Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Maqedonia e Veriut, Vlerësime nga BE për energjinë diellore

 

Mbikëqyrësi i Energjisë në Bashkimin Europian vlerësoi javën e kaluar Maqedoninë e Veriut për fillimin e një projekti pionier midis aspirantëve të BE-së për të shndërruar një minierë të vjetër qymyrguri në dy termocentrale diellore, në përputhje me objektivat për të ulur ndotjen dhe për të zgjidhur problematikat e ndryshimit të klimës, shkruan “Reuters”.

Blloku prej 27 anëtarësh ka prezantuar së fundmi planet e tij të përmbushjes së objektivave të emetimit neto të gazit serrë deri në mesin e këtij shekulli, por po përballet me rezistencë nga ana e anëtarëve të tij që janë më shumë të varur nga qymyrguri, ku listën e kryeson Polonia. Komuniteti i Energjisë, një organ ndërkombëtar i krijuar nga BE-ja dhe nëntë shtete anëtare që aspirojnë të bëhen pjesë e tij, synon të zgjerojë politikën e energjisë së bllokut edhe tek këto shtete aspirante.

“Me këtë projekt, Maqedonia e Veriut tregon një shembull të shkëlqyer se si rajonet që dikur vareshin nga fabrikat e qymyrgurit për prodhimin e energjisë mund të transformohen në termocentrale diellore, duke siguruar mundësi të reja punësimi për ish-punëtorët e fabrikave të qymyrgurit dhe njëkohësisht duke sjellë zhvillim të qëndrueshëm rajonal”, u shpreh gjatë një deklarate për shtyp, Janez Kopac, kreu i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë me qendër në Vjenë.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut publikoi një tender duke kërkuar që investitorët të ndërtojnë dy termocentrale të energjisë diellore me një kapacitet të kombinuar deri në 100 megavat (MW) në vendin ku dikur ka qenë fabrika e qymyrgurit, në fshatin perëndimor të Oslomej në një partneritet me ndërmarrjen shtetërore të energjisë elektrike, ESM. Çdo palë e interesuar mund të paraqesë deri më 8 maj, ofertat e tyre për këtë projekt, të vlerësuar në rreth 80 milionë euro (86.30 milionë dollarë amerikanë).

Kontrata do të jetë e vlefshme për 35 vjet, periudhë gjatë së cilës investitori privat do t’i paguajë ESM-së një tarifë vjetore të barabartë me 10% të të ardhurave nga shitja e prodhimit të energjisë së parkut diellor sipas çmimeve të tregut. Pas përfundimit të kësaj kontrate, ky termocentral do t’i dorëzohet ESM-së.

Sipas dokumentacionit të tenderit, fituesi do të jetë ai që do të ofrojë përqindjen më të lartë të të ardhurave nga energjia elektrike e shitur në tregun e lirë. Çmimi i energjisë në shkëmbimet rajonale HUPEX dhe OPCOM do të shërbejë si pikë referimi. Teksa Europa Perëndimore po largohet gjithnjë e më shumë nga prodhimi i energjisë nga fabrikat e qymyrgurit për të përmbushur objektivat e marrëveshjes së klimës, Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet ende rajoni ku ndodhen shtatë prej dhjetë fabrikave më të ndotura të qymyrgurit në Europë.

Rreth 1 600 njerëz vlerësohet të vdesin çdo vit përpara kohe, si rezultat i ekspozimit ndaj ajrit të ndotur në Maqedoninë e Veriut, shkruhej në raportin e publikuar në nëntor nga Banka Botërore.
Sipas raportit, kostoja ekonomike e vlerësuar, në lidhje me vdekshmërinë si pasojë e ekspozimit ndaj ajrit të ndotur është në intervalin prej 500–900 milionë dollarësh në vit, ekuivalente me 5.2–8.5% të prodhimit kombëtar në vitin 2016.

Monitor,  12.03.2020