Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

IPA jep 1.7 milion euro për reformimin e sektorit të energjisë në Maqedoni

Ministri i Ekonomisë Valon Saraçini shënoi sot fillimin e projektit IPA “Forcimi i kapaciteteve administrative të Sektorit të energjetikës në Ministrinë e Ekonomisë dhe në Agjencinë për Energjetikë”.

Me marrëveshjen e nënshkruar më 28 qershor 2013, e cila do të zbatohet gjatë një periudhe prej dy vitesh, Ministria e Ekonomisë do të marrë asistencë teknike nga Shtëpia konsultuese “ATC Consultants GmBH” nga Austria, e cila është në konsorcium me kompanitë “Energy Institute Hrvoje Pozar” nga Kroacia, “Norsk Energi” nga Norvegjia, si dhe me “Centre for Renewable Energy Sources and Savings” dhe “European Profiles S.A“ nga Greqia, me qëllim të realizimit të katër komponenteve të projektit.

Komponenti i parë dhe i fundit janë të ndërlidhura drejtpërdrejt me përmirësimin e kapaciteteve institucionale dhe funksionalitetin e Sektorit të Energjetikës, respektivisht Agjencisë së Energjetikës, pikërisht me politikat e efikasitetit energjetik dhe për energjitë e rinovueshme, ndërsa dy të tjerat kanë qëllime më të gjera.

“Zbatimi i këtyre katër komponentëve do të lejojë krijimin e tregut konkurrues të energjisë dhe integrimin etij në tregun energjetik rajonal dhe evropian. Me zbatimin e projektit të IPA-s, me vlerë 1.674.000 €, do të ofrojmë një kornizë të qëndrueshme, ligjore dhe rregullatore me të cilën do të tërheqim investime në sektorin e energjisë dhe do të kontribuojmë në zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin social të vendit”, tha Ministri Saraçini.

Ministri Saraçini sqaroi se komponenti i dytë do të rrisë shkallën e pajtueshmërisë me legjislacionin e BE-së, të përfshirë në Traktatin për themelimin e Komunitetit të Energjisë dhe legjislacionin e BE-së, ndërsa me komponentën e tretë do të lehtësohet zhvillimi i dokumenteve kryesore strategjike që janë të rëndësishme për përmirësimin e mëtejshëm të sektorit energjetik.

Përfaqësuesja e kompanisë austriake “АТC Consultants”, Gordana M. Jurukovska, njëkohësisht edhe drejtore e projektit tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm, dhe të tillë zbatohen në shumë vende.

“Konsulentët të cilët janë të zgjedhur me kujdes, do të punojnë shumë në këtë projekt për të sjellë njohuritë e tyre dhe këtë do ta fillojmë që sot” tha Jurukovska.

Përfaqësuesja e Delegacionit të BE-së, Elizabeta Gjorgjieva tha se Republika e Maqedonisë iu bashkëngjit Komunitetit energjetik në vitin 2006 dhe u zotua se do të përmbush kërkesat ambicioze, në drejtim të harmonizimit të legjislacionit të vendit me atë të Bashkimit Evropian, si dhe për forcimin e kapaciteteve në sektorin e energjetikës. Ajo shtoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të jetë partner i përkushtuar i Republikës së Maqedonisë, në mënyrë që të zhvillojë sektorin e energjisë përmes një shumëllojshmërie të instrumenteve të financimit.

energjia.al, 15.08.2013