Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rimëkëmbje energjitike përmes investimeve

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin e organizuar nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, “Rimëkëmbja energjetike”:

Sot është dita për të ndarë disa arritje, disa shqetësime dhe disa objektiva me të gjithë ju por mbi të gjitha, me qytetarët që na dëgjojnë, me konsumatorët që paguajnë rregullisht energjinë elektrike dhe të gjithë ata që kanë shprehur vullnetin për t’ju bashkuar pjesës së shëndetshme, për t’u bërë pjesë e bashkëjetesës në kornizën ligjore të funksionimit të marrëdhënieve mes OSHEE-së dhe konsumatorit dhe kanë nënshkruar aktmarrëveshjet me OSHEE-në, duke paguar borxhin dhe përfituar uljen e kamatëvonesës 80 %, ose duke riskeduluar borxhin.

Sot është dita edhe për të dhënë një pamje të plotë, jo vetëm të asaj që është, por dhe asaj që do të jetë situata, falë kësaj përgjigjeje masive dhe vullnetmirë të qindra e mijëra qytetarëve të këtij vendi.

Në vitin 2012, Bashkimi Europian miratoi programin për rritjen e eficencës energjetike. Me gjithë nivelin relativisht shumë të ulët të humbjeve në rrjet në Europë, – mbani parasysh që humbjet në rrejt në Evropë kanë një kosto financiare 10 milionë euro në vit, – modernizimi i rrjeteve të energjisë ka qenë dhe është çdo vit e më shumë, një prioritet serioz në axhendën e përpjekjeve të shteteve europiane, të agjencive qeveritare të industrisë së energjisë, por edhe të sferave kërkimore dhe shkencore.

Merreni me mend tani, Shqipërinë tonë, ku me plot të drejtë, bashkë me numrin që rritet në mënyrë eksponenciale të atyre që i bashkohen kornizës së ligjshmërisë, rritet edhe pakënaqësia legjitime për cilësinë ende shumë të ulët të shërbimit. Pse duhet ta imagjinojmë të gjithë së bashku, sot, Shqipërinë, në raport me atë që thashë më parë, përpjekja e vendeve shumë të zhvilluara të vendeve të BE-së për të rritur eficencën energjetike? Sepse në Shqipëri, pjesa dërrmuese e infrastrukturës prodhuese, transmetuese dhe shpërndarëse të energjisë elektrike është ndërtuar në vitet ‘70-’80-të dhe faktikisht afro 90% e kësaj infrastrukture është 35-40 vjeçare. Normal që kjo infrastrukturë nuk arrin dot të përballojë nevojat shumë të rritura për konsum energjie në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe normal që jo vetëm në borën më të parë, në përmbytjen më të parë, në furtunën më të parë, kemi probleme të rënda si ato që hasëm edhe në prag të Vitit të Ri. Edhe në kohë normale kemi probleme jo të vogla, serioze, për ata që i vuajnë, të cilësisë së shërbimit, të luhatjeve të tensionit e kështu me radhë.

Qytetarët kanë të drejtë dhe është një e drejtë që sot, me të drejtë e kërkojnë tek ne. Por edhe ne kemi sot, të drejtën t’ju themi që çka nuk është menduar, nuk është viziionuar dhe planifikuar, e lëre pastaj realizuar në çerek shekulli, nuk mund të zgjidhet me magji, brenda në më pak se dy vjetësh. E megjithatë, kjo nuk mjafton. Unë jam i vetëdijshëm për këtë. Prandaj sot është dita për t’i falënderuar jo vetëm të gjithë konsumatorët që rregullisht e kanë paguar energjinë elektrike, por edhe ata që i janë bashkuar kësaj përpjekjeje, duke i dhënë fund marrëdhënies abuzive me kompaninë dhe duke nënshkruar vetëm në periudhën dhjetor-janar, 137 727 aktmarrëveshje, pra, afërsisht 138 mijë konsumatorë që deri në dhjetor i rrinin në kurriz kompanisë. Për t’i falënderuar për çfarë, që po respektojnë ligjin?! Jo, për t’i falënderuar që po investojnë. Sepse nëse të gjithë paguajmë energjinë elektrike, nëse të gjithë e respektojmë këtë marrëdhënie ligjore, nuk paguajmë taksa, por kontribuojmë për të marrë një shërbim dhe për të mundësuar investime të reja në funksion të përmirësimit të shërbimit.

Faktikisht, sot jemi në kushte kur qeveria ka marrë përsipër edhe në këtë sektor, një reformë rrënjësore, transformuese të sektorit, të vonuar për vite të tëra. Një reformë të shtyrë vit pas viti, si të gjitha reformat e mëdha që ne po bëjmë, për t’ua lënë topin atij që vjen mbrapa dhe për të blerë kohën në pushtet, duke i shkelur syrin shkelësve të ligjit të të gjitha natyrave, me shpresën për t’ju marrë ndonjë votë. Një reformë që praktikisht ka një objektiv 5 vjeçar, për ta kthyer energjinë nga një hall kaq i madh për Shqipërinë dhe shqiptarët, në një burim fitimi dhe mirëqenie për Shqipërinë dhe shqiptarët, duke bërë që energjia të jetë një nga burimet më të mëdha reale të rritjes sonë ekonomike.

E faktikisht, reforma jonë për të liberalizuar në mënyrë radikale tregun e energjisë, për të çliruar me instrumentet e duhura konkurrencën në treg, për t’i dhënë mundësi diversifikimit të tregut, do të ketë sukses, sepse masat në kuadrin e kësaj reforme, se nuk ka reformë pa masa dhe masat pa reforma janë të pavolitshme, na sigurojnë për këtë sukses.

Sigurisht është një operacion jashtëzakonisht i rëndë në një organizëm të kapur në të gjithë shtrirjen e vet nga një kancer gërryes, që na çoi deri në pikën që kërcënoheshim jo nga një kolaps energjetik vetëm, por nga një kolaps financiar për shkak të kësaj grope kaq të madhe borxhesh, detyrimesh të prapambetura dhe zullumesh nga më të hatashmet.

Sot kemi disa të dhëna në dorë, që janë fryt i një vizioni kurajoz, i një planifikimi agresiv, i një ligjzbatimi të hekurt, por edhe i një rritjeje të ndjeshme të vetëdijes qytetare se kështu nuk mund të vazhdohet më. E falë rritjes së kësaj vetëdijeje, unë besoj jo vetëm nën trysnin e masave, por edhe nën trysninë e fakteve të pakundërshtueshme se nuk ka rrugë tjetër, kemi mundësinë të shikojmë se vetëm në janar të këtij viti, humbjet janë 10.3 % më pak sesa në janarin e një viti më parë dhe 14 % më pak sesa në janarin e vitit 2013. Në tingëllim është pak, por është kolosale si ulje, po të kemi parasysh se humbjet tona nuk janë humbje që vijnë nga vjedhjet, por janë humbje që vijnë nga një sistem i degraduar shpërndarjeje, për të cilin ju këtu dhe të gjithë ata që e njohin fare pak sistemin, janë të vetëdijshëm. Por nuk ka nevojë ta njohësh sistemin, mjafton të shikosh rreth e rrotull, ato shtyllat e drurit të kohës së Enverit, që mezi mbahen në këmbë dhe vazhdojnë të jenë në afro 90%, garantët e sigurisë energjetike të familjeve.

Nga ana tjetër, arkëtimet në janar janë 57% më shumë sesa arkëtimet për 2014-n dhe 128% sesa arkëtimet e 2013-s. Ndërkohë që lidhjet e reja në janar janë afro 5 mijë, pra, rreth 80% më shumë se lidhjet e reja në 2014-n, se me 2013-n, tek lidhjet e reja nuk ia vlen fare të krahasohemi.

Atëherë, çfarë ka sjellë ulja e humbjeve si rezultat i këtij kontributi? Ka sjellë 21 milionë euro më pak import, që do të thotë 21 milionë euro më shumë për të investuar në rritjen e cilësisë së shërbimit dhe për të shkuar në rrugën që na e imponon koha, që na e imponon konsumatori dhe që na e imponon detyrimi ynë për të modernizuar sistemin, duke bërë Shqipërinë moderne, shtetin modern që u shërben qytetarëve me dinjitet dhe jo vetëm u rri në kokë, për t’u thënë kontribuo, kontribuo, kontribuo në këtë sektor strategjik. Janë 15 milionë nga këto 21, që vijnë drejtpërdrejtë nga ulja e humbjeve dhe pastaj, pjesa tjetër nga ulja e çmimit, për shkak të blerjes me çmim më të lirë.

Janari u mbyll me 62 milionë dollarë kontribut dhe humbjet u zbritën në nivelin e parashikuar sipas planit. Vetëm në janar u lidhën 72 mijë aktmarrëveshje, nga të cilat 43 592 konsumatorë paguan të gjithë borxhin, menjëherë dhe përfituan nga ulja e kamatëvonesës me 80%. Por u përfshinë në sistem, në aktmarrëveshje, edhe afro 5 mijë familje në ndihmë ekonomie.

Nga fillimi i këtij operacioni dhe nga futja në punë e OSHEE-së për të realizuar ofertën që skadon në 28 shkurt – askush nuk duhet ta marrë si një nga shumë datat me të cilat jemi mësuar të jetojmë si afate që shtyhen, sepse në 28 shkurt është afati përfundimtar për të përfituar uljen 80% të kamatëvonesës, duke paguar menjëherë borxhin, apo për të përfituar një aktmarrëveshje dhe për ta shtrirë në kohë, – nuk do të ketë mbrapa asnjë tolerancë, për askënd që do të kërkojë shërbim nga kompania dhe që do të jetë në pozitë borxhi, apo në pozitë të pamundur me kompaninë dhe do të jetë i detyruar t’i paguajë të gjitha, qindarkë më qindarkë, për të marrë energji. Prandaj përfitoj nga rasti t’i bëj thirrje të gjithë atyre që e kanë lënë për ditën e fundit, që të mos ta bëjnë siç ndodhi me vetëdeklarimet e legalizimeve, të shkojnë pranë sporteleve, të bëjnë aktmarrëveshjen, të përfitojnë uljen e kamatës 80%.

Këtu është me vend të bëhet një sqarim. Nga tetori i vitit 2008 deri në prill të vitit 2011 janë goditur 53 900 konsumatorë me fatura abuzive, të cilësuara nga ERE si dëm ekonomik i drejtpërdrejt dhe si fatura të paligjshme. Ne nuk i kemi falur, por i kemi anuluar, sepse nuk ishin detyrime të konsumatorëve, por ishin produkt i asaj politike keqbërëse, arbitrare, të dhunshme ndaj konsumatorëve dhe jemi bazuar tek vendimi ligjor i ERE-s, që nuk u zbatua kurrë nga ata që, fatkeqësisht, sot kërkojnë llogari nga ne për plagët që i kanë hapur këtij vendi e këtij populli, nga të katër anët dhe na tregojnë me gisht plagët që kanë hapur ata, duke kërkuar llogari nga ne.

Askush të mos mendojë, askush të mos ëndërrojë, askush të mos presë që ne do falim borxhe dhe detyrime të ligjshme të kompanisë, sepse kjo nuk është çështje politike. Kjo është çështje jetike e kompanisë më të madhe shqiptare, që 20 e kusur vite nuk është trajtuar asnjëherë si kompani, por është trajtuar si një copë lopë dhe jo si lopa jote, por si lopa e humbur rrugëve, që gjithë fshati ka rendur ta mjelë e ta rrjepë dhe t’i shkulë edhe veshët. Ndërkohë që kjo është kompani dhe është kompania më e madhe shqiptare. Më thoni, a ka ndonjë kompani në treg që mund të shkosh e ta trajtosh siç është trajtuar kjo kompani? Apo pse kjo konsiderohet publike dhe është publike sot dhe të tjerat janë private. Po pse, çfarë ndryshimi ka?! Se e kemi bërë këtë lopë, një kadavër, por ia kemi bërë vetes.

Prandaj kompania ka detyrimin sot, të mësojë të sillet e të zhvillohet si kompani, pa parë askënd në sy, por duke ju kërkuar të gjithëve detyrimet dhe duke mos neglizhuar asnjë bilanc që është bilanci i kompanisë. Kjo nuk është OSHEE-ja, furgoni elektoral i partisë që fiton zgjedhjet, për ta ngarkuar me njerëz të paaftë e për më tepër, edhe me njerëz që ka në dorë, siç i thonë në gjuhën tonë dhe për t’i shëtitur këta njerëz derë më derë, që të bëjnë pazaret e ulëta të fshehjes së detyrimeve apo më keq akoma, që t’ju marrin paratë pensionistëve, t’ju marrin paratë personave me aftësi të kufizuar, t’ju marrin paratë familjarëve të ndershëm e të rregullt të këtij vendi dhe t’u shkelin syrin biznesmenëve që për biznese të mëdha kanë paguar vite të tëra, më pak se një furrë buke. Kjo kompani duhet dhe do të kthehet në një kompani lider në tregun shqiptar, për nga të gjitha aspektet.

edi rama kryeministerSigurisht që në këtë moment, ne jemi të detyruar që t’i shikojmë me shumë dhimbje dhe me shumë respekt, njerëzit që janë prekur nga përmbytjet. E për këtë arsye i kemi kërkuar kompanisë që të konsiderojë një qasje alternative ndaj tyre. Me të përmbytur, ne nuk kemi parasysh ata që janë përmbytur ditët e fundit në jug, por edhe ata që janë përmbytur vitet e shkuara në veri. Sepse edhe ata nuk janë të përmbyturit e një partie, por janë të përmbyturit e këtij shteti. E këtij shteti që po bëhet shtet dhe pikërisht pse po bëhet shtet, nuk i ndan të përmbyturit në tanët dhe në të atyret. Kështu që, paralelisht me të gjithë të prekurit nga përmbytjet në zonat e jugut, do të trajtohen njësoj, cilado që të jetë zgjidhja që do të japë OSHEE-ja, edhe të përmbyturit në Anën e Malit, edhe të përmbyturit në Bashkinë Shkodër, edhe të përmbyturit në Bërdicë, në Bushat, në Dajç, në Gruemirë, në Kastrat, në Koplik Qendër, në Malësinë e Madhe, në Rrethina, në Velipojë. Të gjithë këta, të përmbyturit ama, jo të gjithë konsumatorët, por të përmbyturit që rezultojnë nga inventarët e mëparshëm si të tillë, do të trajtohen njësoj siç ne po i trajtojmë njësoj edhe në raport me dëmshpërblimet.

Nga ana tjetër, ndihma ekonomike, sigurisht që është një kontribut i të gjithë taksapaguesve, përmes shtetit, për ata që janë në nevojë për ndihmë ekonomike. Por nuk është e pranueshme që një familje në ndihmë ekonomike të mos paguajë energjinë që konsumon dhe nuk do të tolerohet një gjë e tillë, edhe pse, për hir të së vërtetës, kontributorët më të rregullt të sektorit, përmes OSHEE-s, janë pensionistët, janë personat me aftësi të kufizuar, janë familjet në ndihmë ekonomike. Por midis këtyre të fundit ka familje që nuk paguajnë energjinë elektrike. Nuk do ta marrin ndihmën ekonomike, në qoftë se nuk do të paguajnë energjinë elektrike. Për më tepër, kur qeveria u ka vënë në dispozicion paratë edhe atyre, edhe pensionistëve kryefamiljarë, edhe personave me aftësi të kufizuar, që të mos ndjejnë heqjen e fashës 300 kilovat, por të paguajnë siç kanë paguar rregullisht më përpara.

Të vijmë tek pjesa tjetër. Pikërisht, pse ne po bëjmë një reformë themelore, por jo vetëm në energji, po në një zinxhir reformash themelore, kemi arritur të marrim nga Banka Botërore një financim, 150 milionë euro për rilindjen e Shqipërisë në energji. 150 milionë dollarë, që kanë qenë aty edhe më parë. Kanë qenë gati për t’u marrë nga qeveria paraardhëse, por të kushtëzuara me reformat; Reforma e pensioneve, reforma e tregut energjetik dhe një sërë reformash të tjera në zinxhirin e reformave modernizuese, që ju mohuan shqiptarëve për 20 vjet dhe që tani, disave ju duken si të tepërta, si shumë, si të gjitha menjëherë. Por në fakt janë të gjitha pjesë e një operacioni që duhet bërë, sepse është njësoj si një i sëmurë me kancer të shtyjë përballjen me armikun që ka brenda trupit të vet, duke e lënë armikun të rritet, të zhvillohet dhe ta dominojë plotësisht trupin, deri në pikën që nuk operohet dot më.

Logjika që pse po bëhen të gjitha, pse po bëhen menjëherë, pse po shkojnë kaq thellë, është një logjikë dritëshkurtër. Ashtu siç është dritëshkurtër logjika që këto reforma po pengojnë entuziazmin dhe zhvillimin ekonomik dhe po thellojnë varfërinë. E kundërta është e vërtetë! Këto janë reforma kundër varfërisë, janë reforma që zgjidhin një problem të kahershëm dhe të trashëguar. 25 vjet e kemi trajtuar varfërinë me lëmosha, në formë faljesh, amnistirash apo lejimi, legalizimi i të gjithë llojeve të abuzimeve. Dhe, ja ku janë! Aty janë, nuk kanë dalë nga cikli. Këto reforma i nxjerrin nga cikli dhe të gjithë masat e marra që nga reforma tarifore, tek amendimi i Kodit Penal, tek shlyerja e më shumë se e gjysmës të borxheve të akumuluara nga prodhuesit e vegjël. Brenda prillit 2015 likuidohet gjithë borxhi ndaj prodhuesve të vegjël. Por e dini se çfarë është borxhi ndaj prodhuesve të vegjël? Është borxhi ynë, është borxhi juaj, i yni si qeveri, i juaji si pjesë e kompanisë dhe është borxhi i konsumatorëve, nuk është borxhi i disa privatëve që rrinë atje. Sigurisht, shtyrja e atyre borxheve, siç na i la qeveria e kaluar, është vetëm shtyrje e përballjes me një kancer që rritet, ndërkohë që t’i i shmangesh përballjes, rritet, ndërkohë që t’i i thua nuk po operohem sot, por po shkoj tek parukeri, nuk po operohem sot, por po bëj makijazh, nuk po operohem sot, por po bëj pak gjimnastikë, po hap dritaren dhe po marr frymë thellë. Këto janë të gjitha shtyrje me kosto.

E faktikisht, kompania për këtë vit do të investojë edhe me të ardhurat e veta, së bashku me Bankën Botërore, 97 milionë dollarë. Historike kjo për një kompani që vetëm në janar 2013 deri në gusht 2013 jo vetëm që nuk investoi, por e rriti borxhin 200 milionë dollarë, që do të thotë, inkurajoi hajdutërinë me një bonus 200 milionë dollarë.

Këto para do të shkojnë aty ku ankohen konsumatorët. Konsumatorët ankohen se nuk kanë matës. 155 mijë matës do të vihen në dispozicion të konsumatorëve. Konsumatorët ankohen se energjia vej e vjen. Atëherë, 15 nënstacione do të fuqizohen dhe rindërtohen nga e para, do të rindërtohen linjat e transmetimit të fiderave të kabinave ekzistuese në një numër të konsiderueshëm zonash kritike dhe do të ndërtohen linja të reja të rrjetit transmetues e shpërndarës. Pse ndodh kjo? Kjo ndodh sepse sistemi ka filluar të marrë frymë. Dhe pse sistemi ka filluar të marrë frymë? Sepse të gjithë po i japin me kontributet e tyre, frymë sistemit dhe sistemi, duke filluar të marrë frymë dhe duke filluar të çlirohet nga gjithë kjo mbingarkesë mbytëse borxhesh, fillon të rikuperohet, të rigjenerohet dhe të vihet në gatishmëri të atyre që e përdorin sistemin.

Duam një shërbim ndaj klientit të standardeve europiane. Sigurisht jemi të vetëdijshëm, kujdesi ndaj klientit është mizerabël. Fjalë për ta përcaktuar, pa ju shmangur përballjes me realitetin. Por është mizerabël për më shumë se një arsye dhe siç e kam përsëritur pa fund dhe siç besoj po më jep të drejtë koha, nuk është çështje hiq Lekën, vër Prengën, sepse si Leka, si Prenga sillen ndryshe në sisteme të ndryshme. Nëse një sistem është i kalbur, i dorëzuar, i korruptuar, edhe leka, edhe Prenga janë pjesë e tij, nuk i ikin dot. Por, nga ana tjetër, duke modernizuar sistemin, duhet të trajnojmë dhe të vetëdijësojmë Lekën dhe Prengën që të ngrihen në nivelin e sistemit në shërbimin ndaj klientit.

Unë jam shumë mbështetës i projektit të drejtorit të ri të kompanisë, për thirrjen e hapur, të cilës i janë përgjigjur disa qindra inxhinierë dhe teknikë që rrinë rrugëve, pa punë dhe për testimin që do të bëhet ditën e ardhshme, për të rekrutuar forca të reja teknike, inxhinierë dhe zanatçinj, në një punë që nuk bëhet ndryshe dhe nuk mund të bëhet nga njerëz që nuk kanë lidhje me këtë zanat. E të tillë ka ende jo pak në kompani. Kjo është kompani, nuk është rifugio peccatorum, nuk është as strehë bamirësie, nuk është as muzeu i luftës për çlirim, ku hyhet me plagët dhe me dëshmitë e luftës. Kjo është kompani dhe kompania ka nevojë për burime njerëzore, profesionalisht të afta dhe moralisht të gatshme për të përballuar sfidën. Kështu shpresoj që ata qindra inxhinierë e zanatçinj që kanë aplikuar, të bëhen një orë e më parë, përmes testimit, pjesë e kësaj kompanie dhe kush nuk është i këtij zanati, ta lërë kompaninë. Nuk mundet dot t’ju rrimë në qafë njerëzve, me njerëz që nuk kanë lidhje me këtë profesion, sepse nuk janë zgjedhës, janë konsumatorë, nuk janë miq e shokë, janë konsumatorë, nuk janë as armiq dhe kundërshtarë, janë konsumatorë dhe janë të gjithë në të drejtën e tyre të Zotit e të ligjit dhe të zakonit, paguajnë për shërbimin, duhet të marrin shërbimin. Kushdo qofshin.

Nga ana tjetër, për shërbimin ndaj klientit, OSHEE ka përgatitur një proces intensiv, afatshkurtër, afatmesëm, afatgjatë, për trajnimin e të gjithë atyre që janë në sportel dhe të gjithë atyre që përballen me klientin. Askush nuk e ka mandatin që të sillet me klientin sikur klienti j’u ka vajtur në shtëpi. Nuk j’u ka ardhur në shtëpi klienti. J’u ka ardhur aty ku ju keni detyrën t’i shërbeni me korrektesë, me seriozitet dhe me përkushtim.

Këto sigurisht nuk bëhen me fjalë dhe unë nuk dua të bëj më shumë moral për këtë, por dua të shtoj se ka një rëndësi themelore, ajo që tha Ministri i Brendshëm: Qytetarët duhet të bëhen bashkë me ne, me Qeverinë, me agjencitë ligjzbatuese, me kompaninë, jo vetëm për të qenë në rregull me detyrimet e ligjit, por edhe për të luftuar të gjithë sëbashku, të gjithë ata që nuk janë në lartësinë e detyrës. Faktet flasin vetë. Qytetarë që filmojnë me celularët e tyre policë të dehur apo zyrtarë të papërgjegjshëm dhe që këto filmime i bëjnë publike, apo i çojnë drejt nesh, fitojnë. Çfarë fitojnë? Fitojnë atë që kërkojnë, largimin e menjëhershëm nga detyra të këtyre lloj policëve, zyrtarëve dhe shërbëtorëve të shtetit në letër, por që de facto janë shushunja që pinë gjakun e shtetit, sepse pinë gjakun e qytetarëve.

Ky është momenti për të përsëritur për të gjithë qytetarët: Celulari që keni në dorë është një armë në luftën me çdo shfaqe abuzivizmi ndaj jush. Përdoreni dhe ne jemi në krahun tuaj. Ashtu sikundër, portali antikorrupsion është një platformë që është e qytetarëve. Vetëm në më pak se një javë që ka hyrë në funksion janë disa dhjetëra kolektiva shkollash që kanë fituar. Kanë fituar, sepse kanë denoncuar. Kolektiva shkollash, mësues apo prindër kanë denoncuar drejtues ordinerë, njerëz që ju rrinin në kurriz dhe nuk i linin të merrnin frymë, abuzues. Kanë arritur të largojnë drejtues, nëndrejtues apo mësues, të cilët nuk janë në lartësinë e detyrës. Kështu fitohet. Reagimi që ç’të denoncojmë, ne s’jemi spiunë, nuk ka lidhje. Kjo ka lidhje: Je përballë në hipotekë me dikë që të mohon të drejtën tënde, je përballë në rrugë me një polic të dehur, je përballë në një zyrë me dikë që të refuzon një shkresë, mbrohu! Nuk mund të mbrohesh duke kërkuar një mik. Nuk ka nevojë. Nuk mund të mbrohesh duke çuar një sms tek të njohurit. Nuk ka nevojë. Mbrohu! Çoje denoncimin tënd për këtë njeri që të ka dalë përballë drejt e tek ne dhe na vër në provë. Ne jemi me ty, nuk jemi me atë. Sepse ne, këtu jemi nga ty, jo nga ai.

Për t’u kthyer tek shifra që solli Ministri i Brendshëm, është propaganduar në mënyrë cinike, hileqare, tërësisht të pavërtetë që “lufta me hajdutërinë në sistemin energjetik është një luftë me të pamundurit dhe me të varfrit, që na paska çuar në burg 30 e ca mijë njerëz”. Shifra ju e kuptoni vetë se nga ç’burim vjen, nga një burim mos o Zot, ku dalin shifra!

Po e vërteta kush është? Afro 90% e të ndaluarve nga policia dhe e të gjykuarve nga gjykata për vjedhjen e energjisë elektrike janë biznesmenë, pra, aspak të varfër, qofshin dhe biznesmenë të vegjël, por nuk janë të varfër. Janë më shumë se 50 punonjës të kësaj kompanie, janë edhe punonjës policie. Ata janë ndaluar në afro 90%. Pjesa tjetër janë konsumatorë familjarë, por ligji është i barabartë për të gjithë. Nuk ka në ligj, të shkruar asnjë klauzolë që ti ligjin e zbaton në varësi të mundësive të tua, për më tepër, për një mall që “merre, ose mos e merr”. Është mall jetik, por jetik është edhe buka. Unë nuk kam dëgjuar, ju nuk keni dëgjuar dhe nuk kemi ku e dëgjojmë që njerëzit të shkojnë në furrën e bukës dhe të thonë “bukën po e marr, por lekët nuk t’i jap, madje, as nuk t’i kam, sepse unë s’kam”. Kjo nuk ndodh.

konferenca rimekembja energjitike rama tahiri ahmetaj bejtjaSë fundi kemi edhe dy, tre aspekte. U ndeshëm me një fenomen skandaloz, punonjës poste që u vidhnin njerëzve, sidomos në zonat rurale, paratë e energjisë. Sikur njerëzit të kishin heshtur, nuk do të kishin fituar. Njerëzit nuk heshtën dhe ata që nuk heshtën, fituan. Ata që kanë heshtur, kanë humbur. Ata që nuk heshtën, arritën e para, të çojnë prapa hekurave vjedhësit e parave të tyre; e dyta, të mos paguajnë detyrimet që i kishin paguar; e treta, të na japin neve sinjalin e fortë që, edhe njëherë tjetër, nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, por është sistemi që korrupton njerëzit. Me një sistem të tillë, me punonjës poste të shpërndarë në të katër anët është e pamundur të besosh se duke arrestuar disa që denoncohen, të gjithë të tjerët do të sillet ashtu siç duhet. Por përsëri vijmë tek Leka dhe tek Prenga. T’i zëvendësosh prapë, “hoqe Lekën, vure Prengën”, prite kur ta bëjë rrengun Prenga, njësoj si Leka.

Atëherë, këtë muaj hyn në fuqi, një sistem tërësisht i ri pagese, i diversifikuar, nuk është më monopol i postës dhe qytetarët mund të paguajnë në shumë drejtime. Qytetarët mund të paguajnë energjinë, nëpërmjet telefonit celular, pa asnjë problem. Ju del aty fatura e detyrimeve dhe ata, me një klik i kanë shlyer detyrimet. Qytetarët mund të paguajnë nëpërmjet disa agjencish, që nga Wester Union tek Money Gramm, tek Easy Pay e me radhë. Qytetarët do të mund të paguajnë edhe nëpërmjet Vodafone, Eagle, AMC e me radhë, sapo edhe ata të hyjnë në operativitet. Qytetarët mund të paguajnë edhe nëpërmjet internetit, në portalin tonë qeveritar e-albania, në portalin e shërbimeve që është një portal që do të hyjë në funksion me shumë shërbime, brenda këtij muaji. Pra, nuk do të ketë nevojë as për të shkuar në radhë, as për të pritur radhën, as për t’u përballuar me sportelistë që nganjëherë nuk dinë ç’kërkojnë. Ashtu sikundër do të ngrihen sportele të posaçme, për t’u informuar për energjinë dhe për të paguar energjinë, edhe në qendra të ndryshme tregtare ku qytetarët shkojnë për të bërë blerje të natyrave nga më të ndryshme dhe me atë rast paguajnë edhe energjinë. Pra, e gjitha do të jetë e liberalizuar dhe pa kosto tek qytetarët. Kjo është më e rëndësishmja, por edhe me një përqindje më të ulët të kostos së OSHEE, sesa ajo që kishte me postën që kishte ekskluzivitetin.

Kështu, qytetarët në të gjithë Shqipërinë do të mund të shpëtojnë përfundimisht nga makthi se ai i postës, Zylfiu që vjen nga Vlora e ngjitet deri atje lart, mbledh lekët dhe ikën në Greqi. E pastaj, ty të vjen OSHEE dhe të thotë nuk i ke paguar borxhet. Ky është shpëtimi. Dhe patjetër që përmes këtij procesi, ne i japim besueshmëri kësaj marrëdhënieje, ne i japim efikasitet këtij shërbimi dhe ne shtojmë fuqinë e kompanisë, për të vazhduar të investojë në funksion të kurimit të plagëve çerekshekullore. Po marr çerekshekullore, se nuk është se ai regjimi tjetër na la në një sistem energjetik, elektrifikim ishte ai, por nuk i përballonte dot ai sistem dhe s’kishte si t’i përballonte të gjitha këto kërkesa për konsum, që solli demokracia.

Unë e thashë përpara ca kohësh që hapi kritik, në kuptimin e mirë të fjalës, për t’u ndarë nga kjo batërdi, nga kjo lukuni, nga ky tmerr, për shumë konsumatorë është ende i tillë, që nuk matet energjia si duhet, konsumon më shumë, të matin më pak. Ajo që provon eksperimenti i bërë në bashkëpunim me konsulencën amerikane në dy fidera është që shumë nga konsumatorët që paguanin një aforfe, konsumonin më shumë se sa aforfeja. Në këtë rast humbiste kompania, por në raste të tjera humbet konsumatori, sepse konsumon më pak dhe i vjen fatura më shumë.

Ne na duhet të transformojmë sistemin e matësve dhe do të hyjnë me matësin inteligjent. Me matës që matin çdo gjë dhe jo vetëm që matin çdo gjë, por që kanë kapacitetin të lajmërojnë kudo ku energjia po konsumohet dhe nuk po faturohet, kanë kapacitetin inteligjent të lëvizin flukset energjisë sipas nevojës, natën, ditën ose sipas zonave, në kohë të caktuar. Por nuk do të hymë në këtë proces symbyllur dhe nuk do të hymë në këtë proces, siç hynë miqtë tanë, që sot janë të përmbytur në opozitë, me kasat, se edhe për këtë u ngritën me të madhe “qytetarë prisni tani një batërdi tjetër në xhepat tuaja”. Jo në asnjë mënyrë. Ata i bënë biznesit një dhuratë, nga e cila biznesi nuk shpëton dot as sot. Do të shpëtojë vetëm kur të mbarojnë kontrata e këtyre. 400 mijë lekë për të blerë kasën fiskale dhe nga 100 mijë lekë çdo vit, për mirëmbajtje. Dhe prit nga biznesi që të jetë korrekt e të mos bëjë numra me faturat dhe kuponin tatimor. Një krim ekonomik në dëm të biznesit. Ne nuk do të faturojmë koston e matësve tek konsumatori. Si do ta bëjmë këtë, do të shpjegohet qartë kur të jetë mbaruar ky proces. Por gjëja optimiste dhe lajmi i mirë është që një nga grupet më të mëdha botërore, Deutsche Telekom, nëpërmjet grupit të vet TI-systems na ka bërë një ofertë për të ndërtua një bashkëpunim, duke filluar me një projekt pilot, që do të jetë projekti që do të na japë mundësinë të kuptojmë efektshmërinë e matësve në disa zona të ndryshme, që janë përcaktuar nga kompania, Alliasi, Bathorja, autostrada, tregu, tek Rruga 5 maji , pra, janë zona me natyra të ndryshme dhe njëkohësisht duke na dhënë të gjithë elementët se si do të futemi në një proces të hapur, me çfarë termash e me radhë.

Objektivi ynë është që në këtë vizion transformimi të pesë viteve, ne t’i japim çdo shqiptari, mundësinë që shërbimin ta ketë absolutisht serioz dhe korrekt dhe që të paguajë jo mijëra lekë më shumë se ç’konsumon, por qindarkë për qindarkë aq sa konsumon. Që do të thotë rritje e jashtëzakonshme e eficencës në shfrytëzimin e këtij burimi, ulje e jashtëzakonshme e humbjeve, racionalizim i energjisë për çdo familje, racionalizim i burimeve për OSHEE dhe më në fund, çlirim i dytë i Shqipërisë nga ky makth i madh, që na ka shkaktuar injoranca në raportin me këtë pasuri kolosale. Një pasuri që duhet të ishte një nga burimet kryesore të rritjes ekonomike të Shqipërisë dhe jo vetëm që nuk u bë burim i rritjes, por u bë burimi i gjithë këtyre halleve për kaq shumë njerëz, për kaq shumë familje, për kaq shumë biznese, për kaq shumë qeveri dhe për kaq shumë punonjës të OSHEE, që përfundojnë pastaj, edhe aty ku nuk e kishin parashikuar, për shkak se fusin duart në sistem.

Miqtë e mi, kjo ishte ajo që kisha për të thënë sot, duke e falënderuar nga zemra drejtorin, menaxhimin e ri të OSHEE, Ministrin e Energjisë për lidershipin e vendosur në drejtim të një reforme kaq jetike dhe kaq radikale, Ministrin e Ekonomisë dhe Ministrin e Brendshëm për kontributin e jashtëzakonshëm në një proces pa të cilin të ashtuquajturat reforma do të kishin mbetur të ashtuquajtura, sepse do të mbeteshin vetëm në letër. Le ta mbyllim me shprehjen e një shkrimtari të famshëm pakistanez , i cili thotë: “Të jesh i modernizuar nuk do të thotë që të kesh shumë pasuri, apo që të kesh një status të veçantë, por do të thotë që të jesh i pasur në mençuri.” Sa më të pasur të jemi në mençuri, aq më shumë do të kemi pasuri në një vend, të cilit nuk i ka munguar asgjë, përveç mençurisë për të qenë vendi ku çdokush jeton i qetë dhe me familjen, me fëmijët, siguron të ardhmen e tij.

Faleminderit!

**************************************

Qytetarët shqiptarë kanë vendosur tashmë, një mënyrë të re bashkëjetese me sistemin elektroenergjitik në vend.“Rimëkëmbja energjetike” ishte takimi i radhës organizuar nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, në kuadër të rezultateve të muajit janar dhe të planeve për investimet e vitit 2015. Në zbatim të skemave lehtësuese, të iniciuara nga qeveria, kompania e shpërndarjes ka rritur të ardhurat dhe ka përmirësuar shërbimin.

Administratori i OSHEE Adrian Çela u shpreh se këto skema që ju kanë ardhur në ndihmë familjeve shqiptare kanë faktuar rezultatet e tyre pozitive. Administratori Çela bëri të ditur se data 4 dhjetor kur ka nisur të zbatohet skema lehtësuese e deri më 31 janar janë lidhur rreth 138 mijë aktmarrëveshje mes kompanisë dhe konsumatorëve familjarë, duke bërë që të rriten ndjeshëm shifrat e arkëtimeve.

Ministri i Zhvillimit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj u shpreh se suksesi në zbatimin e saj lidhet ngushtë me ndërgjegjësimin e qytetarëve se “koha kur mund të nxirreshin fitime, duke mos paguar konsumin e energjisë elektrike, tashmë ka përfunduar”.

Duke theksuar angazhimin e qeverisë për një platforme të re në komunikimin e qytetarëve me institucionet shtetërore, për te luftuar bashkërisht paligjshmërinë, Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri siguroi se MPB dhe Policia e Shtetit është në mbështetje të plotë të të gjitha instancave që po merren me eliminimin e vjedhjes së energjisë elektrike.

energjia.al  11.02.2015