Martanesh, MEI revokon lejen minerare
Ministria e Energjisë dhe Industrisë informon se më date 19/08/2014, rreth ores 0930, në subjektin minerar “ALBA – CO”shpk, vendburimi Fushë Lopë, Batër, rrethi Bulqizë, në nënkatin e tretë të galerisë nr. 8, ka ndodhur një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e dy punonjësve të këtij subjekti.
Të dhëna mbi viktimat:
Xhemal Hysni Sela, lindur më 07.3.1964 në fshatin Komsi, rrethit Mat; me profesion minator/zjarrmëtar, instruktuar për herë të fundit më 03/07/2014; i siguruar për jetën ndaj aksidenteve në punë.
Donald Hakik Baci, lindur më 13.04.1982 në fshatin Frankth, komuna Komsi, rrethi Mat; instruktuar për herë të fundit me 03/07/2014; i siguruar për jetën ndaj aksidenteve në punë.
Vendi i ndodhjes së aksidentit:
Objekti minerar ku ka ndodhur aksidenti është i përfshirë në lejen minerare nr. 548 dt.06.04.2000 që shfrytezohet nga subjekti “ALBA – CO”shpk me zotërues të lejes ixhinier miniere Shemsi Ballabani, i cili njëkohësisht kryente dhe detyrën e drejtuesit teknik të subjektit.
Mbas këqyrjes së vendit të ngjarjes, grupi i inspektorëve të RISHM-it konstaton se:
Mbas zbrazjes së grykës së traversës nga materiali, minator/zjarrmëtari Xhemal Sela dhe ndihmësi Donald Baci, kanë hyrë dhe janë ekspozuar në brendësi të hapësirës së shfrytëzuar, me qëllim për të vrojtuar për rrëzimin e mineralit. Në këto momente, nga tavani i hapësirës janë shkëputur dy blloqe masivi shkëmbor ultrabazik me përmasa të mëdha, duke i goditur dhe shkaktuar vdekje të menjëhershme të dy punëtorëve.
Nga këqyrja e dokumentacionit në subjekt u konstatua se:
Ka urdhëra punë të lëna në vazhdimësi nga drejtuesi teknik i subjektit. Urdhëri punës i lënë në objekt më datë 19/08/2014, nuk ka të specifikuar proceset e punës që do të kryhen në këtë front për prodhimin e mineralit, si dhe rrugët e lëvizjes së punëtorëve.
Është bërë instruktimi teknik i punëtorëve me dt. 03/07/2014.
Personat e aksidentuar janë të siguruar për jetën nga aksidentet në pune sipas VKM nr.1109, datë 30.7.2008 “Për sigurimin e punonjësve të punësuar në veprimtarinë minerare nga aksidentet në punë” dhe Udhezimit te Ministrit te METE nr.671, datë 12.9.2008.
Subjekti ka miratuar programin e zhvillimit te punimeve per periudhen prill 2014 –prill 2015.
Shkaku i ndodhjes së aksidentit:
Pas veprimeve inspektuese në vendin e ngjarjes, konstatohet se aksidenti ka ardhur si pasojë e moszbatimit dhe shkeljes së Rregullores së Teknikës së Sigurimit Teknik.
Masat e marra:
Menjëherë pas ngjarjes u ndalua i gjithë aktiviteti i punës në objektin minerar të vendburimit Fushë Lopë, Batër, galeria nr. 8, qe administrohet nga subjekti “ALBA – CO” shpk.
Pas raportimit të Repartit të Inspektim, Shpëtim Minierave, Ministria e Energjisë dhe Industrisë vendosi nisjen e procedurave për heqjen e lejes minerare dhe të përdorimit të lëndës plasëse nr.548, dt.06.04.2000 për subjektin “ALBA-CO”.
Bëjme me dije se në zbatim të ligjit dhe programit të miratuar për vitin 2014 të inspektimeve të subjekteve minerare, nga ana e RISHM-t, subjekti “ALBA – CO”shpk ishte kontrolluar sëfundi nga inspektorët më dt.24.03.2014 dhe për të metat e konstatuara janë lënë detyra specifike dhe masë administrative me gjobë 100 000 lekë (të reja).
energjia.al 20.08.2014