Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rimëkëmbet Kurum, del nga proçedura e falimentit

Kurum International, kompania më e madhe e prodhimit të çelikut dhe një ndër eksportueset më të mëdha në vend, ka dalë nga procedura e falimentimit, që kishte shpallur në mars të vitit 2016.

Arif Shkalla, drejtor i financave në Kurum, pohoi për ‘Monitor’ se në muajin dhjetor 2018, Gjykata e Tiranës i dha fund procedurës së falimentimit, duke e kthyer shoqërinë në gjendjen e mëparshme, për të vijuar të zbatojë planin e ri të organizimit të saj për të gjithë periudhën e zbatimit deri në vitin 2024. “Pra, procedura e falimentit konsiderohet e mbyllur dhe shoqëria është me statusin aktiv, por gjithsesi nën mbikëqyrjen e Mbikëqyrëses së Planit të Ri të organizimit dhe kreditorëve të saj”, pohon drejtori i financave të Kurum.

Falimenti dhe rimëkëmbja

Pasi shpalli falimentin në fillim të 2016-s për efekt ristrukturimi, sipërmarrjes së përpunimit të çelikut, Kurum International, iu desh të kalonte në një proces të vështirë ristrukturimi të aktivitetit dhe të detyrimeve e kredive që kishte ndaj të tretëve. Rezultatet u dukën që në vitin 2017, kur të ardhurat u rritën me 62%, kompania u rikthye me rezultat financiar pozitiv, duke treguar se ky proces, për herë të parë në Shqipëri, funksionoi. Edhe në vitin 2018, ecuria ishte pozitive, ku u prodhuan 375 mijë tonë hekur ndërtimi, nga 325 mijë vitin e mëparshëm (rritje 15%).

Në 2019-n pritet prodhimi i 400 mijë ton hekur

Pritshmëritë mbeten të larta edhe për vitin 2019. “Kompania Kurum International pritet të vijojë me ritme të njëjta punën në të gjithë sektorët e saj, në sektorin e prodhimit të hekurit të ndërtimit, duke parashikuar prodhim pak më të lartë se 2018-a, duke synuar prodhimin e rreth 400 mijë tonë hekur ndërtimi”, tha Arif Shkalla, drejtor i financave në Kurum.

Sektori i energjisë pritet të vijojë me ritme të kënaqshme si në 2018, por gjithsesi do të jetë i varur nga situata hidrike. Qarkullimi vjetor pritet të rritet me rreth 5%.

Shkalla shton se shoqëria e fillon vitin 2019 me një periudhë 2-mujore investimi, në fabrikën e petëzimit dhe në atë të çelikut. Konkretisht do të rinovohet furra e ngrohjes së prokateve të çelikut në fabrikën e petëzimit, duke bërë të mundur rritjen e kapacitetit prodhues dhe përmirësimin e eficencës së furrës në vijim. Investimet në fabrika kapin shifrën e rreth 1.5 milionë eurove.

Ndërsa vijon edhe gjatë 2019-s investimi për rehabilitimin e plotë të HEC Ulëz, në të cilin është në përfundim zëvendësimi i dy agregateve prodhuese dhe në 2019 pritet të përfundojë i plotë zëvendësimi i dy agregateve të tjera.

Tregjet kryesore të Kurum mbeten vendet e rajonit, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi. “Ashtu si edhe në vitin 2018, shoqëria ka eksportuar rreth 70% të produkteve të saj, edhe në 2019 pritshmëria është që tregu kryesor i shoqërisë të mbetet eksporti”, thotë Shkalla. Ai shton se pritshmëria e tregut të brendshëm nuk rezulton të jetë më e mirë se 2018-a. Kujtojmë që tregu i brendshëm gjatë 2018-s ishte pak a shumë në të njëjtat volume si në 2017 dhe nuk pritet ndonjë rritje apo ndryshim i madh në vitin 2019”.

Kreditë po shlyhen

Në momentin që Kurum shpalli falimentin, puna e parë ishte verifikimi i gjendjeve financiare dhe i pretendimeve të kreditorëve. Në qershor 2016 u miratua pretendimi i kreditorëve që ishte 226 milionë euro, për të cilat nuk pati kundërshtime. Kredia në 6 banka shqiptare arrinte në total 35 milionë euro. Ndaj IFC, pretendimi ishte 72 milionë euro dhe ndaj Bankës së Detit të Zi, 17 milionë euro (të dyja të siguruara, së bashku me pjesën e bankave shqiptare që ishin palë në kredinë sindikatë). Pjesa tjetër e pretendimit ishte ndaj bankave turke.

Pas një procesi të zgjatur në gjykatë, më 30 qershor 2017 u miratua me vendim gjykate dhe votat e kreditorëve plani i organizimit të kompanisë, që parashikonte kthimin e detyrimit dhe interesave. Për kreditë e pasiguruara, interesi u ul në normën referencë europiane Euribor +2%, ndërkohë që më parë marzhi ndaj Euribor ishte +4 apo 4.5. Për kreditë që ishin të siguruara (IFC dhe Banka e Detit të Zi dhe bankat shqiptare që ishin pjesë e huasë sindikatë), interesat nuk u ndryshuan.

Nga 1 janari 2018 filloi pagimi i rregullt i principalit dhe interesat (interesa çdo muaj dhe principali çdo tre muaj).

Shkalla thotë se shoqëria ka vijuar edhe në 2018 të zbatojë planin e ri të organizimit të miratuar me vendimin e Gjykatës së Tiranës, duke shlyer kreditorët e saj sipas parashikimeve në këtë plan.

Monitor,  11.01.2019