Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shkollat profesionale, fillon furnizimi me energji elektrike

Kriza disamujore e energjisë elektrike në shkollat profesionale në kryeqytet duket se është zgjidhur. Lajmin e ka dhënë vetë ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”. Ai e konsideroi zgjidhjen e problematikës në një kohë kaq të shkurtër si një lajm të mirë për nxënësit e këtyre shkollave. “I lumtur që në kohë rekord zgjidhëm krizën disamujore të energjisë për shkollat profesionale të Tiranës. Lajm i mirë për mijëra nxënës. Suksese!”, shkruajti Veliaj në “Twitter”. Nga ana tjetër, përfaqësues të ministrisë kanë shpjeguar se zgjidhja është e përkohshme dhe ka ardhur si rezultat i një marrëveshjeje të arritur me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Ndërkohë që, i takon Bashkisë së Tiranës t’i japë një zgjidhje përfundimtare situatës së krijuar. Më herët, rreth 50 jetimë të strehuar në ambientet e Qendrës së Formimit Profesional nr.4 protestuan para Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, pasi vuanin mungesën e ujit dhe energjisë elektrike. Problematika u krijua për shkak të mospagesave të faturave të energjisë elektrike, gjë që detyroi “CEZ Shpërndarje”-n të ndërpriste furnizimin me energji. Pas protestave, nuk pati asnjë reagim për zgjidhjen e problematikës, ndërsa marrëveshja e djeshme është e para pas bërjes publike të skandalit.

Gazeta Shqiptare, 24.09.2013