Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rama: Bashkëpunim rajonal në energji

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në Forumi Ekonomik të Vjenës, që njihet si një platformë për promovimin e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve të Adriatikut dhe Detit të Zi. Fillimisht kryeministri Rama u ndal te suksesi i reformave të ndërmarra nga qeveria, të cilat sollën një ndryshim të madh në raportin “Të bërit biznes”, ku Shqipëria u ngrit 40 vende më lart në renditje. Kreu i Ekzekutivit theksoi se një rajon i integruar dhe i zhvilluar, do të vijë vetëm duke bashkëpunuar për projekte në infrastrukturë dhe energjetikë.

“Falë një sërë reformash dhe një ndryshimi në qasjen e qeverisë ndaj komunitetit të biznesit, ne si Shqipëri patëm një hov të konsiderueshëm në vetëm një vit në Raportin e të Bërit Biznes: u ngjitëm 40 vende më lart. -Përtej arritjeve tona personale, rajoni ynë duhet të përfaqësojë gjithmonë e më shumë një treg shumë më të madh dhe duhet të bëjë një ndryshim të madh në qoftë se ofrojmë parashikueshmëri, qëndrueshmëri dhe të gjejmë mënyra më kreative për ta bërë rajonin më interesant. -Është gjithnjë e më e qartë se ajo që ne kemi nevojë dhe ajo që ne nuk mund të sigurojmë me mjetet tona, të ndarë nga njëri tjetri, janë projektet në shkallë rajoni; projektet e infrastrukturës, projektet e sigurimit të energjisë dhe projektet e turizmit, dhe akoma më shumë gjëra që do bëjnë investitorët të kenë akoma më shumë besim dhe do të bëjnë që rajoni të jetë shumë më tërheqës për investitorët e mëdhenj. Politikisht, deri tani ia kemi dalë, por tani duhet t’ia dalim edhe ekonomikisht dhe kjo duhet të bëhet krah për krah me Europën”, u shpreh kryeministri Rama.

Përveç kryeministrit shqiptar Edi Rama, në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe kryeministra nga rajoni, si ai Maqedonisë, Malit të Zi, si dhe Presidenti i Austrisë, Heinz Fischer. Në këtë takim kryeministri ishte i shoqëruar edhe nga ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj.

Shqiptarja.com 24.11.2014