Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Financat, “Kurum” sikletos qeverinë

Privatizimi i katër hidrocentraleve ka futur në vështirësi qeverinë shqiptare. Pasi priti më shumë se 6 muaj për t’i shitur dhe dy muaj për të marrë paratë, në vlerë afro 110 milionë euro, tashmë mësohet lajmi se kompania fituese “Kurum” nuk është në gjendje t’i përgjigjet çmimit të blerjes. Kompania u përzgjodh për ofertën më të mirë, në tenderin e zhvilluar më 22 dhjetor 2012, ndërsa në shkurt u shpall zyrtarisht fituese, në garën ku morën pjesë rreth 10 kompani, të huaja dhe vendase.
Me lidhjen e kontratës në muajin mars, mes kompanisë turke dhe Ministrisë së Ekonomisë, u vendos afati prej 45 ditësh që bënte të mundur derdhjen e shumës. Në kushtet kur garancia se paratë do të derdheshin nga “Kurum” në arkën e shtetit, maksimumi në fillim të muajit maj, atëherë Ministria e Financave, e vendosur nën presionin e shlyerjes së borxheve të prapambetura ndaj firmave të ndërtimit, merr hua paradhënie te bankat private, në vlerë rreth 12 miliardë lekë.
Tashmë mësohet se turqit e çelikut të Elbasanit nuk kanë në gjendje të paguajnë çmimin e blerjes së katër hidrocentraleve, “Bistrica I-II” dhe “Ulza-Shkopeti”, me kapacitet rreth 78 megavat. Për të mbyllur likuidimin, kompania po kërkon të marrë hua te bankat dhe prej kohësh ka hyrë në negociata. Sakaq, burime nga IFC-ja, konfirmojnë për “Top Channel” se “Kurum” ka hyrë në bisedime edhe me këtë institucion financiar, degë tregtare e Bankës Botërore, madje po shikohet mundësia e përfshirjes së institucioneve ndërkombëtare financiare si aksioner i veprave energjetike.
IFC kishte rol vendimtar në procesin e privatizimit të katër hidrocentraleve, pasi asistoi qeverinë për të realizuar shitjen më të suksesshme, ndaj nuk përjashtohet mundësia e përfshirjes së këtij institucioni në operacion.
Situata e fundit me “Kurum” ka vendosur në siklet financat e shtetit shqiptar. Qeveria kishte marrë garanci se paratë do të vinin dhe mori hua. Nga këto shuma, rreth 9 miliardë lekë janë për shlyerjen e faturave të prapambetura në sektorin e rrugëve kombëtare, rreth 2 miliardë për rrugët në zonat rurale, dhe më tej për ujësjellësit.
Privatizimi i objekteve energjetike ishte rast që u shfrytëzua nga qeveria për të mbuluar deficitet në arkën e shtetit. Ky fakt u pranua edhe nga vetë ministri i Financave, kur deklaroi në Kuvend ditën e miratimit të kontratës se “kishim nevojë për para, ndaj i shitën”.
Borxhet e njohura nga Ministria e Financave ndaj firmave ndërtuese arrin në rreth 12 miliardë lekë, por mendohet se detyrimi kap shifrën e të paktën 25 miliardë lekëve, jo vetëm për punime të palikuiduara në sektorin e rrugëve, por edhe për shkollat dhe spitalet.
Në këto kushte detyrimesh të paplotësuara, përfshi dhe keqadministrimin e të ardhurave nga tatimet dhe doganat, duke mospërformuar si duhet, qeveria e pa të arsyeshme që paratë nga shitja e objekteve të përdoren për likuidimin e një pjese të detyrimeve.
Dosja e shitjes së 4 hidrocentraleve, të cilat garantojnë të paktën 20 milionë euro të ardhura në vit nuk ka kaloi pa debate, e deri me padi në prokurori, sa i takon çmimit të shitjes. Gjithashtu, politikanët në opozitë kanë deklaruar jo pak herë se do të rishikojnë kontratën e privatizimit të objekteve, duke mos përjashtuar edhe koncesionet e dhëna në sektorin e HEC-ve.
Arkëtimet
Tremujori, buxhetit i mungojnë 4 mld lekë
Të dhënat paraprake të Ministrisë së Financave, tregojnë se gjatë muajit mars të ardhurat në buxhet llogariten në vlerën 75.5 miliardë lekë, ndërkohë që ishin planifikuar 79.6 miliardë lekë. Diferenca minus prej katër miliardë lekësh pritet të thellohet akoma e më shumë në muajt në vazhdim, duke konfirmuar gjendjen e krizës që po kalon vendi, jo vetëm në aspektin ekonomik, por tashmë edhe në atë politik. Mungesa e të ardhurave sipas planit, ka detyruar qeverinë të tregohet më e matur me shpenzimet, duke realizuar 88.8 miliardë lekë, nga 94 miliardë lekë të programuara, gjithnjë sipas të dhënave paraprake. Natyrshëm që këto deficite do të mbulohen duke marrë borxh nga qeveria te bankat, e cila e ka nisur fushatën elektorale më herët se zakonisht. Mësohet nga të dhënat e Ministrisë së Financave se, deficiti deri në muajin mars ishte rreth 13.2 miliardë lekë, ndërsa për të gjithë vitin parashikohet të jetë afro 49 miliardë lekë. Këto nuk janë lajme të mira, nëse kemi parasysh edhe uljen e taksave (premtim elektoral i dy muajve të fundit), me efekt minus në buxhet prej 20 miliardë lekësh.

Gazeta Shqip, 16.04.20123