Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Me investitorët italianë, një partneritet në rritje

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me investitorët italianë:

I bindem kërkesës së ambasadorit për të folur në italisht. Për të vazhduar një rrugë që kemi filluar sëbashku, tashmë, dhe për të cilën ju jam shumë mirënjohës. Në këtë rrugëtim, që në çastet e para, gjithmonë jemi përpjekur dhe do të vazhdojmë të përpiqemi që të kalojmë një mesazh shumë të fuqishëm dhe të qartë tek të gjithë sipërmarrësit italianë, të cilët ëndërrojnë një vend me taksim minimal, me kosto të ulët të fuqisë punëtore, me më pak prani sindikatash, që të jetë e mundur e kështu me radhë, për të kuptuar që ky vend ekziston, që ky vend nuk është një ëndërr e parealizueshme për ju, por është një realitet shumë i afërt. Mjafton t’i hipësh avionit dhe të udhëtosh në shumë më pak kohë sesa të shkosh nga Veriu i Italisë në Jug të Italisë, për të ardhur në Shqipëri ku mikpritja është shumë e ngrohtë dhe qeveria gjithmonë është e gatshme për t’i hapur rrugën kujtdo që do të investojë në këtë vend.

Historia ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë është e njohur. Jemi dy vende shumë të afërt, jo vetëm nga pikëpamja gjeografike, nga lidhjet historike, por edhe nga pikëpamja e kohës që na përket dhe që jetojmë, falë faktit që janë qindra mijëra shqiptarë, të cilët jetojnë në Itali si në vendin e tyre. Janë të shumtë ata që i paguajnë organeve tatimore italiane, kontributet e tyre si sipërmarrës të vegjël e të mesëm. Jemi të shumtë në numër që jemi shumë të lumtur edhe kur ju mundni Real Madridin. Madje kemi edhe një pasuri të përbashkët përsa i përket futbollit. Një italian dhe shqiptar, me dy pasaporta, me dy shtetësi, që stërvit skuadrën tonë kombëtare të futbollit dhe nuk është diçka e mirëqenë, sepse nuk e përfytyroj një gjerman që do të donte edhe pasaportën shqiptare, për të stërvitur kombëtaren tonë të futbollit. Vetëm një italian mund ta bëjë një gjë të tillë dhe vetëm një italiani mund t’ia japim pasaportën shqiptare duke e ndjerë atë si të ishte shqiptar.

Por, sidoqoftë, po të shohim gjithë këtë kuadër optimal mundësish integrimi dhe bashkëpunimi nga të gjitha pikëpamjet, nuk mund të mos jemi të kënaqur për numrin e ndërmarrjeve italiane të pranishme këtu, janë rreth 900 të tilla. Por janë shumë pak, në fakt, po të marrim parasysh ambiciet tona dhe potencialet e vërteta të vendit, që ofron shumë më tepër hapësira dhe mundësi, si nga pikëpamja numerike, ashtu edhe cilësore.

Italia është partneri me peshën më të madhe, të rëndësishme, të eksporteve në Shqipëri. Në vitin 2014 kemi arritur në 52% si vëllim, por besojmë se ka ende shumë mundësi për të bërë edhe më shumë. Por, sigurisht, çka mund të bëhet në mënyrë thelbësore mund ta bëjë sektori privat që ka aftësinë për të investuar në këtë vend. Unë jam shumë i kënaqur që t’ju them se jemi në një situatë ku ka përmirësime nga të gjitha pikëpamjet, sa i përket hapësirës, klimës për të bërë biznes në Shqipëri.

Për shembull, vetëm 18 muaj më parë, kur ne filluam të qeverisim këtë vend, na u desh të ballafaqohemi me një mal borxhesh që qeveria kishte kundrejt ndërmarrjeve private. 720 milionë dollarë borxhe, që janë shumë për ekonominë tonë dhe për mundësitë tona si qeveri, si shtet. Pra, ishin para që qeveria u detyrohej ndërmarrjeve private për shërbime në shëndetësi, në arsim etj, si dhe për TVSH-në e parimbursuar. Jemi përballur me këtë problem me shumë seriozitet, sepse deshëm që në fillim të jepnim një mesazh shumë të qartë, që, nëse duam një vend të fortë nga pikëpamja ekonomike, por edhe nga pikëpamja e së drejtës, duhet të njohim dhe të respektojmë të gjitha të drejtat e secilit që investon në këtë vend. Nuk është e mundur që qeveria t’i trajtojë sipërmarrësit si të ishin vartësit e saj dhe të mos ju paguajë kontratat që u detyrohet atyre. E kemi filluar këtë proces të pagesës së borxheve dhe jemi në një situatë shumë më të mirë dhe objektivi është që të arrijmë të shlyejmë gjithçka, gjatë këtij viti deri nga mesi i viti të ardhshëm.

Po ashtu kemi krijuar institucione të mirëfillta për të punuar sëbashku, që nga Këshilli Ekonomik Kombëtar ku merr pjesë qeveria, bankat, sipërmarrja, institucionet financiare ndërkombëtare, me të cilat ne punojmë, në Këshillin e Investime që është një mekanizëm i ri, i cili është ngritur falë bashkëpunimit me BERZH. Institucione këto, që do na japin mundësinë që të adresojmë në kohë reale, të gjitha problemet me të cilat përballen sipërmarrësit dhe të gjithë problemet që pengojnë të ecim përpara me shpejtësi.

Nga ana tjetër ndodhemi në një situatë për të cilën mund të jemi optimistë, pasi nuk ka asnjë kufizim për përqindjen e kapitalit të huaj në një ndërmarrje, pra, sa i përket përbërjes së kapitalit, 100% e së drejtës së pronësisë është i mundur edhe nga kapitali i huaj; tatimi mbi fitimin është vetëm 15%; regjistrimi i një biznesi të ri bëhet brenda 24 orëve; kemi përmirësuar pozicionin tonë si vend në të bërin biznes që në vitin e parë, me 40 pozicione; kemi përmirësuar edhe situatën tonë të vlerësimit nga agjencitë e rating-ut ndërkombëtar, nga B negative në B pozitive, në më pak se 12 muaj.

Ne kemi edhe një fuqi punëtore mjaft të re në moshë dhe të kualifikuar. Jemi një vend shumë i ri në moshë dhe një vend ku të gjithë kuptojnë gjuhën italiane, shumë vetë e flasim madje dhe sikurse mund të dëshmojnë të gjitha ndërmarrjet italiane që punojnë në Shqipëri, nuk kanë asnjë problem integrimi me kulturën, me disiplinën e ndërmarrjes dhe asnjë problem nga pikëpamja e marrëdhënieve ndërmjet sipërmarrësit dhe punonjësve.

Kemi kuptuar që modeli ynë ekonomik, që për shumë vjet ka shërbyer për të pasur një zhvillim një zhvillim jo të qëndrueshëm, por edhe një rritje të pashoqëruar me rritjen e punësimit. Ishte një model, i cili nuk mund të na shpinte më parpara, pasi dy burimet më të mëdha të rritjes ekonomike nuk ekzistojnë më.

Nga njëra anë, remitancat e emigrantëve, të cilat për shumë vite kanë qenë burimi më i madh i zhvillimit, i rritjes ekonomike për Shqipërinë, janë në ulje dramatike. E mjafton të mendosh që dy komunitetet më të mëdha të emigrantëve shqiptarë janë në Itali dhe në Greqi, kriza financiare në këto dy vende ka ndikuar në përshpejtimin e këtij procesi të natyrshëm të uljes së remitancave. Nga ana tjetër dhe bumi i ndërtimeve ka përfunduar tashmë.

E kështu, filluam të punojmë mbi burime te reja të zhvillimit dhe mbi modelin ekonomik të rritjes së qëndrueshme, i cili bazohet shumë më tepër mbi prodhimin dhe mbi përpunimin e produkteve.

Jemi një vend shumë i pasur në të gjitha pikëpamjet, përsa i përket burimeve natyrore. Energjia, është sigurisht një nga potencialet më të mëdha që ka ky vend. Kemi një potencial hidroelektrik shumë të rëndësishëm, pasi jemi vendi i dytë më i pasur në Europë për burime ujore, pas Norvegjisë.

Kemi burime shumë të rëndësishme nafte. Jemi optimistë se në vitet e ardhshme do të kemi një burim të ri gazi, falë të dhënave që ne kemi marrë nga eksplorimet e fundit. Është gjithashtu një pjesë të rëndësishme e sektorit të minierave, i cili ka nevojë të zhvillohet, por edhe në të cilin mundet dhe duhet të investohet.

Nga ana tjetër jemi një vend me burime të mëdha turistike. Është një vend që po fillon të jetë shumë tërheqës për turistët, sidomos ato të Europës Veriore. Mjafton të mendojmë që këtë vit kemi patur 25% kërkesa më shumë dhe nuk jemi në gjendje të kemi një ofertë, që të mund të përmbushë gjithë këto kërkesa. Kemi nevojë për shumë vende të reja, përsa i përket sektorit të hotelerisë, kemi nevojë për struktura të reja.

Pra, do të thoja që kemi nevojë të kontaktojmë, të flasim me sipërmarrës italianë, me investues sepse ka ende shumë për të bërë, në këtë aspekt.

Sigurisht, nga ana e sipërmarrësve italianë, ka një përvojë të gjatë, e cila mund të jetë një kapital shumë i rëndësishëm për të filluar në këtë drejtim me projekte të mëdha dhe serioze.

Në parlament ka tre ligje shumë të rëndësishme, të cilat lehtësojnë sistemin burokratik në favor të investuesve, që krijojnë një gjendje krejtësisht të ndryshme, favorizuese, për të gjithë ata që duan të investojnë në Shqipëri, në sektorët që i kemi përcaktuar si sektorë strategjikë. Për investimet që shkojnë përtej një shifre të caktuar, ligji tjetër ka të bëjë me turizmin, ka të parashikuar një hapësirë të re, në mënyrë që të angazhohemi në projekte zhvillimi, strukturor dhe infrastrukturor.

Ligji i tretë ka të bëjë me partneritetin publik, privat, ku ne duam të vëmë theksin fuqimisht se besojmë, sidomos përsa i përket shërbimeve, se ky partneritet mund të shpëtojë realisht Shqipërinë, nga një administrim negativ.

Në muajt e fundit kemi patur të dhëna, të cilat na inkurajonë shumë përsa i përket fushës së bujqësisë dhe manifakturës, ku mund të bëhet shumë në këtë sektor, mund të ofrojmë shumë për ata që vijnë të investojnë nga Italia në Shqipëri.

Ka shembuj shumë bindës, sepse tashmë ka sipërmarrës që i kanë zhvendosur ndërmarrjet e tyre, nga vende të tjera të botës, si nga Rumania, nga Libia, këtu dhe janë shumë të kënaqur që punojnë me të rinjtë tanë, pra punonjësit shqiptarë dhe që prodhojnë me cilësinë e nevojshme.

Edhe në sektorin e konfeksioneve po zhvillojmë një program të veçantë për sa i përket nxitjes së investimeve, nëpërmjet mbështetjes së investitorëve. Vetëm në 7 muaj kemi pasur një rritje prej 30% të eksporteve me një vlerë prej 110 milionë dollarë, të cilat nuk janë pak për këtë vend dhe nuk janë pak për këtë sektor. Por, potenciali është shumë më i madh, mund të arrijmë deri në 500 milionë rritje, nëse do të kemi investimet e nevojshme.

E njëjta gjë vlen edhe bujqësinë, ku ka një ndryshim të drejtimit. Ne kemi bërë të gjithë përpjekjet tona për të mbështetur sipërmarrësit në sektorin agroushqimor, sepse atje ne mund të ndryshojmë në mënyrë rrënjësore modelin e zhvillimit të këtij sektori.

Unë do të doja ta mbyllja duke ju thëne se përtej gjithë këtyre programeve, përtej gjithë legjislacionit në këtë drejtim, dhe përtej gjithë qëllimeve të mira, ekziston edhe një gatishmëri e plotë, në të gjitha nivelet më të larta institucionale, për të shoqëruar çdo sipërmarrës, i cili dëshiron të bëjë biznes në Shqipëri. Kemi dhe një sistem eskort, do të thosha shoqërues, jo në kuptimin berluskonian, por në kuptimin praktik për të mos lënë asnjë sipërmarrës të bjerë në grackat e burokracisë.

Do të thoja vetëm që në këtë pikë duhet të kujtojmë një shprehje shumë të bukur të Henry Ford, i cili thoshte. “Të jemi të gjithë së bashku është vetëm fillimi, të rrimë se bashku është zhvillimi, progresi, ndërsa të punojmë së bashku do të thotë sukses.” Është paksa si martesa, apo jo?

Faleminderit dhe shpresojmë që pasi të jemi bashkuar dhe të kemi kuptuar se ndihemi mirë me njëri-tjetrin, do të punojmë së bashku për të arritur suksesin. Sukses për ju, sukses për ndërmarrjet tuaja, që do të thotë sukses për ne, sukses për Shqipërinë.

Ju faleminderit!

energjia.al  15.05.2015