Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shpronësime në linjën 110 kv Ersekë-Përmet

VENDIM PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I LINJËS 110 KV ERSEKË-PËRMET

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1.Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i linjës 110 kV Ersekë-Përmet, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2.Shpronësimi të bëhet në favor të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë.

3.Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në lekë, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen 2 439.74 (dy mijë e katërqind e tridhjetë e nëntë pikë shtatëdhjetë e katër) m², tokë bujqësore, pyll, arë, kullotë, vlerësuar në shumën prej 356 295.20 (treqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e dyqind e nëntëdhjetë e pesë pikë njëzet) lekësh.

4.Fondi prej 356 295.20 (treqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e dyqind e nëntëdhjetë e pesë pikë njëzet) lekësh të përballohet nga fondet e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), sh.a.

5.Vlera e shpenzimeve procedurale të shpronësimit të përballohet nga OST, sh.a.-ja, si subjekti që garanton shpenzimet procedurale të këtij shpronësimi.

6.Shpronësimi të fillojë brenda muajit janar 2015.

7.Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Ersekë, Përmet, Korçë dhe Gjirokastër të marrin masat për pezullimin e të gjitha transaksioneve mbi këto pasuri, deri në përfundim të procesit të kalimit të pronësisë të pasurive të shpronësuara në favor të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë.

8.Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë, OST, sh.a.-ja, dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare” .

KRYEMINISTRI EDI RAMA

energjia.al 15.01.2015