Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Biokarburantet, pse po reduktohen lehtësitë fiskale

Ministria e Financave, në të gjitha ndryshimet ligjore të bëra së fundi, po shmang lehtësitë fiskale për sektorë apo produkte të ndryshme. Pa mbështetje rrezikojnë të mbeten edhe biokarburantet

Ata që shpresojnë në politika lehtësuese fiskale për biznesin e tyre, duhet të fillojnë të mësohen me idenë që mbështetje të tilla nuk do të ketë më, të paktën për tre vitet e marrëveshjes me Fondin Ndërkombëtar Financiar. Dalëngadalë, politikat lehtësuese që nxisin zhvillimin e një industrie, apo konsumin e një produkti po shuhen pak nga pak. Një hap që filloi të ndihet që në fillim të këtij viti, vijoi javës së kaluar me heqjen e mbështetjeve të pjesshme për karburantet e pastra. Në argumentet e prezantuara në Kuvend, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, vlerësoi se nuk do të ketë lehtësi fiskale për produkte apo shërbime të ndryshme. “Me Fondin Monetar Ndërkombëtar kemi rënë dakord që nuk do të jenë taksat mënyra për të mbështetur produktet, por këto do të mbështeten përmes paketave buxhetore”, theksoi Cani, duke shtuar se niveli i taksave nuk është domosdoshmërisht formë e paketës mbështetëse. Rasti konkret dhe i parashtruar së fundi është ai i biodiezelit. Prej vitesh, për këtë produkt vlente rimbursimi i akcizës, por të dhënat tregojnë se nuk e ka nxitur aspak përdorimin e kësaj lënde djegëse.

Objektivi i qeverisë është për të arritur në 10% të tregut të karburantit në vitin 2018, por rruga për biokarburantet duket e vështirë. Pas shtatë vitesh mbështetje, biokarburantet nuk kanë arritur as 2% të tregut të hidrokarbureve.

Pyetja lind se sa do të mund të zgjerohet përdorimi i këtij produkti me rivendosjen e akcizës?! Për këtë e ka përgjigjen ministri i Financave, i cili bëri të ditur se “do të mbështesim biodizelin për përdorim, por përmes ekofondit që pritet të miratohet më vonë me ligjin “Për energjinë e rinovueshme”. Por, asnjë përgjigje e tillë, nuk shuan dyshimet se biokarburantet apo shumë produkte të tjera me interes për t’u zhvilluar nuk po gjejnë zgjidhjen e duhur të mbështetjes. Pas dështimeve të shumta të financimeve direkte, siç është financimi i naftës për bujqësinë, Erjon Braçe, vë në dukje dyshimet e tij se paratë do të mbërrijnë në destinacion. Edhe një masë e tillë, sipas tij, nuk ka asnjë garanci për të funksionuar.

Gjithsesi, ajo çfarë kërkohet për biokarburantet është heqja e rimbursimit si për biodiezelin e importuar dhe atë të prodhuar në vend. Nisur nga importet dhe vlera e rimbursuar deri më tani është e qartë se, objektivi i Ministrisë së Financave (të paktën në një periudhë afatshkurtër) nuk është përfitimi i të ardhurave nga kjo akcizë.

Sipas Canit, rimbursimi i akcizës për këtë vit është në nivelin zero, pasi rezulton se nuk kemi importuar biodiezel.

Arsyeja e shfuqizimeve të këtyre dy dispozitave ligjore, në të dyja ligjet, argumentohet me politikën e qeverisë për rishikimin tërësor, me heqje të të gjitha lehtësirave fiskale të dhëna ndër vite në sektorin hidrokarbur dhe karburantet, duke i barazuar këta sektorë me të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë nga pikëpamja e trajtimit në mënyrë të barabartë fiskale të të gjithë sektorëve të ekonomisë.

Në paketën fiskale 2014 u rishikuan, me heqje, të gjitha lehtësitë fiskale në sektorin hidrokarbur (të shoqërive naftënxjerrëse). Tashmë, pas një analize të kujdesshme të tërësisë së këtij sektori, propozohet heqja e lehtësisë fiskale edhe në sektorin e biokarburanteve.

Periudha 7-vjeçare e marrjes së kësaj lehtësie ka qenë më se e mjaftueshme në përfundimin e të gjitha investimeve në këtë sektor, vlerëson Ministria e Financave. Një propozim i tillë mbyll heqjen e çdo lehtësie fiskale në sektorin e hidrokarbureve dhe politika e qeverisë është drejt analizimit të dhënies së lehtësirave fiskale në sektorë të tjerë të ekonomisë, siç është sektori i bujqësisë (skema e kompensimit të TVSH-së së fermerëve në masën 20% që u miratua me ligjin e TVSH-së) apo sektori i peshkimit.

Revista Monitor, 02.11.2014