Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

MEI raporton për grantin e gazit

Zëvendës Ministri i Energjisë dhe Industrisë Ilir Bejtja ishte sot i pranishëm në mbledhjen e Komisionit për Politikën e Jashtme në Kuvend ku raportoi për “Projektin ndërmjet Qeverisë së Konfederatës Zvicerane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, mbi grantin e asistencës financiare për ngritjen e kapaciteteve për zhvillimet në përmasa të mëdha të infrastrukturës së gazit në Shqipëri II”.

Z. Bejtja, gjatë fjalës së mbajtur para deputetëve të Komisionit theksoi se objektivi i përgjithshëm i këtij projekti është të ngrejë kapacitetet e nevojshme brenda institucioneve publike dhe autoriteteve përkatëse shqiptare, si edhe të rrisë e të përditësojë kuadrin ligjor, teknik dhe institucional për të zhvilluar tregun e gazit në Shqipëri, si dhe për të zbatuar projektin e gazsjellësit TAP.

Duke u ndalur tek rezultatet e pritshme Z.Bejtja përmendi disa prej tyre. “Hartimin e strategjive dhe dokumenteve të politikave në sektorin energjetik, pra strategjinë e sektorit shqiptar energjetik, studimin për zhvillimin e tregut të gazit, masterplanin e infrastrukturës së gazit. Hartimin dhe përditësimin e kuadrit ligjor, teknik dhe institucional në sektorin e gazit natyror në përputhje me direktivat e BE-së, kryesisht në : a)marrëveshjet me TAP; b)procedurat për lejet dhe licencimin; c)rregulloret e vendit për gazin; d)rregullat dhe proceset për blerjen dhe servitudin e tokës; e)rregullore për çështjet shëndetësore, të sigurisë dhe mjedisin, si dhe për standardet sociale”, u shpreh z.Bejtja.

Zv.ministri u ndal edhe tek qeverisjen e përmirësuar të autoriteteve shqiptare, duke përfshirë ERE për projekte në përmasa të mëdha të infrastrukturës së gazit. “Krijimin dhe ngritjen e institucioneve kompetente shqiptare, duke përfshirë mbështetjen e institutit të naftës dhe gazit, agjencive dhe operatorëve aktivë për sektorin e ardhshëm të gazit. Forcimin e kompetencave përkatëse të qeverisë shqiptare për koordinimin, zbatimin ndërministror të projektit dhe komunikimin efikas de përfaqësimin e qeverisë shqiptare në kuadrin e TAP dhe të gazifikimit të vendit”, nënvizoi Bejtja.

Zëvendës Ministri tha se afati kohor i zbatimit të projektit do të jetë periudha 2015-2020. Ai sqaroi se përfituesit e drejtpërdrejtë të projektit janë institucionet e ndryshme në qeverinë shqiptare, veçanërisht Ministritë, më së shumti Ministria e Energjisë dhe Industrisë. “Institucione të tjera publike që përfitojnë nga projekti janë Enti Rregullator i Energjisë(ERE), Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve(AIDA), Autoriteti Kombëtar i Planifikimit të Territorit, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore(AKBN), Inspektorati Qendror Teknik, si dhe institucione të tjera (gjysmë) publike në sektorin e hidrokarbureve, si Albpetroli”, nënvizoi Zëvendës Ministri.

energjia.al 27.05.2015