Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nafta, qymyri dhe hekuri në nivelin e 2008

Rënia e çmimeve të naftës, qymyrit dhe mineraleve të hekurit është përshpejtuar ndjeshëm në muajt e fundit dhe ka prekur nivelin e kulmit të krizës financiare të viteve 2008/2009.

Sipas analistëve, kjo rënie është shkaktuar jo vetëm nga teprica e furnizimit, por edhe nga dobësia në pjesë të ndryshme të ekonomisë globale. Lëndët e para janë ndër më të ndjeshmet ndaj shëndetit të ekonomisë, me naftën dhe qymyrin që janë dy burimet kryesore të energjisë në botë dhe mineralin e hekurit që përdoret për të bërë çelikun.

Çmimet e naftës bruto janë thuajse përgjysmuar që nga Qershori i këtij viti, duke u tregtuar pranë 60 dollarëve për fuçi, niveli më i ulët që nga kriza financiare e vitit 2009. Ndërsa në tregun e hekurit, kontratat “futures” të bençmarkut europian kanë rënë poshtë 70 dollarë për ton dhe gjenden në nivelet e periudhës 2007-2009.

Edhe çmimet e metalit të hekurit kanë rënë poshtë 69 dollarëve për ton, pasi kërkesa është dobësuar të tregjet më të mëdhenj, siç është Kina. Analistët e arsyetojnë këtë zhvlerësim të çmimeve me rritjen e prodhimit, por gjithashtu edhe me efikasitetin e energjisë dhe burimeve të tjera alternative.

Në krahun e kërkesës, çmimet e naftës janë shtyrë kryesisht nga zhvillimet në ekonomitë më të mëdha, si Shtetet e Bashkuara, Kinë dhe Bashkimin Europian. Ndërkohë që rënia e çmimit të naftës është përshpejtuar gjatë këtij viti, tendenca në rënie e qymyrit dhe hekurit ka filluar që në vitin 2011.

Qymyri është i lidhur ngushtë me industrializimin e ekonomive në zhvillim, duke qënë lënda djegëse më e lirë për prodhimin e energjisë elektrike. Për këtë arsye, rënia e çmimeve arsyetohet me ngadalësimin e ekonomive në zhvillim që nga viti 2013.

Scan TV, 15.12.2014