Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Përfaqësues të TAP takime në Devoll, banorët: Kompensim real të tokave

Përfaqësues të Konsorciumit të Gazsjellësit Trans-Adriatik, kanë nisur takimet e para me pronarët e tokave nga ku do të kalojë gazjellësi, me një gjatësi prej 870 kilometra në Shqipëri, Greqi dhe Itali. 

Kontraktorët në Shqipëri, janë ndalur sot në komunën Progër të rrethit të Devollit, ku kanë biseduar me pronarët e tokave të fshatit Pilur rreth mundësisë së blerjes apo marrjes me qira të tokës, pikërisht aty ku do të kalojë kjo gjurmë e projektit, ndërsa u kanë sqaruar atyre ndikimin e projektit mbi tokën ,si dhe u kanë dhënë informacionin e nevojshëm mbi tubacionin e gazit natyror.

Përfaqësuesit e TAP gjithashtu u kanë bërë me dije banorëve se tashmë në këtë fshat janë autorizuar kontraktorët për fillimin e anketimeve dhe mbledhjen e informacionit mbi pronarët e tokave për të plotësuar të dhënat mbi këto prona. Projekti në fjalë do të kalojë larg zonës së banuar në këtë fshat dhe sipas përfaqësuesve pritet të kontribuojë në punësimin lokal.

“Projekti TAP do të mbështesë gjithashtu dhe vijimin e mbështetjes së rimëkëmbjes ekonomike të vendit. Është një ndër investimet kryesore të huaja në vend dhe normalisht do të ndikojë në krijimin e mundësive të punësimit për komunitet lokale”, sqaroi përfaqësuesi i TAP.

Ndërkaq, banorët kanë vlerësuar projektin në fjalë si më të rëndësishmin në Shqipëri ndërsa kanë kërkuar kompensim real për pronat e tyre

“Është shumë gjë e mirë, problemi i dytë kryesor është marrëveshja si do të paguhet toka. Shumicën e tokave ne e kemi pemtari, por them që duhet të jetë me leverdi. Nëse nuk paguhet toka si duhet, do jetë problem i madh”, u shpreh një banor i zonës.

“Problem i madh, ne jemi të kënaqur. Tokën e ka qeveria, do ti nuk do ti, çka për të bërë do e bëjë. Po sa më shumë të marrim aq më mirë është”, u shpreh një tjetër banor.

TAP do të kërkojë akses të përkohshëm në tokë për korridorin e ndërtimit dhe akses të përhershëm atje ku do të vendosen instalimet, si stacionet e valvulave, por premton konpensim real dhe para fillimit të punimeve në zonë. Gazsjellësi TAP pritet të përfundojë rreth vitit 2019 dhe do të transportojë gazin nga Shah Deniz II në Azerbajxhan drejt Europës.

www.balkanweb, 23.09.2013