Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Fjala e Kryeministrit në mbledhjen e Task – Forcës për energjinë

Të nderuar pjesëmarrës,

Ky është një takim të cilin e ndajmë me publikun për faktin se çështja që na ka mbledhur, sot këtu, dhe nisma për t’i dhënë jetë një Task-Force të posaçme është realisht me rëndësi publike të dorës së parë.

Kjo Task-Forcë për përmirësimin e nivelit të arkëtimeve dhe uljen e nivelit të humbjeve në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike, që fillon punën, sot, nën drejtimin zv/Kryeministrit, ka një funksion që në fakt shkon përtej rritjes së arkëtimit dhe uljes së nivelit të humbjeve.

Prandaj dua të nënvizoj tre aspekte kryesore, me të cilat lidhet Task Forca dhe gjithë operacionin që ne fillojmë sot.

Së pari, gjendja alarmante që kemi trashëguam në sektorin e shpërndarjes së energjisë elektrike.

Së dyti, ndërhyrja e domosdoshme në një fushë jetike për të sotmen dhe për të nesërmen e vendit, që sot është një fushë e minuar dhe nesër kërcënon të kthehet në fushën e një fatkeqësie kombëtare, në rast se ne sot nuk bëjmë atë që na takon për ta parandaluar njëherë e përgjithmonë një fatkeqësi të kësaj natyre.

E së treti, është domosdoshmëria për të ripërtërirë përgjegjshmërinë që mbron dhe zhvillon bashkëjetesën tonë në këtë vend.

Këto aspekte të ndërlidhura me njëra tjetrën, por përsa i përket të parit- gjendjes alarmante- më lejoni t’ju them se në kushtet e sotme, 91% e kontratave të konsumatorëve familjarë dhe 88% e kontratave të bizneseve, rezultojnë me borxhe ndaj sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Këto dy shifra besoj flasin vetë për trashëgiminë e papranueshme dhe, njëkohësisht, për sfidën që ne kemi përpara dhe për objektivin madhor të kësaj Task Force.

Në Tetor të vitit 2012 rezulton e humbur 36,68% e energjisë së blerë. Në Nëntor 43,96% e energjisë së blerë ka humbur. Humbja,- në fakt termi që i bën drejtësi kësaj gjendjeje është fatkeqësisht- vjedhja, në Dhjetor të 2012 ka kapur shifrën 55,46% e energjisë së blerë.

E pra, energjia që do të shkonte, në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale, për shërbimin dhe ndriçimin e një vendi, qartazi ka shpuar nga të katër anët xhepat e këtij vendi.

Gjendja është përkeqësuar në vijim gjatë këtij viti. Krahasuar me një vit më parë, tetor më tetor, humbja dhe vjedhja janë thelluar. Ndërkohë që me fillimin e punës nga administratori i ri i CEZ shpërndarjes, më 20 Tetor 2013 dhe marrjen e disa masave të menjëhershme për të frenuar hemorragjinë e rëndë në sistem, ka nisur një frenim paraprak, por kurrsesi përfundimtar dhe asesi i qëndrueshëm i humbjeve dhe i vjedhjes, le ta quajmë me emrin që ka. Ndërkohë që kjo Task Forcë ka, pikërisht, detyrimin që të vendosë të gjithë strukturat e shtetit në shërbim të një misioni shumë të qartë;

Kthimin e grafikut të frenimit të humbjeve dhe të vjedhjes, në një grafik në rënie të vazhdueshme dhe nga ana tjetër transformimin e kësaj situatë krize të thellë në një situatë normale.

E vërteta është që në muajin dhjetor humbja ka qenë 2,4% më e vogël se një dhjetor më parë, dhe e përsëris, kjo falë punës së përkushtuar të administratorit të ri dhe të drejtimit të ri në tërësi të CEZ shpërndarjes. Por, në kushtet kur problematika e sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike është kaq komplekse dhe kur kjo sfidë është një sfidë e mbartur dhe e trashëguar qeveri pas qeverie, me një faturë gjithnjë e më të rënduar, kërkohet një ndërhyrje e vendosur dhe vendimtare, jo një aksion që fillon sot, dhe mbaron siç kanë mbaruar të gjitha aksionet e kësaj natyre, por një punë sistematike e pandalshme që do të shtrihet deri në fund të këtij mandati të qeverisë sonë. Jo pa arsye edhe jetëgjatësia e kësaj Task Force e përcaktuar në një vit, për t’i dhënë vetes mundësinë që pas një viti të bëjmë një analizë të qartë dhe të shohim përmirësimet dhe të kuptojmë se çfarë duhet bërë më tutje në raport me vetë Task-Forcën, është kuptimplotë dhe në të njëjtën kohë është edhe një sfidë për të gjithë ne që jemi këtu pjesëmarrës në këtë tavolinë.

Operimi i Task-Forcës ka të bëjë me rezultate afatgjata që shkojnë përtej fazës së parë operacionale të saj. Puna që do të bëjë kjo strukturë përbën vetëm një pjesë, padyshim, në tërësinë e masave që Ministria e Energjisë dhe Qeveria do të marrin me synim transformimin e këtij sistemi të kalbur në një sistem funksional dhe transformimin e kësaj fushe të minuar që kemi trashëguar, në një fushë ku të fillojë të lulëzojë një model i ri i tregut të energjisë, një model i ri i marrëdhënieve mes gjithë konsumatorëve të energjisë dhe vet sistemit. Një model i ri që do të ketë një impakt absolutisht jetik edhe në modelin tonë të ri ekonomik.

E pra, nëse dy të parat janë të lidhura me kuptimin dhe me administrimin e sistemit nga ana e gjithë personave dhe institucioneve përgjegjëse, në radhë të parë për këtë sistem, më e rëndësishmja mbetet lidhja me kulturën e bashkëjetesës, që na bën të gjithëve të ndjejmë përgjegjësinë për ndërtimin e të ardhmes së përbashkët, në një atdhe të cilit i përkasim jo vetëm për gjuhën, kulturën, shtetësinë, apo ndjesinë tonë të brendshme të përkatësisë, por edhe për kontributin e secilit dhe të të gjithëve bashkë në të sotmen dhe për të nesërmen e tij.

Sjellja me energjinë elektrike, që prodhon ky vend apo që e importon falë të taksapaguesve, është një tregues i përgjegjshmërisë apo i papërgjegjshmërisë, duke filluar që nga qeveria dhe duke vazhduar pastaj deri tek konsumatori, konsumatori familjar, kaluar përmes konsumatorit të madh që është biznesi. Po ashtu është dhe tregues i cilësisë së marrëdhënies së shtetit me qytetarin. Marrëdhënia e qytetarëve me shtetin, ashtu siç dhe bashkëjetesa qytetare, mundet fare mirë sot të konsiderohet një fushë tërësisht e minuar, përderisa shteti vetë deri para pak më shumë se 100 ditëve, nuk paguante faturat e energjisë elektrike.

Nuk ka rëndësi shifra, do të thoja, sepse mjafton mesazhi i papërgjegjshmërisë, mjafton mesazhi i braktisjes në mënyrën më të hapur por njëkohësisht dhe tinzare të shoqërisë nga shteti, që transmeton një sjellje e tillë, që transmeton një qasje e tillë, që transmeton një brutalitet i tillë. Çfarë mund të kërkojë një shtet, çfarë mund të kërkojë një qeveri nga pjesa tjetër e konsumatorëve, në rast se si konsumator nuk respekton asnjë detyrim ligjor në këtë fushë.

Borxhi i energjisë elektrike i institucioneve publike është shumë i lartë. Institucionet buxhetore kanë pasur dhe ne kemi trashëguar jo pak, por 5,5 miliardë lekë borxhe ndaj kompanisë së shpërndarjes. Por, duke shtuar këtu dhe institucionet publike jo buxhetore, kemi të bëjmë me një shumë prej 7,6 miliardë lekësh. Shifër kjo, në fakt, më e ulët, sesa momenti kur CEZ u mor në dorëzim nga administratori i ri, më 20 Tetor.

Qeveria paraardhëse ka lënë, fatkeqësisht, borxhe dhe për subvencionet. Që do të thotë, se nuk ka paguar bazuar mbi ligjin që ka kërkuar vetë të miratojë parlamenti, energjinë elektrike të grupeve në nevojë, të cilat me ligj e marrin një mbështetje nga shteti për energjinë elektrike, por de fakto rezultojnë pjesë e zinxhirit të borxhlinjve ndaj sistemit për shkak se qeveria nuk i ka atribuar paratë e përcaktuara nga ligji për të paguar shërbimin e marrë nga sistemi. Janë 3 miliardë lekë, që në këtë aspekt, qeveria duhej të kishte paguar për invalidët dhe nuk e ka bërë.

Megjithatë ne, sot këtu, mund ta themi me plot gojën, që nuk e kemi nisur nga të tjerët. Nuk e kemi nisur as nga konsumatorët e shkallës së fundit, ata më të varfrit, ata që kanë qenë tradicionalisht shënjestra e të gjithë këtyre lloj aksioneve apo shënjestra e të gjithë llojeve të task forcave që janë ngritur. Nuk e kemi nisur as nga konsumatorët e tjerë që janë në gjendje të paguajnë dhe janë me borxhe. Nuk e kemi nisur as nga biznesi që padyshim që është në gjendje të paguajë dhe është në një fajësi të dyfishtë, jo vetëm si konsumator familjar, por edhe si një konsumator që energjinë e vjedh për qëllim fitimi, por e kemi nisur nga vetja, duke marrë përgjegjësinë e plotë që jo vetëm të shlyejmë të gjitha borxhet që shteti përmes qeverisë dhe institucioneve buxhetore i ka sistemit eletroenergjetik, por dhe të mos lejojmë më që të akumulohen borxhe të kësaj natyre.

Shkalla e kësaj papërgjegjshmërie le ta themi hapur ashtu siç është, me shumë mundësi nuk ka asnjë gjë të ngjashme jo me shtetet moderne evropiane, por me asnjë shtet normal në planet. Natyrshëm, kjo papërgjegjshmëri u bë burim i një pandemie papërgjegjshmërie, që jo vetëm preku të gjitha institucionet, por legalizoi de fakto papërgjegjshmërinë kolektive ndaj sistemit elektroenergjitik shqiptar.

Gjithsesi, ne nuk na mbetet tashmë, veç ta kemi atë si shembullin më të qartë të mënyrës së degradimit të mundësive të një shteti, të një shoqërie dhe të një mënyre të qeverisuri, që nuk duhet të përsëritet më asnjëherë në rrugëtimin e këtij vendi drejt së ardhmes.

“Është veprimtaria e papërgjegjshme, e cila e vetme sjell mungesën dhe rrënimin e integritetit. Ashtu sikundër është veprimtaria e përgjegjshme, e cila e vetme e sjell integritetin që bën të mundur ndryshimin e vërtetë.” – thotë një analist i rëndësishëm, botërisht i njohur, lidhur me rezultatet e kulturës së papërgjegjshmërisë në qeverisje apo të kulturës së përgjegjshmërisë që përçohet në shoqëri përmes qeverisjes.

Është papërgjegjshmëria qeveritare, ajo që me siguri ka marrë fund dhe ky është guri i themelit që ne do të ngremë gur pas guri, murin e përgjegjshmërisë së përbashkët kolektive që do ta mbrojë sistemin tonë elektroenergjetik nga kolapsi dhe që do të vendosë në themel të bashkëjetesës sonë përgjegjshmërinë në radhë të parë ndaj këtij sistemi jetik për çdo hap dhe në çdo aspekt të mbarëvajtjes së jetës së vendit.

Kjo Task Forcë në emër nuk ka asgjë të re, por në përmbajtje është rezultat i një vendosmërie të re, për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve që paguajnë rregullisht dhe nuk mund të penalizohen pambarimisht nga keqmenaxhimi dhe nga papërgjegjshmëria.

Kjo Task-Forcë, njëkohësisht, ka sfidën të jetë një shembull i ndërveprimit institucional shtetëror për të garantuar normalitetin në shpërndarjen e energjisë elektrike në vend dhe normalitetin e marrëdhënieve me sistemin tonë elektroenergjetik.

Kështu, nivelet e qeverisjes do të bashkëveprojnë në një rrjet kontrolli dhe rezultatesh konkrete, përsa i përket menaxhimit të energjisë elektrike dhe ngushtimit deri në mbyllje të hapësirave sot të pafundme të abuzimit. Për t’u vënë të gjithë bashkë në mbrojtje të interesit qytetar dhe për të kërkuar përgjegjshmëri qytetare jo vetëm nga qytetarët që vetiu me përgjegjshmëri paguajnë faturat, por nga të gjithë, e përsëris, duke e nisur nga qeveria që duhet të kryejë pikë për pikë detyrën e saj dhe duke ngritur zërin bashkërisht për raste flagrante dhe më pak flagrante, kur bashkëveprimi i institucioneve shtetërore ngjan i dështuar.

E pra, është e pafundme lista e shembujve flagrantë, e shembujve sa spektakolarë, aq dhe ordinerë të abuzimit me energjinë elektrike në nivelin shtetëror, ku mjafton të përmend një nga rastet e raportuar nga CEZ-i lidhur me kompaninë Alpetrol që padit- dhe flitet për të shkuarën e afërt, – shpërndarësin CEZ për pavlefshmëri të faturave të lëshuara për kamatvonesat që kanë rrjedhur nga mospagesa në afat e faturave, jo pak, por qysh nga viti 2007 deri në vitin 2011, me vlerë totale 334.728.260 lekë (të reja).

Nga këto, kjo shoqëri, një shoqëri le ta themi me fjalën e qartë shqipe, “hajdute” në raport me sistemin elektroenergjetik, shpëton. Dhe si shpëton? Me një vendim gjykate nga Gjykata e Rrethit Fier, ku bëhet një pranim i pjesshëm, formal, i padisë.

E kështu me radhë, shtrihet numri i plot kompanive, për të kaluar tek kompanitë private, ndër të cilat një tjetër shembull flagrant në shumë shembuj, i raportuar po nga CEZ është ai i një kompanie, -nuk po i’a përmend emrin për të mos cenuar imazhin e kompanisë, ndërkohë që kompania ka cenuar çdo kufi të marrëdhënieve ligjore me shtetin, -që përfiton pavlefshmëri fature nga Gjykata e Rrethit Vlorë, në shumën 6,478,007 lekë (të reja) me TVSH. Sipas raportit të CEZ-it, raste të tilla ka pasur plot, me subjektet shtetërore apo private, ku gjykata vendos anulimin e faturave të energjisë elektrike, pa marrë në konsideratë asfare, as detyrimet ligjore, as parashikimet ligjore, as pretendimet dhe provat e kompanisë shpërndarëse, pra, CEZ-it.

Ndaj dhe rrjeti i bashkëveprimit që duam të jetësojmë më anë të ngritjes së kësaj Task-Force është një rrjet përgjegjshmërie në radhë të parë, jo vetëm në hapësirën brendapërbrenda gjithë niveleve të pushtetit ekzekutiv, qoftë atij qendror, qoftë atij vendor, por edhe në hapësirën e ndërveprimit me pushtetet e tjera e në radhën më të parë, me pushtetin gjyqësor.

Dua ta falenderoj Prokurorin e Përgjithshëm për praninë e tij këtu, sot dhe për gatishmërinë e shprehur për të firmosur një pakt me ministrin e energjisë, sepse ne konsiderojmë se është e domosdoshme që në këtë aspekt të ketë jo thjesht një bashkërendim, por të ketë një marrje të qartë dhe të plotë të përgjegjësisë ligjore për të frenuar këtë hajdutëri kolektive, duke filluar nga frenimi i hajdutërisë në çdo nivel të institucioneve buxhetore dhe jo buxhetore, për të vazhduar në çdo nivel të kompanive të mëdha apo të vogla, e për të shkuar pastaj tek konsumatori, duke lënë me mirëkuptim të plotë të fundit fare, ata të cilët janë të fundit që mund t’u kërkohet llogari, njerëzit në nevojë dhe jo të parët ku mund të shkohet për t’ju kërkuar me pahir pagesën e faturave.

Konkretisht, kjo do të thotë se institucionet e shtetit, të niveleve dhe të pozicioneve të ndryshme në raport me Kushtetutën do të ndërveprojnë shumë intensivisht për të ndaluar dhe përballur me ligjin çdo abuzues me sistemin e energjisë elektrike, e përsëris, duke filluar nga vetja dhe duke vazhduar pastaj shkallë-shkallë tek të tjerët.

Por, nga ana tjetër, ky është një bashkëveprim për të transformuar sistemin, që bën të mundur dhe nganjëherë lë si të vetmen zgjidhje, shkeljen e detyrimit ligjor, prej qytetarëve të përballur me gjithfarë praktikash për të cilat nuk gjejnë asnjë shpjegim. Ky është aspekti tjetër i rëndësishëm dhe kjo është ana tjetër e medaljes së përgjegjësisë që ka qeveria dhe përgjegjësisë që ka shteti dhe të përgjegjshmërisë që duhet të tregojë gjithë sistemi në raport me qytetarin.

Gjej rastin këtu të nënvizoj se hartimi i shumë ligjeve, i shumë lloj rregulloreve në përputhje me shumë standarde ndërkombëtare, nuk ka bërë të mundur frenimin e abuzimit të shumëfishtë dhe shumëllojshmërisë së abuzimeve të akumuluara në vite.

Po ashtu, ekzistenca e ligjit në letër nuk e ka garantuar zbatimin e tij për të ndaluar vjedhjen e shumëfishtë, përfshi të ashtuquajturën humbje në rrjet, në sistemin e shpërndarjes së energjisë, e cila, sigurisht nga njëra anë është humbje e natyrës teknike që do të kërkojë me patjetër ndërhyrje të qarta, për të cilat Ministria e Energjisë është duke u përgatitur, por, nga ana tjetër, përsëri vijmë tek e vetmja fjalë që mund të përdoret: Vjedhja.

Zonat më problematike, dhe këtu përsëri jemi përballë një paradoksi në dukje, por përballë një detyrimi të madh të të gjitha institucioneve për të vepruar, në thelb, përsa i përket gjendjes se debitorëve biznes janë rajonet e Tiranës, Durrësit dhe Fierit, ku është përqendruar dhe numri më i madh i bizneseve dhe debitorët më të mëdhenj janë ata të cilët energjinë elektrike e vjedhin me qëllim fitimi. Kjo është e patolerueshme!

Në zonën Tiranë, që nuk është në këtë rast qark në kuptimin administrativ, në muajin Dhjetor 2012 janë paguar si total i energjisë elektrike vetëm 1.098 milionë lekë. Në Dhjetorin 2013, kjo shumë ka shkuar në 1.466 milionë lekë. Pra, është rritur arkëtimi, por përsëri ngelet shumë, jashtëzakonisht më e vogël se ç’është fatura reale.

E kështu me radhë, në zonën Durrës, ku në Dhjetor 2012 u arkëtuan vetëm 396 milionë lekë nga biznesi, nga konsumi i energjisë, nga detyrimi i patjetërsueshëm për të paguar çdo kilovat energjie të marrë nga sistemi për qëllim fitimi. Në Dhjetor 2013 më shumë, 458, por përsëri një shumë e papërfillshme në raport me humbjet, – nënkupto qartë- vjedhjet e sistemit.

Rritja prej 15% përmirësim në arkëtim, që i kthehet shtetit dhe i kthehet shoqërisë, duke ulur sasinë e vjedhur, jo vetëm që nuk na kënaq, por, përkundrazi, na tregon se çfarë pune ka ende për të bërë në të gjitha nivelet dhe se në çfarë grope e kemi gjetur sistemin elektroenergjetik dhe posaçërisht sistemin e shpërndarjes së energjisë, ngritur mbi themele të një abuzimi kolektiv, me qendër graviteti këtë godinë, me qendër graviteti qeverinë e këtij vendi. Ky është një turp që le ta mbajë kush e ka. Por këtë turp, qeveria e re e Republikës së Shqipërisë kurrë nuk mund ta mbajë. Nga ky turp, Qeveria e re e Republikës së Shqipërisë është ndarë duke marrë përgjegjësinë për të paguar të gjitha borxhet dhe do të ndahet njëherë e mirë duke mos akumuluar asnjë borxh të ri. Çdo kilovat energji që do të shpenzohet do të paguhet me çdo kusht dhe do të jetë gjëja e parë që do të bëhet.

Kjo Task-Forcë duhet dhe do të garantojë heqjen e atyre pengesave që janë vendosur përpara vënies së potencialit energjetik të vendit në shërbim të mirëqenies së përditshme të qytetarëve tanë dhe të asaj të gjeneratave të reja.

Ne jemi të vetëdijshëm për potencialin e madh hidrik që ka Shqipëria, por ne jemi po kaq të vetëdijshëm për rrezikun që këtë potencial të madh ta kthejmë në një fatkeqësi, nëse nuk transformojmë në të gjitha nivelet modelin e sjelljes me këtë potencial; Duke filluar nga modeli i tregut të energjisë, nga modeli i marrëdhënieve mes këtij tregu dhe konsumatorit dhe pa as më të voglin dyshim, nga modeli i sjelljes me të ardhmen e këtij sektori.

Në këtë fillim pune të Task-Forcës, që do të ndërhyjë me urgjencë në gjendjen kritike të shpërndarjes me energji elektrike në vend, dua ta nënvizoj se detyra është shumë e vështirë. Detyra nënkupton përballjen jo me një situatë të trashëguar thjesht, por me një kulturë të mbrapshtë të rrënjosur vit pas viti, në 20 vjet, që energjinë mund ta marrësh, por mund të mos e paguash, energjinë mund ta vjedhësh, por padyshim mund t’ia dalësh pa të hyrë gjemb në këmbë. Energjinë të gjithë sëbashku mund ta përdorim si mallin e babait, kur themi ne shqiptarët dhe për këtë arsye askush s’mund të na pengojë dhe askush s’mund të na kthejë në binarët, që ligji që kemi miratuar vetë përcakton për secilin dhe për të gjithë, si shoqëri.

Duke përgëzuar dhe inkurajuar administratorin dhe administratën e CEZ-it për masat që ka marrë, si përsa i përket menaxhimit, si përsa i përket këmbënguljes, unë dua që ta mbyll këtë fjalë me një mesazh shumë të qartë për qytetarët:

Historia që kush paguan, kush është i rregullt, kush i është nënshtruar jo thjesht ligjit, por parimit bazë të edukatës së marrë nga të parët në familje, duhet të paguajë gjithmonë e më shumë dhe kush nuk paguan, mund të vjedhë gjithmonë e më shumë, duhet dhe do të marrë fund. Për këtë jemi këtu, kjo është arsyeja dhe kjo është vendosmëria me të cilën ne do ta përballojmë këtë detyrë kaq të vështirë.

Do ta fillojmë në dy nivele paralelisht; Në nivelin e raporteve mes institucioneve buxhetore dhe publike me sistemin e shpërndarjes dhe paralelisht në raportin mes biznesit dhe sistemit të shpërndarjes.

Nuk do ta fillojmë, se do të ishte padrejtësi e madhe, drejtpërdrejt aty ku problem është mospagesa e atyre që janë në gjendje të vështirë ekonomike. Kjo ka qenë tallja cinike e të gjitha këtyre lloj Task-Forcave në të shkuarën.

Do ta fillojmë aty ku energjia vidhet për qëllime fitimi. Do ta fillojmë me vendosmëri dhe me shpresën e plotë se jo vetëm prokuroria, por edhe gjykata do të jetë në krahun e ligjit, ashtu siç ne këtu jemi në krahun e ligjit, dhe me shpresën se çdo vjedhës i energjisë do të marrë ndëshkimin që meriton, siç e ka përcaktuar ligji dhe se asnjë gjykatës dhe asnjë gjykatë nuk do gjejë kurajën të shkojë përtej ligjit, duke negociuar vendimin bazuar në interesa krejt të tjera nga interesat kombëtare dhe publike, që janë të përcaktuara qartë në gjithë boshtin e legjislacionit që ka të bëjë me detyrimet ndaj çdo shërbimi që kushton dhe ndaj atyre taksapaguesve që e mbajnë gjallë atë shërbim.

Përgjegjshmëria është e vetmja rrugë e transformimit; Përgjegjshmëria është e vetmja kulturë e një vendi normal që bazohet mbi ligje dhe institucione; Përgjegjshmëria është e vetmja rrugë për ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo katrahurë që kemi trashëguar në sistemin elektroenegjetik në tërësi dhe në sistemin e shpërndarjes në veçanti. Përgjegjshmëria është rruga që ne përcaktojmë sot edhe për këtë Task-Forcë.

Unë ju falënderoj të gjithëve për praninë tuaj! Falenderoj përulësisht të gjithë qytetarët, të gjithë sipërmarrësit dhe të gjitha institucionet që kanë mbajtur marrëdhënie korrekte ligjore me sistemin e shpërndarjes dhe që kanë paguar rregullisht energjinë. Pikërisht këtyre të parëve, qytetarëve dhe sipërmarrësve që janë pagues të rregullt të energjisë, ne u detyrohemi drejtësi në shpërndarjes e barrës së detyrimeve, që do të thotë që secili të paguajë për atë energji që konsumon. Jo ata që paguajnë të mbingarkohen me fatura që nuk u takojnë dhe ata që s’paguajnë, të bëjnë çfarë të duan në kurriz të të parëve.

Kjo është sfida. Këtë sfidë, ne duhet e do ta fitojmë në një aleancë të fortë me të gjithë qytetarët e interesuar për të pasur nesër një energji më të lirë, me të gjithë sipërmarrësit të interesuar për të pasur nesër një energji më të lirë dhe energjia mund të jetë më e lirë, vetëm në qoftë se e paguajnë të gjithë dhe vetëm në qoftë se secili paguan atë që merr dhe jo atë që nuk merr.

Faleminderit!

energjia.al 13.01.2014