Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Alarmohet Kosova, nivel i rrezikshëm i ndotjes së ajrit

Ndotja e ajrit po vazhdon të mbetet problem serioz për qytetarët e Kosovës, veçanërisht për ata që jetojnë në Prishtinë. Qysh në orët e para të mëngjesit, ndotja e ajrit ka shënuar shkallë të lartë. E ministri në largim i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, u ka bërë thirrje qytetarëve të vendit që t’i kushtojnë një kujdes të veçantë ruajtjes së ambientit.

 

Me përfundimin e stinës së verës dhe me fillimin e vjeshtës niveli i ndotjes së ajrit në Kosovë ka nisur të rritet. Me një problem të tillë veçanërisht po ballafaqohet qyteti i Prishtinës, ku numri i veturave qarkulluese është dukshëm më i madh, duke e krahasuar me komunat e tjera të Kosovës.

Njëri prej ndotësve kyçë të ajrit në këtë sezon mbetet edhe përdorimi i thëngjillit si lëndë djegëse. Në mungesë të një zgjidhjeje tjetër alternative qytetarët vazhdojnë ende ta përdorin atë për ngrohje. Se thëngjilli edhe më tej mbetet njëri prej shkaktarëve kryesorë sa i përket nivelit të lartë të ndotjes së ajrit pohojnë edhe drejtues të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH).

Ministri në largim i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, u ka bërë thirrje qytetarëve të vendit që t’i kushtojnë një kujdes të veçantë ruajtjes së ambientit.

Ai ka thënë se situata aktuale e pa volitshme meteorologjike e cila është duke vazhduar që një kohë të gjatë, e përcjellë me thatësi, përveç problemeve hidrologjike të përcjella me mungesa të ujit, po përcillet edhe me ndotje te ajrit si pasojë e mos qarkullimit të masave të ajrit në atmosferë, konkretisht shtresës të ulët të saj pranë sipërfaqes së tokës.

“Kjo situatë ka mundësuar koncentrim të lartë të ajrit të ndotur, shkaku i lirimit nga tymtarët e KEK-ut, përdorimi i thëngjillit si lëndë djegëse, por edhe nga zjarret e shkaktuara nëpër pyjet e Kosovës dhe nga djegia e pakontrolluar e mbeturinave nëpër lokacione të ndryshme të Kosovës, sidomos gjatë ‘pastrimit’ të kopshteve dhe arave. Apeloj te të gjithë qytetarët që të mos ndezin zjarre për ‘pastrim’ të arave, kopshteve, e të tjera”, shkruan Matoshi në llogarinë e tij personale në Facebook.

Ai gjithashtu fton qytetarët të bashkëpunojnë me organet kompetente për tejkalim të kësaj situate.

Ndërkohë ekspertë të fushës së pulmologjisë deklarojnë se ndotja e ajrit sjell pasoja të dukshme te qytetarët, veçmas te fëmijët dhe te personat që vuajnë nga sëmundjet kronike.

Ditëve të fundit janë parë shifra të larta të ndotjes së ajrit në kryeqytet, të cilat janë bërë të ditura përmes matësit të vendosur nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë. Vetëm gjatë ditës së djeshme ndotja e ajrit në Prishtinë ka kaluar nivelin prej 160 PM.

Të gjithë personat që kanë probleme me sëmundje të frymëmarrjes, fëmijët dhe të rriturit që nuk janë të prekur nga ndonjë sëmundje, këshillohet që të mos ekspozohen në natyrë kur ajri arrin këto shkallë të ndotjes.

Monitor,  29.10.2019