Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shqipëria, masterplan për gazifikimin e vendit

Ministria e Ekonomisë, në muajt në vijim, do të nisë hartimin e një masterplani për gazifikimin e vendit. Të interesuar për financimin e projektit të fizibilitetit janë aksionerët e projektit TAP, por edhe kompania azere SOCAR…
Shqipëria është një nga të paktat vende që nuk ka një rrjet të brendshëm gazi. E përfshirë në projektin Trans Adriatic Pipeline, nevoja për të ndërtuar një infrastrukturë tashmë artikulohet si urgjente, në mos e vonuar. Institucionet e specializuara (METE dhe ERE) janë duke u marrë me hartimin e kuadrit të nevojshëm ligjor, në bazë të të cilit do të krijohet ai që do të quhet masterplani i zhvillimit të sektorit të gazit në Shqipëri. Rrugët nga mendohet se do të furnizohemi me gaz janë: Lindja e Mesme, projekti i gazsjellësit IAP (Ionian Adriatic Pipeline që lidhet me Kroacinë e që do të japë lëvizje dhe rrjedhje të gazit në dy kahe), por edhe zbulimi i vendburimeve të reja të gazit. Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në muajt në vazhdim do të mund të flitet për nisjen e punës për hartimin e masterplanit të gazit.
Edhe pse tregu i gazit është pothuajse inekzistent, Shqipëria ka pasur një histori prodhimi të gazit, që në momente të caktuara ka arritur deri edhe në 1 miliard kub në vit. Ky gaz përdorej kryesisht në sektorin e industrisë, por edhe në gjenerimin e energjisë elektrike. Me kalimin e viteve, burimet kryesore të gazit, që ndodhen kryesisht në Shqipërinë e Mesme, shteruan prodhimin, deri sa tani kemi të bëjmë me një prodhim minimal që përdoret kryesisht për nevoja teknologjike.
Për zhvillimin e tregut dhe gazifikimit të vendit, objektivi i qeverisë shqiptare është realizimi i lidhjes me rrjetin rajonal të gazit, e cila do të bëhet e mundur në bazë të projekteve që janë në diskutim, përfshi këtu projektin TAP, por edhe “Unazën” e gazit që do të lidhë vendet e Ballkanit Perëndimor. Një tjetër objektiv që ka lidhje me zhvillimin e sektorit të gazit është edhe përfshirja e industrisë ekzistuese të gazit, ajo që aktualisht menaxhohet nga kompania “Albpetrol”, me qëllim përshpejtimin e procesit të transmetimit, por edhe të shpërndarjes. Për arritjen e këtyre objektivave është krijuar kuadri rregullator i ndërtuar në përputhje me direktivat e BE-së (pjesë e paketës së dytë). Është duke u kompletuar paralelisht edhe kuadri teknik, nga bashkëpunimi i METE-s me një institucion gjerman, për ndërtimin e rregullave të sektorit të gazit, por edhe për krijimin e kuadrit të nevojshëm për të mos penguar zhvillimin e projekteve që janë në proces. Është duke u përgatitur nga ERE kuadri rregullator për zhvillimin dhe menaxhimin e tregut të gazit në Shqipëri.
Në procesin e zhvillimit të gazit, të rëndësishme janë edhe rrugët e furnizimit me gaz që janë nga Lindja e Mesme, projekti IAP me Kroacinë (që do të krijojë lëvizje dhe rrjedhje të gazit në dy kahe), vlerësim nga qeveria iu është dhënë edhe mundësive për zbulimin e vendburimeve të reja të gazit nëpërmjet thithjes së investimeve të huaja. Këto janë mundësitë që ka Shqipëria për të përfituar në të ardhmen. Për sa u përket zhvillimeve aktuale të kërkesës për gaz, duke qenë se ekonomia shqiptare furnizohet me energji nga dy burime kryesore nga nënproduktet e naftës që zënë rreth 60% dhe nga energjia elektrike (me bazë hidro) që zë rreth 28%, atëherë është e domosdoshme që ekonomia, por veçanërisht industria, duhet të ketë një alternativë tjetër siç është gazi natyror. Një konsumator i gazit është ai i sektorit të energjisë termocentrale, siç është ai i Vlorës, që është i përgatitur për të konsumuar gaz që ka mundësi konsumi deri në 300 megavat, ai i Fierit, ku do të bëhet edhe kalimi i projektit TAP, si dhe konsumi në industri të tjera, si ajo e çimentos, çelikut apo e metaleve etj. Në këtë situatë, kur kërkesa është imediate nga këto industri për gaz, lidhja e Shqipërisë me rrjetet europiane të gazit është domosdoshmëri.
Në Shqipëri, ekspertët parashikojnë që kërkesa fillestare për gaz të jetë nga 300-500 milionë metër kub në vit, por që me zhvillimin e tregut të gazit, deri në vitin 2020 mund të shkojë nga 1.3-1.5 miliardë metër kub në vit.
Sipas ekspertëve, problemet e zhvillimit të sektorit të gazit janë të lidhura në mënyrë të pashmangshme edhe me mundësitë e pakta që ofron Shqipëria për depozitat nëntokësore, ku edhe nga ekspertët e huaj (TAP për zonën e Dumresë) llogariten me një kapacitet deri në 2 miliardë metër kub, pra ky zhvillim i infrastrukturës, kërkimet dhe me sektorin e konsumit të gazit përbëjnë objektin e atij që do të quhet masterplani i zhvillimit të sektorit të gazit në Shqipëri. Si një hap të parë në këtë proces, qeveria e Shqipërisë do të realizojë një studim të plotë të tregut vendas, do të vlerësojë dinamikën e kërkesës dhe të ofertës, do të angazhohet për të realizuar infrastrukturën, duke diversifikuar edhe mënyrat e financimit të tij. Ky studim shihet edhe si “magneti” që do të tërheqë investitorët.
Avantazhet e Shqipërisë
Për sjelljen e gazit në tregun e Europës Perëndimore në mënyrë më efikase, me kosto më minimale dhe me përfitime Shqipëria, ofron përparësitë e saj:
– pozicion të favorshëm gjeostrategjik që mund të shërbejë si nyje rajonale e rrjeteve të gazit
– treg të mundshëm për konsumin e gazit natyror, në dy vitet e para mund të jetë 0.3-0.5 Bcm, me një perspektivë të madhe deri në 1.5-2 miliardë Bcm
– kapacitete të konsiderueshme për depozitimin nëntokësor të gazit, të cilat shkojnë deri në disa miliarda m³
– legjislacion tërësisht në pajtueshmëri me atë të Bashkimit Europian
– sigurinë e duhur dhe stabilitetin e nevojshëm politik.

Revista Monitor, 06.02.2013