Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Deputetët kundër ngritjes së HEC-it maqedonas në Lukovë

Projekti i Maqedonisë për ndërtimin e HEC-it në Fushën e Lukovës, ka ndezur diskutimet në Komisionin e Jashtëm , anëtarët e të cilit zhvilluan një seancë informimi me përfaqësuese nga Ministria e Jashtme lidhur me situatën e shqiptarëve në rajon, Maqedoni, Kosovë (në zonën e Preshevës), dhe në Mal të Zi, si dhe problemet që lidhen me të. Deputetët shqiptarët ngritën shqetësimin se projekti i qeverisë maqedonase rrezikon që të shterojë burimet që furnizojnë lumin Drin dhe rrjedhimisht edhe heqjen e mundësisë për shfrytëzimin e hidrocentraleve ekzistues. Deputetët e mazhorancës kërkuan rishikimin e marrëveshjes midis shteteve të rajonit për ujërat duke e cilësuar atë në kundërshtim me konventat ndërkombëtare. “Projekti na sjell edhe një herë në vëmendjen tonë çështjen e Rrjedhjeve ujore dhe zonave ujëmbajtëse ndërkufitare. Kjo çështje jo pak e diskutuar gjatë dekadës së fundit, mbetet ende një nga problemet kryesore për t’i debatuar në marrëdhëniet me fqinjët tanë. Sigurisht që ne mund të diskutojmë përsa u përket pikëpamjeve social- ekonomike dhe ndikimeve mjedisore në përgjithësi, por është tepër e rëndësishme që të përballemi me këtë problem në fushën ligjore dhe institucionale. Në vitin 2011 është firmosur marrëveshja “Drini”. Një vizion strategjik i përbashkët, ndërmjet Shqipërisë, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Greqisë, Kosovës dhe Malit të Zi. Është e qartë se drita jeshile për këtë projekt bie ndesh me këtë marrëveshje shumëpalëshe. Gjithashtu kjo marrëveshje është në kundërshtim me Konventën e Helsinkit “Për Mbrojtjen dhe përdorimin e Rrjedhave ujore dhe liqeneve ndërkufitare dhe Rezolutën 63/124 të Kombeve të Bashkuara Ligji për zonat ujëmbajtëse ndërkufitare”, mësohet të ketë deklaruar deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu. Përfaqësuesit e MPJ-së u shprehën se është ngrit një grup pune nga Ministria e Energjetikës që po merret me atë çështje, ndërsa sqaruan se pala maqedonase ka thënë që bëhet fjalë vetëm për një degë të vogël të një lumi që quhet Radeck dhe që s’ka ndikim në ujërat e Drinit.

Revista Monitor, 11.12.2013