Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Projekti i energjisë ka nevojë për rimëkëmbje pas situatës me Covid-19, po vlerësohen skenarët

Banka Botërore bëri me dije se projekti për rimëkëmbjen e sektorit të energjisë që po zbatohet qysh nga viti 2015 në Shqipëri nuk i ka shpëtuar efektit të koronavirusit.

Në vlerësimin e fundit të bërë nga ky institucion mbi ecurinë e projektit thuhet se ndoshta do të duhet të shihet mundësia për të amenduar apo anuluar kontratat që mund të jenë nënshkruar apo nëse ka nevojë për një zgjatje të zbatimit.

Zbatimi i projektit po lëviz relativisht siç ishte planifikuar pas ristrukturimit të projektit në nëntor 2019. Sidoqoftë, rreth mesit të marsit 2020 zbatimi i projektit nisi të kishte probleme.

“Zbatimi i projektit po ecte sipas parashikimit pas ristrukturimit që iu bë në nëntor. Por diku nga mesi i marsit zbatimi filloi të cedonte gjerësisht për shkak të pandemisë koronavirus. Për të parandaluar përhapjen e virusit, Shqipëria  urdhëroi bllokimin e përkohshëm të sektorëve kryesorë ekonomikë, kufizoi lëvizjen e njerëzve jashtë vendbanimit të tyre, si dhe mbylli kufijtë.

Kontraktorët, stafi i OSHEE, OST dhe ekipi i zbatimit të projektit u kufizuan në punën e tyre. Ndërprerja e energjisë, e nevojshme për instalimin e matësve  dhe rehabilitimin e linjave të furnizimit  ka qenë e kufizuar gjatë bllokimit pasi njerëzit qëndruan në shtëpi. Kolegët e projektit janë duke vlerësuar situatën e përgjithshme në përcaktimin e ndonjë nevoje për të ndryshuar / anuluar kontratat dhe zgjatjen e kohës për zbatim.

Ristrukturimi i parë i projektit u iniciua në nëntor 2019, duke përfshirë një zgjatje të afatit 1-vjeçar të mbylljes deri më 30 nëntor 2020, duke anuluar  edhe një fond 17.65 milion euro nga huaja fillestare si dhe u bë rishikim i kornizës së rezultateve” thuhet në dokument.

Më herët Banka Botërore rishikoi edhe objektivat e humbjeve në sektorin e energjisë të cilat sipas planit fillestar nuk u arritën dhe rol në këtë aspekt luajti edhe fakti që importet e larta të energjisë bënë që OSHEE të shpenzonte para për blerje dhe riorientonte edhe fondet e investimeve tek kjo urgjencë.

Së fundmi edhe INSTAT në bilancin e energjisë tregoi se në fakt kishim një rritje edhe të humbjeve jotektnike që do të thotë që është ajo pjesë energjie që konsumohet por nuk paguhet dhe që vjen kryesisht nga lidhjet e jashtëligjshme.

Projekti i rimëkëmbjes së sektorit të energjisë nisi në vitin 2015 me mbështetjen e një kredie prej 150 milionë dollarë nga ana e Bankës Botërore.

Monitor,  09.06.2020