Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KLSH auditon burimet alternative të energjisë

Kontrolli i Lartë i Shtetit, shtroi në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë (MEI) dhe Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) auditimin me temë “Burimet Alternative të Energjisë në Shqipëri”, paralel me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor si Kosova, Turqia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina etj., nën drejtimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë, duke u fokusuar në burimet alternative të energjisë elektrike, kryesisht asaj diellore.

Rritja në vazhdimësi e konsumit të lëndëve djegëse fosile me pasoja në ndryshimet klimatike globale dhe paqëndrueshmëria e furnizimit me energji elektrike, si rezultat i varësisë së plotë nga prodhimi hidrik, niveli i lartë i çmimeve të burimeve aktuale energjetike etj., kanë bërë që të kërkohet gjithnjë e më shumë shfrytëzimi i burimeve të energjisë së rinovueshme, si një element thelbësor i kuadrit të politikave kombëtare të energjisë.

Në vendin tonë, vazhdon të ruhet e njëjta strukturë e furnizimit me burime primare energjetike, me një nivel të pamjaftueshëm diversifikimi dhe kapacitet ekzistues gjenerues të pamjaftueshëm për të përballuar kërkesën për energji elektrike. Veç kësaj, Shqipëria ka nënshkruar Traktatin themelues të Komunitetit të Energjisë me Komunitetin Evropian më 25.10.2005 dhe për pasojë është e detyruar për të arritur objektivat e BE-së për energjinë e rinovueshme të ripërtëritshme të energjisë dhe treguesit e objektivave për energji efikase.   Krahas objektivit të përgjithshëm të auditimit të performancës për të evidentuar dhe ndërgjegjësuar nëpërmjet rekomandimeve nëse po bëhen gjërat e duhura në mënyrën dhe kohën e duhur, objektivi specifik këtij auditimi ishte që duke analizuar kuadrin ekzistues rregullator, performancën e zbatimit të politikave institucionale publike nga Ministria e Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore për rritjen e përdorimit të burimeve alternative të energjisë, të arrihet në përfundime mbi përmirësimin e qëndrueshmërisë, nëpërmjet prodhimit dhe përdorimit me efektivitet të potencialit të burimeve të rinovueshme të energjisë elektrike në mënyrë miqësore me mjedisin.

Gjatë kryerjes së këtij auditimi, jemi përpjekur t’i japim përgjigje pyetjes: A ka ndërmarrë Qeveria iniciativa/veprime të mjaftueshme për përmirësimin e qëndrueshmërisë së furnizimit me energji elektrike, duke përdorur burime të rinovueshme?, dhe në përfundim ka arritur në këtë Mesazh auditimi:   “Megjithëse Shqipëria ka kryer jo plotësisht përafrimin e legjislacionit sipas kërkesave të BE-së dhe ka hartuar Draft-Planin Kombëtar të Veprimit të Burimeve të Rinovueshme dhe Eficencës së Energjisë, nuk ka arritur të përmirësojë qëndrueshmërinë e furnizimit me energji elektrike, pasi:

– Strategjia Kombëtare e Energjisë nuk është monitoruar dhe zbatuar sipas skenarëve përkatës;  – Plani Kombëtar i Veprimit prej më se tre vitesh nuk është miratuar akoma;  – Ligji për burimet e rinovueshme vazhdon të jetë në proces përditësimi edhe pas më shumë se dy vitesh pa aktet e tjera nënligjore;  – Kanë munguar iniciativat publike në këtë fushë për shkak të performancës së dobët të MEI-t dhe AKBN-së nga mungesa e financimeve buxhetore dhe ndarjes e dublikimit të kompetencave administrative brenda dhe midis tyre”.

Në përfundim të kësaj veprimtarie audituese, mbi bazën e Vendimit të Kryetarit të KLSH-së, Zotit Bujar Leskaj, nr. 113 prot., datë 09.09.2015, janë dërguar rekomandimet përkatëse dhe raporti përfundimtar MEI-t dhe AKBN-së me shkresat nr. 904/10 prot., dhe nr. 904/11 prot., datë 11.09.2015.

MEI-t dhe AKBN-së i është kërkuar marrja e masave për zbatimin e 15 rekomandimeve me afate kohore të ndryshme, lidhur me transpozimin e plotë të Direktivës së BE-së në ligj, së bashku me të gjithë infrastrukturën përkatëse nënligjore; përfundimin e hartimit të Strategjisë Kombëtare të Energjisë dhe Planit Kombëtar të Veprimit të Burimeve të Rinovueshme dhe Eficiencës së Energjisë, të bazuara në situatë reale dhe në një kohë sa më të shpejtë; bashkërendimin e punës që të sigurohet plotësimi i objektivit të BE-së për të arritur në vitin 2020 përdorimin e 38 % të energjisë nga burimet e rinovueshme; të rishikohen prioritet e MEI-t, duke i kushtuar një vëmendje të posaçme diversifikimit të prodhimit të energjisë elektrike nëpërmjet shfrytëzimit të potencialeve natyrore të burimeve të rinovueshme etj.

Sot News,  15.09.2015