Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Konsultohet pr/ligji i ri për energjinë

Çfarë synon ky projektligj?! Mbi të gjitha implementon direktivën evropiane dhe përcakton hapat për liberalizmin e tregut në Shqipëri. Procesi i liberalizmit është një proces i nevojshëm, sidomos për suksesin financiar të mëvonshëm të të gjithë sektorit energjetik.

Deri në vitin 2018 do të investohen 450 milionë usd në sistemin energjetik, tha sot ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri gjatë prezantimit të projektligjit të ri “Për energjinë elektrike dhe modeli i pritshëm i tregut të energjisë”. Gjiknuri njoftoi se me këto financime, synohet fuqizimi i sistemit shqiptar të energjisë dhe dalja e tij në tregun rajonal.

Sipas ministrit, liberalizimi i tregut të energjisë në 40% të tij në vitin 2018, krijon mundësi të mira për shkëmbimin e energjisë mes prodhuesve privatë dhe atij publik.

Fjala e Ministrit Gjiknuri në tryezën e organizuar me grupet e interesit ku u prezantua projektligji i ri për sektorin e energjisë elektrike:

Mirëdita të gjithëve!

Po kthehem nga mbledhja e qeverisë ku u diskutua aksioni i ditëve të fundit, i cili në fakt po ecën shumë mirë. Me kënaqësi, konstatoj se ka qenë aksion shumë i mirëpritur nga publiku shqiptar në tërësi por edhe nga ju si aktor të interesuar. Ju që përfaqësoni shoqëri private, përfaqësoni njerëz që kanë eksperiencë me energjinë, arrini ta kuptoni që themeli i çdolloj reforme që mund të paraqitet në letër mbetet se sa solid do të jetë kultura e pagesës, të ardhurat në sektor.

Dihet se ka një krizë goxha të rëndë tek investitorët private, një krizë e trashëguar të cilës ne po përpiqemi ti japim zgjidhje dhe besoj se do ti japim zgjidhje. Kjo bisedë është e hapur edhe më vonë për pyetje, në lidhje me ato gjëra që ju shqetësojnë, përveç aspektit të projektligjit i cili është i rëndësishëm. Kopjen e keni marrë, kjo është një kopje e dytë e përmirësuar me komentet e Sekretariatit. Ka akoma vend për përmirësim, prandaj kemi vendosur që të jetë një proces i gjatë konsultimesh që mund të shkojë mbi një muaj por që ka vlerën e tij.

Projektligji është në një gjendje të mirë, i gatshëm për të filluar diskutimet. Më pas do të kalojë në qeveri dhe në Kuvend, ku patjetër grupet e interesit do të kenë mundësi të shprehin opinionet e tyre. Kjo nismë përkon me reformën që kemi nisur në sektor në tërësi, por baza mbetet ligji për energjinë elektrike. Janë edhe disa ligje të reja të cilat do të kalojnë vitin tjetër, apo do të përmirësohen, siç është ligji për energjitë e rinovueshme, legjislacioni për eficencën energjetike dhe shumë akte të tjera.

Do të thotë dikush pse këto kanë mbetur? Në fakt, kjo qe gjëja më e rëndësishme, duhet ta fillonim me ligjin për sektorin e energjisë elektrike. Pa bërë këtë, pa bërë modelin e ri të tregut, ndërkohë pa marrë edhe disa masa për të stabilizuar aspektet financiare të sistemit, të gjitha ligjet mbeten në letër. Nga trashëgimia që patëm, që qe një trashëgimi tepër negative, mendoj se jemi në situatë shumë të mirë, më të mirë se sa e kishim menduar. Një situatë tashmë më e stabilizuar, me të ardhura më të mira për kompaninë. Siç po shikohet, kohët e fundit kemi një situatë më të mirë edhe për pagesën, falë masave që ka marrë shteti, por kemi edhe një koncept më të qartë për modelin e tregut, dhe për çështjet që ju interesojnë juve si prodhues privatë të energjisë.

Nga ana tjetër, ka disa zhvillime interesante, siç është rikthimi kompanisë së shpërndarjes në duart e shtetit. Kjo do të na lejojë që të bëjmë të mundur edhe reformimin e kompanisë së shpërndarjes, të bëjmë të mundur zbatimin e modelit të ri të tregut, gjë që ka qenë e pamundur për shkak të konfliktit ligjor që kemi pasur me kompaninë çeke. Konflikti e bënte ngritjen e sektorit të pashmangshme, do të thotë që të vonoheshin të gjitha reformat, çka bënte që kjo krizë të shkonte në mënyrë spirale, deri duke vënë pikëpyetje gjithë sistemin energjetik shqiptar ë qoftë se nuk do të ndërhynim.

Çfarë synon ky projektligj?! Mbi të gjitha implementon direktivën evropiane dhe përcakton hapat për liberalizmin e tregut në Shqipëri. Procesi i liberalizmit është një proces i nevojshëm, sidomos për suksesin financiar të mëvonshëm të të gjithë sektorit energjetik. Pse?! Ju e dini shumë mirë, këtu janë edhe “viktimat” e tregut të rregulluar. E dini se çfarë ndodh në një treg i cili nuk merr mirë parasysh kostot e rritura të energjisë? E dini se çfarë ndodh në një treg që nuk merr mirë parasysh të gjithë elementët që nga prodhimi deri tek shpërndarja, dhe nuk fillon të trajtojë situatën mbi baza tregu që të krijojë një lloj qëndrueshmërie afatgjatë? Nëse do të ishin marrë parasysh kostot, nuk do të kishim këto probleme sot, akumulim borxhesh, mospagesa të prodhuesve privatë, tarifa që fillojnë e kthehen problem. Shteti ka një interes të madh dhe politika jonë ka qenë që popullata duhet të mbrohet, megjithëse është kosto për qeverinë. Duhet ta themi, asnjëherë tarifat në Shqipëri nuk mbulojnë totalisht koston, por është e rëndësishme që ne ti mbrojmë.

Duhet të krijohet mundësia që industria dalëngadalë të fillojë dhe të dalë nga tregu i rregulluar i energjisë, duke filluar vitin tjetër me një pjesë të ndërmarrjeve të cilat janë të lidhura në sistemin 35 kilovolt. Do të vazhdojnë shkallë – shkallë, që deri në vitin 2018 të realizohet synimi jonë, që tregu të jetë 40% i liberalizuar. Kjo do të sjellë konsum energjie me baza tregu, do të krijojë mundësi për prodhuesit privatë, për tregtarët e energjisë. Besojmë se ky është drejtimi i duhur.

Ligji, në vetvete hedh edhe themelet e modelit të ri të tregut të energjisë. Ne kemi menduar që furnizuesi publik të dalë nga KESH-i, pra nga ajo pjesë që në njëfarë mënyre është goditur më rëndë. Është goditur për shkak të mungesës së reformave dhe të marrëdhënieve disi të çuditshme që u zhvilluan mes qeverisë dhe ish kompanisë çeke. Barrën kryesore të gjithë sistemit, që të mos ja shkarkonin konsumatorit ja faturuan Kooporatës Elektroenergjetike Shqiptare, e cila praktikisht shkoi gati në falimentim, për shkak të borxheve të krijuara, për shkak të mospagesave, për shkak të mosreflektimit të duhur të kostos.

Kjo krijoi edhe zinxhirin tjetër me prodhuesit private. Këta prodhues privatë vazhdojnë edhe shtohen, hyjnë objekte të reja gjenerimi, gjë shumë e mirë sepse ne na duhen objektet e reja të gjenerimit dhe investimi duhet të vazhdojë, por nga ana tjetër këto duhet të reflektohen drejt. Ku shkojnë këto kosto? Sa është i gatshëm të përballojë publiku dhe me çfarë model tregu do të operojmë? Zinxhiri që kishim është një zinxhir i dështuar dhe më vonë do të flasim për mundësitë e modelit të ri të tregut. E rëndësishme është që ky furnizues të shkojë tek shpërndarja, në mënyrë që edhe ju furnizimin ta bëni direkt tek shpërndarja.

Shpërndarja do të vazhdojë edhe në vitet në vijim, të importojë një pjesë të energjisë për shkak të humbjeve teknike dhe humbjeve të tjera në rrjet. Humbjet do të ekzistojnë edhe për disa kohë, pavarësisht nga objektivat tonë shumë ambiciozë që deri në vitin 2019 ta ulim nën 18, të shkojmë tek 17% nivel humbjesh.

Mbështetja e Bankës Botërore edhe institucioneve të tjera ndërkombëtare po shkon në këtë drejtim. Ka një gatishmëri nga ana e tyre dhe kjo do të krijojë mundësi që prodhimi juaj të shitet direkt dhe mos shkojë zinxhiri OSHEE, OST, KESH, pastaj tek furnizuesi publik, gjë që ka bërë akumulimin e vazhdueshëm të mospagesave, duke krijuar një problem të rëndësishëm për gjithë investitorët privatë.

Në ligj forcohet roli i rregullatorit ndaj monitorimit dhe marrjes së masave në rastet kur cënohet parimi i transparencës dhe mos diskriminimit. Garantohet e qartë ndarja mes transmetimit dhe shpërndarjes, nga funksionet e gjenerimit dhe të furnizimit, si një parakusht për rezultate të efektshme dhe konkurrencë reale. Si një hap i rëndësishëm konsiderohet gjithashtu ristrukturimi që përfshin ndarjen e funksioneve të operatorit të sistemit të transmetimit me operatorin e tregut.

Ndarja e plotë përfshin ndarjen e pronësisë mbi asetet e operatorëve të sistemit të transmetimit, certifikimin e OST-së, sigurimin e zhvillimit të rrjetit të transmetimit dhe shpërndarjes në përputhje me plane afatgjata 10 vjeçare.

Një kapitull të veçantë zënë kategoritë e konsumatorëve, ku për herë të parë fillojmë përcaktojmë dhe kategoritë që quhen konsumatorë vulnerabël, pra në nevojë. Janë pikërisht ato shtresa që shteti ka gjithmonë detyrime për ti garantuar, përsa i përket furnizimit me energji elektrike, përsa i përket çmimi të rregulluar, që ata të mos e ndjejnë koston. Prandaj, qeveria shqiptare, në buxhetin e vitit të ardhur që po diskutohet në Kuvend e ka parashikuar edhe këtë element.

Nisur nga reforma e pritshme dhe eleminimi i mundshëm i bllokut të parë të energjisë që është fasha 300 kilovat, patjetër të gjitha shtresat në nevojë që preken do të mbrohen direkt nga qeveria shqiptare. Do të mbrohen nëpërmjet buxhetit të përcaktuar dhe nëpërmjet parasë që do të shtohet në të gjitha pagesat që ata marrin, qoftë për papunësinë, qoftë për ndihmën ekonomike, qoftë për fondet e tjera të konsumatorëve në nevojë dhe të tjera si këto.

Parashikohet lehtësimi i procedurave autorizuese për burimet e reja të prodhuesve të energjisë, sidomos ato deri në 1 megavat, pra me kapacitet deri në 1 megavat. Nga ana tjetër, mundësohet hapja e tregut duke ju dhënë shansin konsumatorëve të zgjedhin lirisht furnizuesin e tyre. Garantohet shërbimi universal për konsumatorët familjarë. Në ligj fillojnë e futen disa risi të reja që në përgjithësi bota i ka aplikuar, dhe ne duhet të shkojmë drejt tyre, siç janë edhe sistemet e matjeve inteligjente, mundësia e outsource-it pra e kontraktimit me kompani të treta, pra jo nga vetë operatori. Gjithashtu mundësia e implementimit të këtyre sistemeve, që të mund të kenë mundësi të bëjnë edhe ‘billing’-un, edhe sistemin e matjes, të investojnë në to. Jam i bindur që të gjitha këto investime do të përkthehen në para konkrete dhe do ti kthejnë investimin edhe kompanisë. Kjo patjetër do të sjellë menaxhim më të mirë të energjisë, do të krijojë mundësinë që të futen edhe tarifa të ndryshme nate apo ditë. Këto sisteme, në përgjithësi janë sisteme që ndikojnë tek eficenca dhe tek mire administrimi i sistemit.

Brenda 12 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, Ministria përgjegjëse do të përgatisë edhe një vlerësim ekonomik, një plan në lidhje me zbatimin e matjes inteligjente, të atij sistemi që quhet matësit inteligjentë të energjisë. Kjo garantohet edhe me anë të outsource-it, gjithashtu garantohet nxitja e bashkëpunimit rajonal në nivelin e operatorëve të sistemeve të autoriteteve rregullatorë.

Them se efektet e këtij ligji do të jenë të menjëhershme, duke nisur nga modeli i ri i tregut, që fillon e aplikohet vitin tjetër, pas edhe një investimi që mundësohet nga BB për sistemin e matjes nga këta klientë.

Deri në vitin 2018 besojmë se do të kemi kemi pjesën më të madhe të tregut të liberalizuar dhe të kemi mundësi të krijojmë edhe atë tregun e një dite të mëparshme, i cili patjetër do të ndikojë më shumë realisht për një treg më të qëndrueshëm të energjisë.

Siç edhe e kemi deklaruar, të gjitha këto masa, pa investime konkrete do të mbeteshin në dëshirë dhe në letër. Ne nuk jemi këtu të prezantojmë një listë dëshirash se dikush mjafton ta përkthejë direktivën, ta paraqesë dhe do të thotë ja u bë. Ne po ndërmarrim masa të rëndësishme edhe në pjesën e investimeve, jo vetëm kredia e Bankës Botërore, por ne parashikojmë që në vitet e ardhshme të investohen në sektor mbi 450 milion dollar.

Janë masa që ne i kemi menduar mirë, një pjesë nga BB, një pjesë nga institucione të tjera ndërkombëtare. Do të përfundojmë plotësisht rrjetin e interkonjeksioneve të Shqipërisë, në mënyrë që të kemi shumë opsione. Nuk do jemi vetëm me një opsion nga Mali i Zi dhe një linjë nga Greqia, do të jemi të lidhur me Kosovën në vitin 2016, edhe me Maqedoninë më vonë. Të gjitha këto do të krijojnë mundësi më të mira të tregtimit të energjisë elektrike, çmime më të qëndrueshme, furnizim më i sigurtë.

Kjo është baza infrastrukturore që ne po ndërtojmë. Edhe në pikëpamjen e strategjisë së energjisë, do e rishikojmë atë për të parë edhe mundësitë alternative të burimit. Shqipëria është e bekuar me ujë por uji nuk na mjafton pasi është vulnerabël nga tekat e motit. Sot kemi asetet publike që mbulojnë 50% të këtij tregu, pjesa tjetër importohet. Ky është një realitet jo i mire, realitet i trishtë, gjë që e bën gjithnjë Shqipërinë vulnerabël ndaj luhatjeve të çmimeve ndërkombëtare dhe klientët i bën vulenrabël përsa i përket çmimeve.

Ky është një realitet që nuk duhet fshehur. Është mirë të bësh propagandë bombastike, dikur dëgjonim nga Shqipëria atomike me supërfuqi energjetike por realiteti ky është. Realitetin duhet ta pranojmë siç është, Shqipëria ka nevojë për burime energjie. Një pjesë është uji, por jo i gjithë uji mund të bëhet energji elektrike, duhet të mendojmë edhe për diversifikimin.

Nuk kemi qymyr, Kosova ka qymyr. Jemi duke punuar edhe me Kosovën, të shohin se çfarë mundësish mund të kemi edhe me ta, sepse ajo linjë që investohet merr vlerë kur edhe këmbimi i energjisë të jetë më i mirë me ato burime që ata i kanë dhe ne si kemi. Ka diell mjaftueshëm dhe këtu hedhim bazat e para dhe me ligjin për energjinë e rinovueshme që do ta pasurojmë. Por e gjitha mbi bazë edhe të një studimi, se nuk është ideja ‘hajde jep kontrata për panele diellore’, por kush do e garantojë blerjen e tyre, sa del kosto, sa nevoja kemi.

Të gjitha këto duan studime të mirëfillta, nuk duhen vetëm dëshira politike. Se ndryshe do të ndodhë siç ndodhi me shumë investime private, që u bazuan fatkeqësisht mbi bazën e premtimeve, premtime që duhet të mbahen. Nuk duhet të mbetesh peng i një ideje që ishte e mirë në fillim dhe të mos shikosh realitetin që ka vajtur në drejtim tjetër.

Shteti e ka këtë përgjegjësi, patjetër do të duhen politika që edhe investimet ti garantojë, por edhe të diversifikojë burimet me një kosto të pranueshme. Qëllimi jonë në vetvete nuk është që të krijojmë burime të pastra alternative, por pa llogaritur faturën që vjen mbrapa.

Është e rëndësishme që Shqipëria, në këtë faze të ketë furnizimin të garantuar, të ketë energji me kosto ta pranueshme për të zhvilluar edhe industrinë dhe ekonominë vendase, sepse gjërat nuk janë të shkëputura.

Ky ligj i hedh këto baza, do të pasurohet me legjislacionin tjetër, por mendoj se jemi në rrugë të mbarë. Këtu po ju flas shumë hapur, kemi nevojë për bashkëpunimin tuaj, me idetë tuaja, edhe me ato ide që mund të duken të çuditshme në fillim por vërtet mund të jenë ide të mira, të cilat me një bashkëpunim me autoritetet shtetërore të mund të materializohen.

Qoftë duke filluar me projekte në jug që ka diell, qoftë me elementë se si këto mund të ndikojnë në sistemin energjetik në kohë të caktuara, për të balancuar këtë sistem dhe nga nga ana tjetër siç thashë në strategjinë e diversifikimit.

Gazi në të ardhmen do të jetë një burim shumë i mirë i energjisë, por do të dojë kohë. Projekti TAP është shumë i rëndësishëm, ne po bëjmë gjithçka që është e mundur dhe Shqipëria madje fitoi edhe të drejtën për të përfituar fonde që vinin direkt nga Bashkimi Evropian për të filluar masterplanin e gazi.Gjithashtu, me qeverinë e Azerbajxhanit kemi një marrëveshje për të na mbështetur në këtë drejtim. Gazi do të dojë vite, dhe ndikohet nga zhvillime që nuk janë komplet të varura nga situata në Shqipëri. Kjo duhet kuptuar dhe ne duhet të mendojmë me burimet që kemi, por edhe me burimet alternative në rajon.

Ky është një proces, ne po e fillojmë me ligjin, me modelin e ri të tregut, me një skemë që edhe mund ti vijë më mirë në ndihmë investitorëve privatë. Jemi duke punuar për disa projekte edhe afatgjata përsa i përket garantimit të më shumë të drejtave të investimeve private. Jemi duke menduar sesi në perspektivë investimi të garantohet afatgjatë, ky është një proces i cili do të ndodhë në bashkëpunim me ju.

Po përgatitet edhe vendimi i ri i qeverisë për të riparë mënyrën se si do ti strukturojmë çmimet e reja ose tarifat, me hidrocentralet private. Shumë shpejt do ta bëjmë edhe atë prezent e do ta diskutojmë, jemi munduar të gjejmë një formë që investimi gjithmonë të shlyhet dhe të keni garancinë më të madhe të blerjes së energjisë, por njëkohësisht për ta afruar atë në parametra më afër tregut.

Ky është një risk që duhet ta ndani bashkë me shtetin. Po punojmë dhe shpresoj për disa muaj do ta zgjidhim edhe pjesën e krizës së akumuluar financiare me hidrocentralet private. Të jemi transparent, unë e kam pasur praktikë, nganjëherë kam thënë edhe gjëra që nuk u kanë pëlqyer njerëzve por më mirë të them të drejtën. Më mirë të themi se ky është realiteti, hajde ta përballim bashkë. Jemi të gjithë në një varkë kur vjen puna tek energjia. Vetëm tek energjia nuk fshihet dot kombi. Energjia është një problem i përbashkët, qoftë opozitë apo qeveri, investitorë privatë apo autoritete publike.

Po nuk e pamë në këtë mënyrë kujtojmë se ja hedhim njëri-tjetrit, por realisht në krizë do të përfundojnë të gjithë. Prandaj, ka nevojë për këtë lloj dialogu dhe unë do të jem gjithmonë transparent dhe i gatshëm.

Faleminderit.

energjia.al 05.11.2014