Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Hiqet me ligj monopoli i transmetimit & furnizimit te gazit natyror

LIGJ Nr. 6/2013 PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 9946, DATË 30.6.2008 “PËR SEKTORIN E GAZIT NATYROR”
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Neni 1
Në nenin 14 të ligjit nr. 9946, datë 30.6.2008 “Për sektorin e gazit natyror”, bëhen këto ndryshime:
a) Pikat 3 dhe 4 ndryshohen si më poshtë:
“3. ERE i jep licencë për transmetimin e gazit natyror vetëm një personi, për një territor të caktuar. Përjashtim bëhet vetëm për rastet kur në këtë territor është e domosdoshme të shtrihen dhe të kryejnë aktivitet infrastruktura të transmetimit të gazit me rëndësi strategjike dhe kombëtare, të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave.
Dhënia e licencës bëhet mbi bazën e kritereve të efiçencës dhe balancës ekonomike për operatorin e sistemit dhe duke siguruar që aktiviteti i licencuar do të kryhet në përputhje me të drejtat dhe përgjegjësitë e përcaktuara në seksionin I të kreut IV të këtij ligji.
4. ERE i jep licencë për shpërndarjen dhe furnizimin e klientëve tariforë me gaz natyror vetëm një personi, për një zonë të caktuar shërbimi. Përjashtim bëhet vetëm për rastet kur në këtë territor është e domosdoshme të shtrihen dhe të kryejnë aktivitet infrastruktura të shpërndarjes dhe furnizimit të klientëve tariforë me gaz me rëndësi strategjike dhe kombëtare, të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave.
Dhënia e licencës bëhet mbi bazën e kritereve të efiçencës dhe balancës ekonomike për operatorin e sistemit dhe duke siguruar që aktiviteti i licencuar do të kryhet në përputhje me të drejtat dhe përgjegjësitë e përcaktuara në seksionin II të kreut IV të këtij ligji.”.
b) Pas pikës 8 shtohet pika 9 me këtë përmbajtje:
“9. Përcaktimi i zonave të transmetimit dhe të shpërndarjes, të përmendura në pikat 3 dhe 4 të këtij neni, bëhet me udhëzim të ERE-s. Në përcaktimin e zonave të transmetimit dhe shpërndarjes dhe kushteve të licencës ERE merr në konsideratë kritere teknike dhe ekonomike të eficencës dhe balancës ekonomike, zhvillimin e rrjetit dhe të tregut të gazit në vend dhe ndërveprimin ndërmjet sistemeve përbërëse të vendit dhe me ato të rajonit.”.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Miratuar në datën 14.2.2013
Shpallur me dekretin nr. 7958, datë 25.2.2013 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani
Ky ligj është përafruar plotësisht me:
Nenin 24 të Direktivës 2009/73/KE të Parlamentit Europian dhe të Këshillit, datë 13 korrik 2009 “Mbi rregullat e përbashkëta për tregun e brendshëm për gazin natyror, e cila shfuqizon direktivën 2003/55/KE”. Numri CELEX: 32009L0073, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Europian, Seria L, Nr. 211, datë 14.08.2009, faqe 94 – 136.

energjia.al, 04.03.2013