Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kurum le pas periudhën e vështirë, del nga falimenti

Flet Arif Shkalla, drejtor i financës i “Kurum”

Vështirësitë që hasi prodhuesi më i madh i çelikut në vend, “Kurum”, në periudhën 2015-2016 tashmë duket se janë lënë pas. Plani i ristrukturimit të kompanisë po funksionon, kreditorët po shlyhen, ndërsa janë shtuar projektet për investime. Arif Shkalla, drejtor i financës i “Kurum” pohon se gjatë 2018-s, pati një zhvillim lidhur me statusin e shoqërisë, me vendim të Gjykatës së Tiranës, nëpërmjet vendimit numër 10234, datë 11.12.2018, ka ndryshuar statusin e shoqërisë, duke e kthyer nga shoqëri në “faliment” në status shoqëri “aktive”.

Shkalla thotë se shoqëria është në negociata me kreditorët për riaktivizimin e saj në tregun financiar, si dhe për rinegocim të kushteve të kreditorëve me kreditorë të veçantë, duke plotësuar kërkesat e tyre.

Si ka qenë ecuria e “Kurum” në vitin 2018 dhe në pjesën e parë të 2019-s?

“Kurum International”, gjatë vitit 2018 dhe në 6-mujorin e parë të 2019, ka vijuar të ketë ecuri të mirë të aktivitetit, duke vazhduar rritjen e aktivitetit të filluar që në vitin 2017, pas periudhës së vështirë të viteve 2015-2016.

Shoqëria “Kurum International” vijon të jetë lideri i industrisë shqiptare, prodhimit të produktit “Made in Albania” dhe të mbetet eksportuesi kryesor në vend i produkteve industriale, (prodhim tërësisht shqiptar, në ndryshim nga fason apo edhe nga eksporti i lëndëve të para hidrokarbure apo minerale).

Gjatë vitit 2018, shoqëria realizoi në total një volum prej 25,717 miliardë lekësh, ose shprehur në euro, 208.43 mln euro të ardhura, me një rritje prej 5.84 miliardë lekësh, apo 29.4% më shumë se viti 2017. Në vitin 2018, janë prodhuar 403.581 tonë prokatë çeliku (lingota) në fabrikën e çelikut dhe nga këto, janë prodhuar 378.482 tonë shufra hekuri në fabrikën e petëzimit. Janë shitur 374.147 tonë shufra hekuri për ndërtim.

Edhe sektori i prodhimit të energjisë elektrike ka pasur ecuri të mirë, pavarësisht situatës jo të favorshme hidrike në 6-mujorin e dytë 2018. Janë prodhuar gjithsej 380.029 MW energji elektrike në 4 hidrocentralet HEC Ulëz, Shkopet dhe HEC Bistrica 1 e Bistrica 2. Nga prodhimi i energjisë 228.000 MW janë destinuar për shitje dhe pjesa tjetër, për konsum në fabrika. Në shifra financiare, shoqëria ka realizuar një fitim operativ prej 1.634 miliardë lekësh, fitim para tatimit 704.585.407 lekë dhe fitim neto (pas tatimit) 599.643.018 lekë.

Gjatë vitit 2018, Shoqëria vijoi me Planin e miratuar të Ristrukturimit, duke përmbushur kushtet e planit, në zbatim të Vendimit të Gjykatës, datë 30.6.2017. Gjatë këtij viti janë paguar kreditorët sipas parashikimeve në plan, duke filluar edhe pagesat e principaleve për të dyja grupet e kreditorëve, qoftë për kreditorët e siguruar, ashtu dhe për ata të pasiguruar. Sipas vlerësimeve të bëra, në total janë shlyer rreth 13 milionë euro në principale dhe rreth 3.5 milionë euro interesa ndaj kreditorëve.

Sipas drejtimit, në vitin 2018 janë implementuar investime kapitale (CAPEX) për të mundësuar rritjen e rendimentit në prodhim dhe optimizimin e kostove në tërësi. Në fillimin e 2019 përfundoi investimi në Furrën e re të Fabrikës së Petëzimit, që garanton një ecuri të paktën 10-vjeçare në fabrikën e petëzimit. Po në këtë periudhë, përfundoi edhe investimi në përmirësimin e sistemit të pluhurkapjes (filtrave) në fabrikën e çelikut, duke instaluar një teknologji të re, bashkëkohore, për të ulur në minimum pluhurat e dëmshëm në mjedis.

Gjatë vitit 2019, shoqëria planifikon:

-Të rrisë volumin e prodhimit të çelikut në 400,000 tonë shufra çeliku;
-Të rrisë volumin e shitjes në 400,000 tonë shufra çeliku;
-Të përfundojë planin e investimit në Fabrikën e Petëzimit dhe Çelikut; dhe
-Të arrijë të gjenerojë shitje mbi nivelin e 220 milionë euro.

Si e prisni ecurinë për periudhën në vijim?

Gjatë vitit 2019, shoqëria parashikon:

-Të rrisë volumin e prodhimit të çelikut në 400,000 tonë shufra çeliku;
-Të rrisë volumin e shitjes në 400,000 tonë shufra çeliku;
-Të përfundojë planin e investimit në Fabrikën e Petëzimit dhe Çelikut; dhe
-Të arrijë të gjenerojë shitje mbi nivelin e 220-225 milionë euro.

Cilat janë planet tuaja për investime?

Gjatë këtij viti, në bashkëpunim edhe me një partner shqiptar, po investohet në një linjë të re të prodhimit të hekurit katange (rrota hekuri të pandërprera), investim i cili ka përfunduar në gjysmën e parë të 2019-s dhe është vënë në shfrytëzim. Kjo linjë totalisht e re do të garantojë prodhimin e një lloji produkti të ri, që tregu rajonal ka shumë nevojë, i cili deri më tani prodhohej pak në linjën e vjetër apo importohej me qëllim rishitje.

Në gjysmën e dytë të 2019 deri në 2020, pritet të fillojë investimi në një linjë të re të përpunimit të hekurit katange, për të prodhuar tel të galvanizuar, në bashkëpunim me një partner të huaj, linjë kjo që do të vendoset pranë kombinatit metalurgjik, në ambientet e fabrikës së petëzimit. Kjo linjë, me një investim të parashikuar rreth 6 mln euro, pritet të diversifikojë produktet tona, si dhe të garantojë rritjen e eksporteve.

Si e prisni ecurinë e aktivitetit në Shqipëri, nisur nga zhvillimet në sektorin e ndërtimit dhe projekteve në infrastrukturë?

Ashtu si në vitet e kaluara, tregu rajonal, apo tregu ballkanik është tregu që shoqëria synon, duke qenë se vijon të jetë eksportues më së shumti në shitjet e veta. Aktualisht, afërsisht 67-70% e shitjeve janë për eksport dhe 30-33% e shitjeve janë për tregun vendas. Gjithsesi, pritet që edhe për të paktën 2019-2020, sektori i ndërtimit, veçanërisht ai imobiliar, të vijojë të ketë kërkesë të shtuar për hekur ndërtimi, çka për planet afatshkurtra të shoqërisë, korrespondon në rritjen e kapacitetit prodhues për t’u afruar në nivelet 400-450.000 tonë në vit.
Ndër projektet infrastrukturore që priten të kenë ndikim në 2019-2020, janë Rruga e Arbrit, rrugët e tjera me koncesion, si dhe projektet infrastrukturore në Kosovë, Autostrada e Re në Serbi, (“Bechtel Enka” është klienti ynë kryesor në këto projekte infrastrukturore).

Cilat janë planet tuaja për eksporte dhe cilët vlerësoni se janë tregjet më potenciale?

Siç e kemi përmendur edhe më lart, eksportet janë pjesa e luanit në tregun tonë, kryesisht vendet rajonale, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal i Zi. Vendosja e taksës së reciprocitetit nga Kosova për Bosnjë – Hercegovinën dhe Serbinë, natyrisht pati ndikim të madh në rritjen e tregut në Kosovë, ku aktualisht “Kurum” është pothuajse dominues me rreth 90-92% të tregut. Gjatë fundit të 2019-2020, është parashikuar ndryshim në këtë taksë, duke e minimizuar këtë avantazh konkurrues.

Por, nga ana tjetër, gjatë 2018, shoqëria ka zbatuar një strategji mjaft tërheqëse për firmat tregtare e distributore të hekurit të saj në Kosovë, duke tërhequr ish-distributorët e konkurrentëve boshnjakë e serbë, dhe duke lidhur kontrata mjaft avantazhuese me ta. Shtimi i gamës së produkteve në 2019, futja e hekurit katange prodhim vendas, duke konkurruar importin nga Bosnja apo nga Italia, do të ndihmojë shoqërinë “Kurum International” të ruajë pozitën dominuese në treg.

Si do ta vlerësonit ecurinë e planit të kompanisë për ristrukturim?

Siç e kemi përmendur më lart, shoqëria ka vijuar me zbatimin e planit të ristrukturimit, duke vijuar pagesat për kreditorët e saj sipas planit. Gjithashtu, gjatë 2018-s, pati një zhvillim lidhur me statusin e shoqërisë, me vendim të Gjykatës së Tiranës, nëpërmjet vendimit numër 10234, datë 11.12.2018, ka ndryshuar statusin e shoqërisë, duke e kthyer nga shoqëri në “faliment” në status shoqëri “aktive”. Natyrisht, shoqëria do të vijojë të zbatojë planin e ri të organizimit. Gjatë 2019, shoqëria është në negociata me kreditorët për riaktivizimin e saj në tregun financiar, si dhe për rinegocim të kushteve të kreditorëve me kreditorë të veçantë, duke plotësuar kërkesat e tyre.

Si do ta vlerësonit mjedisin për të bërë biznes në Shqipëri?

Natyrisht që klima e biznesit në Shqipëri mbetet mjaft angazhuese, të bërit biznes, sidomos në nivel industrial, mbetet i vështirë për t’u përballuar nga sipërmarrësit si shqiptarë, ashtu edhe të huaj. Problemet me rimbursimin e TVSH-së, burokracitë nga administrata, sistemi gjyqësor, vështirësitë në tregun e punës, vështirësitë në rrjetin e shitjes apo vështirësitë në rrjetin e furnizuesve, kërkesat në rritje të palëve të treta të shoqërisë, angazhimi për të përmbushur objektivat sociale etj., e bëjnë të bërit biznes në Shqipëri më të vështirë se 10-15 vite më parë.

Sot, besoj se Shqipëria ka humbur disa nga avantazhet konkurruese që ka pasur, si krahun e lirë të punës, por ka fituar disa avantazhe të tjera, si përmirësimi i infrastrukturës, lehtësitë administrative etj.

Monitor,  30.09.2019