Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shqipëria nënshkruan Kartën Ndërkombëtare të Energjisë

Në datat 20-21 Maj 2015, në Hage të Holandës u zhvillua Konferenca Ministrore në kuadër të “International Energy Charter”. Gjatë kësaj Konference, përfaqësuesit e çdo delegacioni pjesëmarrës mbajtën një deklaratë në emër të qeverive respektive lidhur me mbështetjen dhe firmosjen e “International Energy Charter”, si edhe perspektivat e vendeve të tyre nën zhvillimet e reja në tregun e energjisë, por edhe të sektorëve të tjerë të lidhur me të, dhe të mundësive të reja që krijon anëtarësimi i plotë në “International Energy Charter”.

Në emër të qeverisë shqiptare Zv. Ministri i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, Z. Ilir Bejtja bëri një panoramë të shkurtër të reformave të ndërmarra në sektorin e energjisë dhe rezultateve në këtë proces reformimi; të vendosmërisë së qeverisë për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm të këtij sektori; të forcimit të vazhdueshëm të rolit të Shqipërisë si faktor në rajonin e Ballkanit; të bashkëveprimit me Sekretariatin e Energjisë dhe Komunitetin Europian te Energjisë në lidhje me përafrimin e legjislacionit me atë Europian dhe nën dritën e direktivës europiane për këtë qëllim; si edhe duke përmbyllur me perspektivën e re dhe të rritur që ofron “International Energy Charter” në krahasim me “European Energy Charter”, në çdo drejtim brenda këtij sektori dhe në çdo fushë të lidhur me të.

Më pas, në emër të Qeverisë shqiptare Z. Bejtja nënshkroi dokumentin e “International Energy Charter”, duke firmosur anëtarësine e Republikës së Shqipërisë në Komunitetin më të lartë e më të madh ndërkombëtar të energjisë në botë dhe në Europë.

Z. Bejtja ishte pjesë e panelit “Energy Innovation” të organizuar me rastin e International Energy Charter, ku gjatë diskutimeve të tij, theksoi rëndësinë e politikës në zhvillimin e sektorit energjitik dhe industrive nxjerrëse, dhe në veçanti në nxitjen e novacionit në këta sektorë. Ai theksoi se ajo ç’ka politika duhet të bëjë për nxitjen e novacionit dhe zhvillimin e sektorit është të krijojë hapësira dhe rrugë për këtë qëllim, dhe jo të tregojë se si duhet të levizë. Mbështetja e iniciativës private dhe publike në novacion, nuk duhet të nënkuptojë drejtim të detyruar e totalitar të zhvillimit, por mbështetje të konkurencës në çdo nivel, dhe krijim hapësire për zhvillimin e iniciativës së lirë krijuese. Për këtë, nuk mjafton vetëm mbështetje financiare, as të bësh ligje dhe rregullore, por të garantosh individualitetin novator, konsistencën nëpërmjet nxitjes së edukimit e kërkimit në të gjitha nivelet dhe rritjes së cilësisë së tij, dhe lidership e performancë të lartë duke garantuar plotësimin e nevojave e kërkesave të të gjithë aktorëve në treg, në mënyrë të veçantë të konsumatorëve finalë.

Në mbyllje të panelit nga ana e drejtuesit të tij Zt. Harry Brekelmans – (përfaqësues i lartë i Royal Dutch Shell) iu drejtua Z. Bejtja të jepte një mesazh lidhur me novacionin dhe zhvillimin e sektorit të energjisë nën International Energy Charter. Z. Bejtja deklaroi “… Pjesmarrje. Parimi i pjesëmarrjes, si një nga parimet bazë dhe më të vjetra që në themelimin e Komunitetit Europian me themelimin e Traktatit të Romës (i firmosur nga Belgjika, Franca, Italia, Luksemburgu, Holanda dhe Gjermania Perëndimore), dhe më tej në zhvillimin e tij në të gjithë realitetin e sotëm është nxitës dhe kusht i domosdoshëm për nxitjen e zhvillimit në përgjithësi, dhe të sektorit energjitik në veçanti. Ky parim e realizon këtë nëpërmjet kooperimit, bashkëpunimit, shkëmbimit të eksperiencës dhe mbështetjes së praktikave më të mira novatore, si edhe nëpërmjet njohjes së individualitetit racional të çdo anëtari të këtij Charter-i dhe rolit të lidershipit dinamik brenda tij”. Konkluzionet e ketij paneli dhe midis tyre konstatimet dhe propozimet e Z. Bejtja ishin pjesë e deklaratës përmbyllëse nga Ministri i Çështjeve Ekonomike të Mbretërisë së Holandës, që ishte dhe drejtuesi i nderit i kësaj Konference ministerore.

Mesazhi përfundimtar i Konferencës ishte:

Të investojmë në energji për:

  1. Garantimi i një aksesi universal në energji
  2. Greening – “gjelbërimi” i furnizimit me energji
  3. Promovim të investimeve dhe mbrojtje e tyre
  4. Novacion në energji

Për të garantuar sigurinë e energjisë dhe qëndrueshmërinë e saj në çdo nivel. Në këtë kuadër është pikërisht International Energy Charter që do të ndihmojë në përmbushjen e këtyre objektivave dhe unifikimin e gjuhës së folur në energji në çdo dimension.

energjia.al  02.05.2015