Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rezervat e kromit në vend po mbarojnë, kërkohet urgjent rivlerësimi

Shfrytëzimi pothuaj 80-vjeçar i xeherorëve të kromit dhe bllokimi i shtimit të rezervave të tij gjatë këtyre 25 viteve ka bërë që aktualisht, sasia e rezervave të vlerësuara të shkojë drejt përfundimit.

Nga Prof. Dr. Sokol MATI

Kromi është përcaktuar si një nga mineralet strategjike për fushën e tij të përdorimit dhe mineralet e tjerë që e bashkëshoqërojnë. Rreth 60-70% e prodhimit vjetor botëror, përdoret në metalurgji, 20% në industrinë kimike dhe pjesa tjetër në industrinë elektronike, materialeve zjarrduruese, etj.

Vendet kryesore prodhuese sot në botë janë: Afrika e Jugut, Kazakistani, Rusia, India, Turqia, SHBA, Filipinet, Shqipëria, etj. Rezervat bazë llogariten rreth 570 milionë tonë metal kromi (vlerësimi i 2019), nga të cilat 230 milionë tonë i takojnë Kazakistanit, pavarësisht se prodhuesi kryesor aktual është Afrika e jugut. Në vitin 2019, prodhimi global i kromit metal përllogaritej me 44 milionë tonë, me një rritje nga 2010, në vlerë 23.7 milionë tonë.

Shqipëria është e njohur për potencialin e madh në mineralin e kromit përmes të gjithë vendeve të tjera të Mesdheut. Fillimet e njohjes së tij në Shqipëri datojnë prej vlerësimeve të para të studiuesve francezë Ami Bue dhe Viknesnel në vitin 1868 dhe me hartën e parë gjeologjike në shkallën 1:200 000 për rajonet veriore të Shqipërisë, që është botuar në vitin 1903, në Vjenë, nga Vinassa De Regny dhe të vazhduar më pas me punimet e Herman Wetters, Franz Baron von Nopsca, Ernst Nowack, Jaques Bourcard, A. Marteli, të cilët qartësuan në një masë të konsiderueshme gjeologjinë, tektonikën dhe potencialin mineralmbajtës të vendit tonë.

Rreth viteve 1925-1935, studimet krahinore tërhoqën vëmendjen e investitorëve të huaj për kërkim, zbulim dhe shfrytëzim të xeherorëve të kromit në rajonet e Pogradecit, Kukësit e Tropojës. Specialisti i parë shqiptar, i cili ka shkruar për kromin e Iballës, në vitin 1940, ishte Injac Gj. Ndojaj. Puna kërkimore zbuluese është vazhduar më tej me sakrificë nga gjeologë të huaj (Stanislaw Zuber, etj.) dhe shqiptarë (A. Xega, Dh. Pano, T. Biçoku, E. Pumo, A. Çina, A. Turku, J. Kola, A. Dobi, A. Tërshana, e shumë të tjerë, kërkoj ndjesë për mospërmendjen në këtë shkrim), sidomos pas viteve 1955, punë e cila bëri të mundur, që për këtë xeheror të vlerësoheshin 285 vendburime dhe rreth 800 shfaqje të mineralizuara në tetë masive, të ndarë në të gjithë territorin shqiptar.

Është e domosdoshme që kjo punë kërkimore zbuluese të vazhdojë sot më shumë se kurrë, për të parandaluar një ulje drastike të të ardhurave në afatmesëm nga sektori i kromit dhe mos lejuar zhdukjen e kësaj industrie, që jep aktualisht 60-70% të të ardhurave që vijnë nga sektori minerar.

Rezervat dhe prodhimi i xeherorit të kromit në Shqipëri

Depozitat kryesore dhe koncentrimet më të mëdha të këtij minerali janë në ofiolitet e brezit lindor, sipas drejtimit Tropojë-Kukës-Bulqizë-Shebenik. Një zhvillim më të pakët kanë depozitimet e këtij minerali në brezin perëndimor të ofioliteve. Kromitet janë të lidhura me shkëmbinjtë ultrabazike dhe janë të vendosura në sekuenca të ndryshme gjeologjike. Të dhënat gjeologjike dhe gjeofizike mbrojnë idenë e bashkimit të këtyre dy brezave në thellësi, por duke ruajtur vetitë e tyre të ndryshme petrografike.

Brezi lindor i shkëmbinjve ultrabazike ka potencialin më të madh dhe aty janë koncentrimet më të mëdha të xeherorit të kromit të prezantuara nga trupat e Bulqizës, Tërnovës, Batrës, Krastës, Theknës, Pojskës, Bushtricës, Katjelit, Kalimashit, Kamit, Rragamit, Vllahnës, etj. Në brezin perëndimor, deri tani rezervat e gjetura janë në sasi shumë më të vogla. Në aspektin gjeografik kemi tre rajone krom-mbajtëse: 1. Rajoni Verilindor (masivët e Tropojës, Hasit dhe Kukësit); 2. Rajoni Qendror (masivët e Batrës dhe të Bulqizës); 3. Rajoni Juglindor (masivët e Shebenik – Pogradecit).

Shqipëria ka më pak se 1% të rezervave të njohura në botë të xeheroreve të kromit, rezervat e njohura sipërfaqësore dhe nëntokësore të vlerësuara nga ana sasiore llogariten në rreth 37.9 milionë tonë mineral me përmbajtje të ndryshme, nga të cilat rreth 7.2 milionë tonë janë të cilësisë së mirë, me mbi 42 – 46% Cr2O3 (edhe sot nuk kemi një vlerësim të rezervave në sasi metali nga institucionet minerare, por nga një sintezë e raporteve gjeologjike me sasitë dhe cilësitë e vendburimeve të njohura dhe të objekteve e shfaqjeve të tij, që gjithsesi kërkon një oponencë reale nga institucionet minerare, rezervat e kromit në Shqipëri në total, të shfrytëzuara e të pashfrytëzuara mund të vlerësohen rreth 7-8 milionë ton metal Cr dhe të pashfrytëzuara jo më shumë se 0.7-1 milion ton metal Cr, ose më pak se 10% e tyre).

Një vlerësim sintetik i rezervave të këtij xeherori, që është realizuar në vitin 1998 nga institucionet minerare (ku në mënyrë të përmbledhur jepen sasitë dhe përmbajtja në Cr2O3 për gjithë masivët) jepet si më poshtë. Aktualisht nuk kemi një rivlerësim nga ana sasiore e cilësore të rezervave, që të përfshijë objektet e shfaqjet e reja të pavlerësuara nga subjektet minerare, kromitet e varfra të shfaqjeve sipërfaqësore, apo të rezervave të ngelura të pashfrytëzuara nga objektet ekzistuese që përdoren aktualisht nga shumë subjekte minerare, në masivët e Bulqizës, Batrës, Tropojës e Kalimashit.

Por si e kemi shfrytëzuar këtë xeheror në vite. Produktet minerare nga ky xeheror sot, si dhe më parë, përfshijnë xeherorët e pasur (mineral kokërr me dimension mbi 20 mm, me përmbajtje 32-44% Cr2O3), koncentrat kromi (me përmbajtje 36% deri 48% Cr2O3), si dhe ferrokrom karbonik, me përmbajtje të lartë dhe të ulët karboni.

Deri në fund të vitit 2014, për të gjithë periudhën (1938 – qershor 2020), është shfrytëzuar dhe nxjerrë 34 030 601 tonë mineral kromi, është eksportuar rreth 17,5 milionë tonë xeheror kromi i pasur kokërr dhe prej proceseve të përpunimit janë prodhuar 2 980 054 tonë koncentrat kromi dhe 1 045 340 tonë ferrokrom, me përmbajtje të lartë karboni (nga ky prodhim 2 097 tonë janë ferrokrom me përmbajtje të ulët karboni).

Vetëm për periudhën 2001-2020, kur subjektet private zotëruan totalisht sektorin e kromit, është shfrytëzuar dhe nxjerrë 7 156 308 tonë mineral kromi, është eksportuar rreth 4,2 milionë tonë xeheror kromi i pasur kokërr dhe prej proceseve të përpunimit janë prodhuar 422 226 tonë koncentrat kromi dhe 258 966 tonë ferrokrom. Më shumë se 65% e sasisë së mineralit të prodhuar shkon në eksport thjesht si mineral i papërpunuar, dhe si produkt ferrokrom shkon vetëm rreth 8% e sasisë së mineralit të prodhuar.

Duhet që në raportimet tona të jenë qartësisht të vlerësueshme sidomos për investitorët, duke hequr dorë nga raportimet me sasi produkti. Duhet të kalojmë në raportimet me sasi metali ku merret në konsideratë sasia dhe përmbajtja e produktit. Kjo duhet të vlejë dhe për rezervat që raportohen nga subjektet.

Situata aktuale

Gjithsesi, pavarësisht sasive të vogla të shfrytëzuara para viteve 1945 nga italianët në Kalimash, apo të tjerë në Tropojë, Martanesh e Katjel, xeherori i kromit filloi të shfrytëzohej në mënyrë të organizuar rreth viteve 1950 në masivin e Bulqizë-Batrës dhe Kalimash. Prej këtyre viteve, vlera e prodhimit të tij ka pasur rritje deri në vitin 1990 dhe të ardhurat prej shitjes së produkteve të tij zinin 25-30% të buxhetit të shtetit.

Aktualisht, të ardhurat e krijuara prej shitjes së produkteve të këtij xeherori janë në intervalin e 60-70% të të ardhurave të krijuara nga sektori minerar (raportimet nga ALBEITI për periudhën 2009-2016).
Aktiviteti kryesor për prodhimin e xeherorit të kromit është përqendruar në rajonin e Bulqizë-Batrës, Kalimash dhe në një seri objektesh të vogla në Has e Tropojë, prej nga ende eksportohet mineral i pasur me cilësi 32-44% Cr2O3 ose xeheror të varfër 7-12 % Cr2O3. Në sektorin e kromit punojnë 43% prej 556 -të subjekteve minerare si total.

Prodhimi i koncentratit nga kromet e varfra me cilësi 7-10-25% Cr2O3 realizohet në fabrikat e pasurimit që aktualisht janë 14 (7 në Bulqizë-Batër, {si në Bulqizë, Zonë të Re, Batër, Thekën, Luçanë, Tërnovë, Qafën e Burrelit}, 4 në Kukës, {si në Kalimash, Mamëz}, 1 në Has, {Perrollaj} dhe 2 në Librazhd). Prodhimi i ferrokromit realizohet në dy fabrikat e ferrokromit (në Elbasan dhe Burrel), si dhe impiantin e seleksionimit të ferrokromit dhe riciklimit të skorjeve në Elbasan.

Situata aktuale në këtë sektor vëren:
• shumë pak subjekte minerare që numërohen me gishta në Bulqizë, Mat dhe Tropojë që punojnë në punime kërkim – zbulimi për gjetjen e rezervave të reja, apo në punime të reja minerare brenda objekteve ekzistuese për kromet e varfra;

• numri i subjekteve me leje kërkim-zbulimi në sektor është pothuajse inekzistent, duke vlerësuar veprimtarinë e tyre, apo rezervat e reja të raportuara;

• vazhdimësi aktiviteti të subjekteve minerare në zonat e rrezikshme, ku kërkohet të zbatohet me rigorozitet radha dhe drejtimi i shfrytëzimit nga subjektet fqinjë, si në planin horizontal, po ashtu edhe në planin vertikal;

• problematika të rrugëve të lëvizjes së njerëzve, mjeteve të transportit dhe infrastrukturës ndihmëse minerare midis subjekteve dhe në zonat e rrezikshme, si për zonën e parë, zonën “D”, Theknën, Batrën dhe Krastën;

• shumë nga subjektet minerare, që nuk kanë vlerësime për rezerva gjeologjike apo të nxjerrshme, vazhdojnë të punojnë, duke raportuar rezerva dhe duke i paraqitur ato si të gatshme, por faktikisht punojnë në mbetjet teknologjike të lëna nga shfrytëzimi i mëparshëm (vjelje duçkash të vjetra, kolonat e lëna për ruajtjen e objekteve sipërfaqësore dhe pjesë fundore të trupave (blloqeve) të shfrytëzuar më parë, seleksionim të mbetjeve teknologjike (ku raporti krom/stëril është në shifrat nga 1:5 – 1:10, pra me kosto të rritura dhe mundësi të larta për aksidente fatale).

• nevojën për përmirësim të organizimit të minierave të vogla (për të shmangur aktivitetin e subjekteve në zonat e rrezikshme, dhe rritjen e sigurisë në punë, nëpërmjet hartimit të së ashtuquajturës “pema minerare” dhe bërjes së ditur subjekteve në kushtet specifike të lejeve të reja apo në dokumentin e miratimit të planit vjetor të veprimtarisë minerare. Ky studim që përcakton kufijtë e zonës së rrezikshme me koordinata lokale të zonës së lejuar minerare dhe trupa xeherorë se ku mund dhe nuk mund të punohet, së bashku me rrugët e lëvizjes, drejtimin dhe radhën e shfrytëzimit, etj.), me qëllim të rritjes së efektivitetit të veprimtarive të tyre dhe kooperim më të mirë të subjekteve minerare;

• një informacion konfuz nga institucionet minerare, të cilët në aspektin e rezervave japin tre lloje shifrash, për rezerva të raportuara nga subjektet, rezerva nga mbetjet, rezerva sipas trupave minerare, që luajnë me herë në vlera me njëra-tjetrën, dhe asnjëherë një shifër përgjithësuese. Institucionet minerare të gjeologjisë dhe të minierave në kooperim duhet doemos të realizojnë detyrimin e tyre ligjor dhe japin në mënyrë vjetore gjendjen e rezervave për xeherorin e kromit për rëndësinë që ka, por edhe për çdo xeheror tjetër, duke bërë një vlerësim të tyre sipas standardeve ndërkombëtare, që do të shërbente për hartimin e politikave minerare proaktive dhe pragmatiste.

• sipas këtyre vlerësimeve dhe nivelit aktual të prodhimit kemi maksimalisht dhe rreth 4 vite punë në këtë sektor, nëse do të marrim në konsideratë se gjithë subjektet do të punojnë. Ndërsa duke vlerësuar rezervat e thellësisë së Bulqizës dhe Qafë-Buallit që aktualisht bëjnë rreth 60% të rezervave të mbetura, për nivele prodhimi me herë shumë të vogla (10-15% e prodhimit total aktual që realizohet nga ALB Chrome 70-150 mijë tonë në vit), kjo vazhdimësi vlerësohet në 20 vite por me një numër shumë më të vogël subjektesh minerare dhe për sasi të ardhurash gjithmonë në rënie.

• problematikat me raportimin apo gjendjen e rezervave kanë bërë që aktualisht të mos kemi një vlerësim të saktë të tyre dhe të mos kemi mundësinë se si të orientojmë zhvillimin në këtë pjesë shumë të rëndësishme të sektorit minerar. Problematikat e rezervave përfshijnë:

• faktin që një pjesë e subjekteve kanë të shënuar në formatin e lejes minerare të shfrytëzimit sasinë e rezervave gjeologjike dhe të nxjerrshme, por nga të dhënat statistikore me prodhimet rezultojnë pa rezerva;

• ka mospërputhje midis planit të lëvizjes së rezervave që nga momenti i marrjes së lejes minerare me prodhimin e realizuar;

• ka mbivendosje të zonës së lejuar minerare në pjesë të sipërfaqes së zonave të rrezikshme apo të subjekteve të tjerë.

• organizim të procedurave konkurruese për objekte me rezerva shumë të vogla, që në konceptin e zhvillimit të një veprimtarie efektive duken jashtë çdo logjike ekonomike, por dhe teknike, në një kohë që shfrytëzimi i tyre mund të bëhet nëpërmjet dhënies së të drejtave minerare për zona të hapura, pa burokraci të shtuara, duke nxitur biznesin e vogël për shfrytëzimin e sasive të tilla në objekte apo shfaqje 1-5 mijë tonë;

• ndikimin nga kriza globale të biznesit minerar, situata e pandemisë dhe lufta mes ekonomive të mëdha në aspektet që lidhen me:

• vështirësitë e sigurimit të tregut për shkak të luhatjes jo normale të çmimeve, si në vlerë nominative me ulje, por dhe në periudhën kohore shumë të shkurtër pothuajse mujore të luhatjes së tyre dhe nevojës për mirëfunksionim të logjistikës në nivel global;

• efekti i pandemisë në çmimet e mineraleve në tregjet globale që kanë prekur ndër nivelet më të ulëta në historinë e sektorit, ishin në nivele të ulëta edhe para pandemisë, por ajo thjesht i përkeqësoi;

• mungesës së aftësisë paguese të biznesit minerar shqiptar relativisht i ri për të paguar pa prodhim kostot fikse, për një periudhë disamujore ndalese të prodhimit;

• mungesës së likuiditetit dhe detyrimit të pagesave fikse tatimore apo ato të fuqisë punëtore për moslargimin e tyre, duke i detyruar subjektet të eksportojnë dhe me çmime nën kosto për ta siguruar këtë likuiditet;

• kushtëzimin e financimeve nga ana e institucioneve financiare, të cilat bëjnë që subjektet minerare të rishikojnë vendimet dhe strategjitë e investimit, shtyrjen e tyre në kohë, dhe kjo doemos ka efektet e saj dhe në punësim, apo në zhvillim të veprimtarisë minerare.

• ndikimin afatgjatë në këtë industri të pandemisë, shumica e subjekteve minerare po punojnë me rreth 20 – 30% të kapaciteteve;

• pamundësia e subjekteve të vogla shqiptare apo dhe e disave të nivelit të mesëm për të ndikuar në kontrollin e çmimeve apo kërkesës së tregut, por thjesht ato duhet të punojnë në drejtim të uljes së kostove, rritjes së efektivitetit dhe realizim të investimeve të domosdoshme për të mbajtur aktivitetin sot dhe për të garantuar perspektivën.

• mbijetesë të pak subjekteve të nivelit të mesëm (si AlbChrome, e pak të tjerë) falë investimeve të realizuara prej tyre nga një vizion i mëparshëm për perspektivën dhe një mundësi për faliment të shumë subjekteve të vogla, për shkak të situatës globale dhe në vend, mbarimit të rezervave dhe pamundësisë së tyre për zbulim të rezervave të reja, pamundësisë së realizimit të investimeve për përgatitje për marrje të rezervave të xeherorëve të varfër në objektet ekzistuese.

 

Rezervat e kromit po përfundojnë, çfarë duhet bërë?!

Shfrytëzimi pothuaj 80-vjeçar i xeherorëve të kromit dhe bllokimi i shtimit të rezervave të tij gjatë këtyre 25 viteve ka bërë që aktualisht, sasia e rezervave të vlerësuara të shkojë drejt përfundimit. Shfrytëzimi në masë të gjerë i vendburimeve, jo rrallë jashtë kritereve të shfrytëzimit racional, dëmtimi i vendburimeve dhe shfrytëzimi këto vite kryesisht në zonat e shfrytëzuara, jo vetëm kanë dëmtuar vendburimet e njohura me mënyrën e shfrytëzimit, apo përdorimit të punimeve minerare, por vazhdojnë të krijojnë premisa për dëmtim të shëndetit të punonjësve dhe aksidenteve fatale.

Sot, për shkak të nivelit shumë të ulët të çmimeve në tregun botëror (që prej gushtit të 2019) gjendja e këtij sektori është e rëndë, rezervat po shkojnë drejt përfundimit, ka mungesa për një periudhë të gjatë të investimeve për rezerva të reja e rinovim të makinerive e pajisjeve, infrastruktura nëntokësore e sipërfaqësore e vendburimeve është e amortizuar, janë ndërprerë punimet kapitale të hapjes dhe përgatitjes, pothuajse në të gjitha objektet ekzistuese, duke lënë xeherorët e varfër në nëntokë, kjo ka çuar në faktin, që minierat të shkojnë drejt mbylljes.

Studimi i fundit kur institucionet tona minerare filluan të fusnin në praktikat e tyre vlerësimin e rezervave sipas standardeve ndërkombëtare KNR (Klasifikimi Ndërkombëtar i Rezervave), është në vitin 2000 dhe për mineralin e kromit sasia e përgjithshme e rezervave për 12 vendburimet kryesore të kromit rezultonte 10 080 507 tonë. Kërkohet doemos një përditësim i tij.

Vetëm për 39.13% të totalit të rezervave ka vlerësim për proceset e përpunimit, ndaj kryerja e studimeve të karakterit teknologjik për përcaktimin e parametrave sa më reale të pasurimit të kromeve të varfra (në procesin e dhënies së lejes së ndërtimit të Fabrikave të pasurimit) dhe përpunimit të mëtejshëm të tyre, do të bënte që të futeshin në qarkullim ekonomik një sasi e konsiderueshme e rezervave të xeherorit të kromit në Shqipëri, sidomos të pjesës verilindore të vendit, ku aktualisht po punohet me këta xeherorë të varfër, në shumë fabrika pasurimi, por me nivele rikuperimi shumë të ulëta dhe me një vlerësim shumë të pakët të lëndës së parë, si nga ana sasiore ashtu dhe cilësore e mineralogjike.

Mospasja sot e një vlerësimi të saktë të rezervave të xeherorit të kromit në Shqipëri, konfuzioni që ekziston në të dhënat e rezervave gjeologjike dhe klasifikimin e tyre, rezervat e nxjerrshme, atyre të konsumuara, informacioni i vakët jo rrallë kontradiktor në këtë drejtim, krijon një stepje të investitorëve, pasi edhe sot institucionet tona minerare nuk bëjnë transparent një dokument zyrtar të certifikuar për rezervat aktuale të këtij xeherori në Shqipëri, sipas klasifikimeve të njohura, duke lënë shteg për abuzime, mashtrime, apo dhe investime të gabuara.

Këto vlera tregojnë gjithashtu se niveli i studiueshmërisë së parametrave përcaktues, sasiorë dhe cilësorë, për klasifikimin e vendburimeve sipas KNR, është shumë i ulët. Ky fenomen me gjithë detyrimet ligjore të përcaktuara në legjislacionin minerar, ende nuk zbatohet, dhe jo rrallë nga vetë institucionet minerare kërkohet vlerësimi sipas klasifikimeve të mëparshme, që shpie në faktin që vendburimet tona të mos jenë njësoj të vlerësuara në tregun botëror të mineraleve, të jenë pak të promovuara dhe jo të lexueshme nga investitorët.

Çfarë kërkohet

Zgjerimi i rezervave minerare të objekteve ekzistuese, përcaktime të qarta për konceptet e jetëgjatësisë së objekteve minerare, zhvillimi i ciklit të jetës së saj, jo shabllonizëm. Koncepte të zhvillimit të veprimtarisë minerare, të hapjes dhe shfrytëzimit të një objekti minerar bazuar në metodat krahasimore të përfitimit nga ky aktivitet. Zgjerimi i veprimtarive të kërkim-zbulimit dhe një mbështetje më e madhe shtetërore për to, do të bëjnë që ky xeheror të mos quhet një pasuri e zhdukur, por të vazhdojë të jetë një promotor i industrisë minerare shqiptare.

Nga institucionet gjeologo-minerare kërkohet urgjentisht një rivlerësim i rezervave minerare të xeherorit të kromit për të programuar realizimin e projekteve zhvillimore të veprimtarive minerare të kërkim-zbulimit, në përgatitjen e vendburimeve minerare ekzistuese dhe të reja dhe gjetjen e vendburimeve të reja, bazuar në një seri tezash të hedhura për vazhdimësinë e Bulqizës, Qafën e Buallit apo vendburime të tjerë të njohur, që kërkojnë konfirmime dhe rivlerësim të rezervave në gjithë masivet e tjerë.

Duke pasur këtë parasysh, del si domosdoshmëri që për të gjitha vendburimet, objektet apo shfaqjet e mineralizuara, të kryhet një studim përgjithësues nga ana e institucioneve minerare për saktësimin e parametrave sasiorë e cilësorë të vendburimeve të masivëve Bulqizë – Batër (veçanërisht për vendburimet Qafë Buall, Batër, Theken, Bulqiza veriore ku shumë teori kanë ngelur të pavlerësuara në lidhje me zhvillimin e këtij vendburimi, dhe tezat e publikuara jo rrallë kundërshtojnë njëra-tjetrën) dhe Kukës-Tropojë (veçanërisht për objektet e xeherorëve të varfër).

Politikat minerare duhet të mirëpërcaktojnë zonat më premtuese për tërheqje të investitorëve, duke krijuar një klimë tërheqëse biznesi nëpërmjet, plotësimit të nevojave të investitorëve, mbështetjes së tyre me mekanizma promovues, nxitës jo frenues, vlerësim të faktorëve të rëndësishëm që ndikojnë në zhvillimin apo pengimin e një biznesi dhe aftësive për të përballur me sfidat që hasen në biznesin minerar.

Nevoja për promovim të gjithanshëm mbi bazën e të dhënave shkencore dhe standardeve bashkëkohore (vlerësim i rezervave sipas YORK, KNR, etj.) si dhe zgjidhje ligjore ndihmëse të zhvillimit, si në drejtim të lehtësimit të procedurave të marrjes së të drejtave minerare, sidomos për kërkim-zbulimin apo dhe të lehtësimeve fiskale të përkohshme, apo të përhershme, mbi bazën e një analize reale, që reflekton efektet e krizës globale të sektorit për përfitim maksimal të shtetasve shqiptarë, por dhe biznesin që ai të motivohet për investime të reja, do të jepte frymëmarrje në hapjen e objekteve të reja për të mos arritur në pikën kur kjo pasuri e papërsëritshme të këtë humbur, të quhet pasuri në zhdukje, por ajo të mund të bëhet një mundësi për rritje të të ardhurave në ekonominë shqiptare dhe punësimin në zonat rurale.

Konkluzione

Në mënyrë të përmbledhur, për të bërë të mundur që kjo pjesë e sektorit minerar të rimarrë jetë, duhet të punojmë në:

1. Zbatim të ligjit nga administrata minerare dhe ajo mjedisore për krijimin e një klime të përshtatshme biznesi, për tërheqjen e investimeve vendase e të huaja në sektorin minerar, sidomos drejt veprimtarisë së kërkim-zbulimit, për shtimin e rezervave të reja minerare;

2. Aplikimin e teknologjive të reja, për t’u përballur me zbulimin e trupave minerare, që shkojnë më në thellësi dhe kanë një përmbajtje më të ulët të mineralit të dobishëm;

3. Plotësimin e GIS-it të të dhënave dhe realizimin e një modelimi multidimensional të bazuar në konceptet e planifikimit të territorit;

4. Është e nevojshme të rritet shkalla e zbulimeve të reja perspektivë në thellësi, për vendburime të kromit, veprimtari eksploruese që të synojnë gjetjen e rezervave të reja, duke vlerësuar faktin që minerali i kromit, i cili ka potencial eksplorues të lartë për vendburime të madhësive të vogla dhe të mesme, duke përdorur teknologji moderne zbulimi.

5. Përgjithësimi i të dhënave komplekse gjeologjike të fituara për masivin e Bulqizës dhe projektimi i disa punimeve të kërkim-zbulimit në lindje e thellësi të tij, për diskutim e vlerësim të shumë teorive për këtë vendburim, nëpërmjet debatit të specialistëve dhe nxitjes së veprimtarive të kërkim-zbulimit;

6. Përgjithësimi i të dhënave komplekse gjeologjike për gjithë masivët e tjerë të njohur dhe promovim i tyre, duke identifikuar zonat potenciale minerare për tërheqje të investitorëve të vendit e të huaj, nëpërmjet aplikimit të dhënies së të drejtave minerare sipas parimit “i pari në kohë i pari në të drejta”;

7. Strategjia e promovimit të mineraleve duhet të jetë pjesë e programeve dhe reformave politike dhe institucionale, si pjesë e pandarë e programeve kombëtare afatgjata për zhvillimin kombëtar, planifikimin territorial, punësimin e aspektet sociale. Ajo duhet të jetë e përshtatur me reformat institucionale që realizohen në vend, në kuadër të integrimit të tij në strukturat europiane dhe element i fortë negociues, sidomos me rritjen në vazhdimësi të kërkesës për minerale të kromit në BE.

8. Krijimi i kadastrës minerare dhe zonave të lira për aktivitet minerar të publikuara duhet të jenë pjesë në “Hartat e Planifikimit Territorial”, dhe të krijojnë mundësi për rritjen e interesit të investimeve, transparencë dhe qartësi në marrjen e vendimeve për dhënien e të drejtave minerare, mbi bazën e strategjive të zhvillimit të vendit dhe aktivitetit minerar në veçanti.

Përditësimi i këtij informacioni është gjithashtu i domosdoshëm për të mos lejuar mbivendosje kompetencash të institucioneve, vonesa, e burokraci, të cilët tashmë janë të rritura në numër, por profesionalisht lënë për të dëshiruar dhe veprojnë pa u koordinuar me njëri-tjetrin, duke i humbur kohë biznesit, duke lënë shteg për korrupsion dhe duke ngadalësuar punën.

9. Domosdoshmëria e Aplikimit të sistemeve të njohura ndërkombëtarisht për klasifikimin e rezervave. Burimet minerare të vendit tonë, deri sot, vazhdojnë të klasifikohen sipas sistemit rus me rezervat A, B, C1 e C2, metodikë që vetë shtetet e Lindjes e kanë lënë dhe po e konvertojnë me sisteme të reja të klasifikimit të rezervave sipas sistemeve (EFG, YORK, apo të tjera të njohura sot në tregun minerar), gjë që dhe ne duhet ta realizojmë sa më shpejt, fillimisht për kromitet dhe më pas për nikelin e të tjerët, në mënyrë që të jenë të lexueshme për investitorët e fushës minerare.

Vendosja e një sistemi të tillë shërben në krijimin e instrumentit, që lejon klasifikimin e rezervave/burimeve të lëndëve të para minerare mbi bazën e njëllojshmërisë në planin ndërkombëtar të sistemit të ndërtuar mbi bazën e kritereve të ekonomisë së tregut.

10. Partnership publikë-privatë, me konceptin që minierat janë të nevojshme për të siguruar zhvillim të infrastrukturës rajonale, punësim, të ardhura lokale, etj.

Urgjente!

Nga institucionet gjeologo-minerare kërkohet urgjentisht një rivlerësim i rezervave minerare të xeherorit të kromit për të programuar realizimin e projekteve zhvillimore të veprimtarive minerare të kërkim-zbulimit, në përgatitjen e vendburimeve minerare ekzistuese dhe të reja dhe gjetjen e vendburimeve të reja

Monitor,  12.10.2020