Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ligji për instalimet nën presion

Nisma e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë për ligjin e ri “Për garantimin e sigurisë së punës të pajisjeve dhe instalimeve nën presion” është këshilluar ditën e sotme me subjektet dhe institucionet që kanë në objektin e aktivitetit të tyre pajisjet dhe instalimet nën presion.

Drejtuesit e Drejtorisë së Politikave dhe Zhvillimit të Hidrokarbureve dhe ata të Inspektoratit Qendror Teknik prezantuan përpara grupeve të interesit ndryshimet që janë parashikuar të kryhen në këtë ligj për të përmirësuar në mënyrë të ndjeshme monitorimin dhe standardet teknike.

Duke qenë se me ligjin nr. 85/2013, “Për shfuqizimin e ligjit nr. 8739, datë 12.2.2001 “për garantimin e sigurisë së punës të pajisjeve nën presion”, të ndryshuar”, është hequr gjithë baza ligjore dhe institucionale për sektorin e pajisjeve nën presion, u konsiderua e domosdoshme që të ndërmerrej një nismë e re ligjore për përshtatjen e direktivave të BE duke ndërtuar kuadrin e nevojshëm juridik për realizimin e aktiviteteve në sektorin e pajisjeve nën presion, por edhe për kontrollin (monitorimin dhe inspektimin) e tyre.

Objekti i këtij ligji të ri është përcaktimi i parimeve të përgjithshme që rregullojnë kërkesat dhe normat në projektimin, prodhimin, hedhjen në qarkullim, montimin dhe përdorimin e pajisjeve dhe instalimeve nën presion, për garantimin nëpërmjet ushtrimit të inspektimit teknik, të sigurisë së njerëzve, qenieve të gjalla dhe vlerave materiale, nga rreziqet e shfryrjeve dhe të shpërthimeve të shkaktuara nga këto pajisje dhe instalime.

Në draft janë pasqyruar direktivat e BE-së për sigurinë në aktivitetin e prodhimit, tregtimit dhe përdorimit të pajisjeve dhe instalimeve nën presion.

Drafti i hartuar parashikon se Pajiset dhe instalimet nën presion duhet të plotësojnë rregullat teknik për kërkesat dhe normat e sigurisë të përcaktuara me vendime te Këshillit te Ministrave. për projektimin, prodhimin, vlerësimin e konformitetit, përdorimin, shfrytëzimin dhe inspektimin teknik për secilën pajise, enë nën presion, grup pajisesh dhe instalimesh nën presion.

Parashikohet se kur paisja plotëson kërkesat dhe kur kushtet e instalimit garantojnë sigurinë e pajisjes nën presion, “Inspektorati shtetëror përgjegjës për pajisjet dhe instalimet nën presion”, lëshon Aktin Teknik që jep lejen e vënies në pune, duke plotesuar librin e pajises dhe/ose instalimit nën presion. Kriteret dhe procedurat për mënyrën e dhënies, standartin dhe formatin e këtyre dokumentave, përcaktohen me urdhër të ministrit.

Elementët përbërës të dokumentit të vlerësimit dhe parandalimit të rrezikut, përcaktohen me Urdhër të Ministrit përgjegjës.

Pas diskutimit me grupet e interesit, projektligji do të paraqitet në ministritë e tjera për mendim e më pas do të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave. Do të jetë Kuvendi i cili më pas do të shqyrtojë dhe miratojë përfundimisht ligjin.

Me miratimin e kësaj nisme do të garantohet realizimi i rolit rregullator të Shtetit për të garantuar sigurinë e jetës së njerëzve, të kafshëve dhe të pronës, nga pasojat që mund të vinë për shkak të aksidenteve nga aktiviteti në prodhimin, transportimin, instalimin dhe përdorimin e pajisjeve dhe të instalimeve nën presion.

energjia.al 05.06.2014