Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Letër zotit Rama, nga një naftëtar

E prisja këtë test të popullit tim sepse nga urrejtja dhe urija, edhe gurët po çaheshin. Nuk kishte rrugë tjetër në 23 qershor. Zgjat shumë, po vjen një ditë kur buka e popullit të zë sytë, të mbyt. Kjo ndodhi edhe me enverizmin, paraardhësin e berishizmit. Simetri. Edhe këtë radhë, berishinjtë si pulat myzeqare, e kakarisën me lotë liderin e tyre të marrosur. Nostalgji.

Tani Berisha është një amoral, i zhveshur, pa lëkurë në trup dhe në faqe. Pa cipë. Berishinjtë e të gjithë krahëve, do të veshin një kostum tjerër, atë të Ramës. Si kameleonët, do nderrojnë brekët neilone a perlone… Por Berishen e çoi në trekendësh kjo Shqipëri e uritur, jo z.Rama.

Z.Rama, mbajeni mend mirë, këtë fitore ju e keni edhe nga nafta jonë, nafta Shqiptare. Ju duhet të llogarisni, sa tonë naftë kanë dalë këto vitet e fundit, nga nëntoka e Shqiperisë, sa para dhe në xhepat e kujt kanë perfunduar. Nafta jonë e ka nisur luftën që në vitin 1918, ajo ka qënë në luftë me të gjithë, tani afër edhe me ata “burrat e shtetit”. Po së fundi ajo ia shkroi këtë epitaf të zi jo vetëm Berishës por edhe atyre të huajve me ata emra të shemtuar që vinin në Shqipëri për ushqime organike dhe për seks shqiptar. Ata, naftën e prodhuar në Cakran, Gorisht dhe Mollaj për një vit, e kanë marrë si dietë udhetimi vetëm për një javë. Ndërsa unë me pensionistët e tjerë, zëmë radhen pa u gdhirë, per ato 170 dollarë mujor, për 35 vite punë në naftë.

Para disa vitesh, si qytetar dhe specialist nafte i shkrova letër Berishes të cilën e zbardha edhe në shtyp, po ai nuk ma vari. Nëse e do Shqiperinë vertete të pasur-i thashë-, mbaj varur në murin e zyrës tënde aty ne K/ministri, Hartën e Naftës Shqiptare.

Tani e kam muhabetin me ju z. Rama. Ju porosis të mbani varur në zyrën tuaj Hartën e Naftës Shqiptare. Nëse ju do ta administroni atë për të mirën e këtij populli, nuk ka për t’u gjetur asnjë e keqe, nuk do t’u trembë asnjë llojë berishizmi i vjetër apo i ri, ne Himarë nuk do na afrohet asnjë grek nga ata të ligjtë, kurse serbi do ngrejë ambasadë në Kosovë që nesër.

Në këtë fushatë elektorale ju premtuat se do ta shikoni seriozisht naftën, se do të anulloni gjithë marrëveshjet dhe allishverishet e qeverisë Shqiptare të Berishes me të huajit. Do t’ju monitorojmë nëse do ta mbani fjalën. Ç’është e vërteta, mua nuk më pëlqeu shumë starti juaj i parë. Ju falenderuat Berishën për ato të mira që paska bërë(!?) Cilat të mira?! Sikur në atë 21 Janar, ju të kishit qënë në krye te turmës, me siguri do ta kishit ngrënë një plumb gjithashtu. Kjo është ajo e mira që thoni ju?

Kam dëgjuar të flitet për rotacion, domethënë, një herë PD-ja, një herë PS-ja, e keshtu me radhë. Nafta nuk njeh rotacione, nuk ka ma hipe, ta hipa. Ka llogari para popullit. Nafta është në krahë të popullit, në opozitë të përhershme me qeveritë që vinë dhe ikin si stinët. Nafta Shqiptare e coi ne trekëndësh Berishën, sepse ai naftën tonë e shkaterroi me rrënjë, me vetëdije të plotë. I nderuar, për ne naftëtarët, Shqiperia nuk matet me km2, por me puse nafte. Pranë puseve janë akoma si rrenoja luftrash barbare, copat e betonit ku ne ngritem barakat, gati pesëdhjetë vite. Aty me moshën tuaj.

Të huajit ia rrasën Berishës, ata i kërkuan më shumë naftë për ta lënë në pushtet edhe disa vite të tjerë, po ata e panë që ai po lajthiste prandaj ndryshuan kursin. Berisha mendonte se me psikologjinë e të huajeve dhe me fuqinë e mercenarëve, do të qëndronte në pushtet për një kohë të gjatë, të mbahej mënd si Ivani i Tmerrshëm. Por asgjë nuk e zbuti urrejtjen e popullit tim. Sovrani votoi kunder tij. Të huajit na morën naftën. Kurse Berishës i dhanë një shqelm bythëve. Berishën e zuri buka e popullit. Po jo vetëm atë, buka e popullit ka zënë të gjithë suitën e tij. Konsulli britanik në Francë, Eden, që ishte njëkohesisht edhe person i Inteligjencë Servisit, në vitin 1934, në Paris në një bisedë i thotë një të arratisuri politik shqiptar: “Vajguri ju përzuri edhe ju nga Shqiperia dhe pruri Zogun në fuqi” (S. Vllamasi, “Kujtime”, pjesa II, f. 291)

Z. Rama, unë jam binjak me naftën. Ju duhet të mesoni emërat e gjithë specialistëve të naftës dhe me pas ti mblidhëni në një salle të madhe, ti pyesni, cfarë duhet bërë për naftën, si ta rikonstruktojmë, si ta administrojmë, si të zbulojmë vendburime të reja. Nëse ju do të komunikoni me ta si shokë, tu kërkoni projekte, ata do tu ofrojnë jo një po me dhjetëra dhe pa asnjë interes. Ne kemi specialistët tanë të mrekullueshëm, kemi Kadri Ramën, Dhimitër Gjeneralin, Telo Velaj, Vangjel Kicin, Ramadan Perhatin, Engjell Perrenjasin, Alfred Frasherin e shume te tjerë, të cilët do tu thonë si duhet trajtuar nafta shqiptare, ata do t’u japin disa projekte.

Me specialistët shqiptarë, prodhimi i naftës shumë shpejt do të ngrihet në 5 milion t/n. A e imagjinoni, cdo të thotë pesë million t/n ne vit!? Ne nuk i duam ata të huajt, me ata tituj shkencorë që të trembin. Unë kam disa intervista për naftën shqiptare. Me ato intervista, ju do të kuptoni naftës tonë, do të kuptoni përse militantët e PD-së dhe të huajit ia rrisin asaj përqindjen e Squfurit më tepër se sa duhet, përse ata i trajtojnë ato vendburime si tokë të djegur, përse nga histerizmi për të vjedhur, po shembn tokë dhe nëntokë…

Së pari ju duhet të krihni mirë të gjithë ata pseudospecialistë apo pseudoshkencetarë, ulur këmbëkryq nëpër ato drejtori të drejtorive, nënshkrues të atyre marrëveshjeve skllavëruese me të huajit në dëm të Shqiperisë. Besoj se e keni lexuar librin “Nafta dhe Politika ” shkruar nga Prof. Dr. Maksim Shuli, ish deputet në krahun tuaj. Me siguri këta pseudoshkencetarë, do të vinë te antarsohen në partinë tuaj. Por është turp t’i mbani.

Të rihapet Instituti i Naftes në Fier, të ringrihen ndrëmarrjet e naftës, të administrohet mirë Albpetroli… Këto reforma, nuk mund të bëhen me ata dhjetë legena që ka lënë Berisha në Albpetrol dhe nëpër dikastere. Me siguri kjo specie, do fillojë tu lëpihet juve, për të mbrojtur vjedhjet. Mos e lejoni. Dhe mos bëni shaka të thërrisni për konsultime “biznesmenë apo specialistë të tuaj”. Kjo do të ishte rrëshqitja juaj e madhe. Kur ne nxorëm nga nëntoka jone, 2 milion e 200 mijë T/N ne vit, nuk u konsultuam me të huajt. Kemi specialistët tanë ata PA PARTI, të ndershëm dhe patriotë, prandaj mblidhuni dhe konsultohuni me ta. Disa specialistë shqiptarë u arsimun dhe u kualifikuan jashtë shtetit me paratë e ketij populli, ata tani janë te punësuar nëpër kompani të huaja. Pamvarsisht se paguhen mirë, ata janë gati të kthehen në Shqipëri. Ju takon juve t’u jepni punë sepse nafta është ekonomi, strategji, politikë, pavarësi…Populli dhe Zoti ju dha një shans historik. Tani e keni radhën ju. Duhet guxim. Pa guxim, të gjitha virtytet e tjera humbasin kuptimin e tyre, – thotë Çurcill. Bëni ato që i duhen popullit dhe jo ato që i duhen një grushti njerëzish. Dhe atëherë do ta shihni se si ky popull i uritur në mes të naftës, do t’u ndjek hap pas hapi.

Ing.Ahmet Çollaku – Gazeta Dita, 05.07.2013