Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rama inspekton HEC-in e Banjës

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet për ndërtimin e Hidrocentralit të Banjës, pjesë e projektit hidrik në Luginën e Devollit. Ky projekt, i cili përbëhet nga HEC-et e Banjës dhe Moglicës (me mundësinë e ndërtimit edhe të një HEC-i të tretë), me një fuqi të instaluar prej 242 MW dhe prodhim vjetor rreth 729 GWh, është investim i “Devoll Hydropower”, që zotërohet nga kompania norvegjeze Statkraft, me vlerë për dy HEC-et e para, 535 milionë euro.

Drejtuesit e projektit informuan Kryeministrin se do të ndërtohen edhe dy linja të reja transmetimi 220 dhe 110 kilovolt, që do të lidhin HEC-et e Moglicës dhe Banjës me nënstacionet e Elbasanit dhe Cërrikut, si dhe rrugët e reja për të mbërritur në kantierët e ndërtimit, përfshirë segmentin Gramsh-Kodovjat-Moglicë.

Ola By, Drejtori Ekzekutiv i “Devoll Hydropower”, i pohoi Kryeministrit se falë “mbështetjes shumë të madhe nga qeveria, ne po zgjidhim gjërat dhe kemi akses të lehtë.” Ndërsa Tina Lyer, drejtuese e lartë e kompanisë Statkraft, theksoi se “është shumë e rëndësishme për investitorët e huaj që të kenë mbështetjen për të cilën kanë nevojë.”

Kryeministri Rama garantoi për mbështetjen e plotë ndaj çdo investimi që krijon vende të reja pune dhe që respekton standardet evropiane.

“Ne kemi dy mesazhe të qarta: E para, ne do të bëjmë çdo gjë, ditë e natë, për të mbështetur të gjithë investitorët dhe investimet e tilla, si ky, që plotësojnë standardet si kudo në Europë, standardet që meriton Shqipëria. E dyta, ne i mbështesim plotësisht këto lloj investimesh dhe çdo investim që krijon vende pune të reja. Krijimi i vendeve të reja të punës është një lajm i mirë. Është fantastike që këtu do të krijohen disa mijëra vende të reja pune, ndërkohë që ekzistojnë disa qindra tashmë dhe që në 3 vitet e ardhshme do të arrijnë në afro 3 mijë vende të reja pune. Kjo është një gjë shumë e mirë.” – u shpreh Kryeministri.

Drejtor Ekzekutiv Ola By siguroi Kryeministrin se “po ndjekin standardet dhe rregulloret europiane.”

Kryeministri Edi Rama në këtë vizitë shoqërohej nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri.

energjia.al 28.01.2014