çmimeve të metaleve kryesisht të bakrit e nikelit, këta dy minerale kanë një rritje në prodhim. Ndërsa kromi që ka qenë në nivelet më të ulëta pothuajse prej gushtit 2019 ka rënie dhe kompanitë po punojnë të detyruara për të pasur një likuiditet për pagesat e detyrueshme.

Numri i subjekteve aktuale në sektor është 556 subjekte minerare dhe vetëm gjatë 2019 kanë mbyllur aktivitetin 50 subjekte minerare dhe nuk kanë realizuar aktivitet 214 subjekte të tilla. Mes subjekteve aktive vetëm 201 subjekte kanë vazhduar investimet, ose 36% e tyre.

 

Rënia e kërkesës për mallra në tregje ka dhënë një efekt zinxhir edhe në industri. Si është reflektuar kjo në shfrytëzimin e kapacitetit të punës nga operatorët?

Rënia e kërkesës për produkte minerare, ulja e çmimeve, veçanërisht për kromin me rreth 10-20% nën kosto dhe luhatja e tyre në afate shumë të shkurtra, rriti pasigurinë e punës dhe vështirësitë e ndërprerjes së aktivitetit në objekte minerare. Por subjektet pavarësisht nëse vijojnë apo jo aktivitetin kanë nevoja për investime konservimi. Ndaj ka vijuar puna por dua të them se në vend pjesa e vijimit apo jo të aktivitetit nuk ka efekt zinxhir ekonomik pasi në përgjithësi ne shesim produkte minerare lëndë të parë, vetëm kromi përpunohet në nivel ferro-kromi dhe ky është sektori që është goditur më shumë.

 

Cilët kanë qenë grupet e metaleve më të goditura dhe ecuria e çmimeve në tregjet globale?

Nga mineralet, kromi ka qenë më i godituri, si për efekt të çmimeve, por dhe të faktit që nuk ka pasur kërkesë për të për muaj me radhë, gjë që krijoi pasiguri, anomali në zinxhirin e prodhimit sidomos për subjektet e vogla. Bakri e nikeli kanë qenë në vlera të ulëta, por në dy muajt e fundit po vërehet një rritje graduale e cila po justifikon produktet minerare që ne nxjerrim në tregun global.

Gjithsesi kjo nuk arrin të mbulojë humbjet e këtyre viteve të fundit, për të cilat kërkohet stabilitet për një periudhë me afat gjatë. Një rënie e dytë e shpejtë e çmimeve do të detyrojë shumë subjekte që sot punojnë të mbyllen.

 

A mendoni se kjo situatë do të prekë planet e investimeve të kompanive? Po sa i takon punësimit, a shihni të ketë ndonjë efekt?

Gjykoj që po. Planet e investimit po rishikohen pothuajse nga aktorët kryesorë, po ndryshohen strategjitë e investimit, po shtyhen në kohë dhe kjo, doemos, ka efektet e saj edhe në punësim.

Monitor, 18.09.2020