Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Presidenti i BERZH: Shqipëria rol të rëndësishëm në çështjet rajonale të energjisë

Kryeministri Berisha prit dje në një takim Presidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), zotin Suma Chakrabarti.
Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen zotit Chakrabarti dhe shprehu kënaqësinë për vizitën që ai po zhvillon në vendin tonë. Gjithashtu, Kryeministri Berisha i shprehu atij mirënjohje për të gjithë mbështetjen e fuqishme që Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim i ka dhënë Shqipërisë.
Nga ana e tij, Presidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), zoti Suma Chakrabarti, vlerësoi historinë e suksesit që është shënuar në Shqipëri. Zoti Chakrabarti theksoi se falë reformave të ndërmarra nga qeveria vendi arriti t’i rezistonte krizës ekonomike botërore dhe të shënonte rritje në krahasim me vendet e tjera, reforma këto që – siç theksoi ai –  qeveria i ndërmori përpara se kriza të fillonte, ndërkohë që vendet e tjera i morën këto masa pasi kriza nisi të japë efektet e saj.
Pas takimit, Kryeministri Berisha dhe Presidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhanë një konferencë të përbashkët për mediat, në të cilën u shprehën:
Kryeministri Berisha: Zonja dhe zotërinj, sapo përfunduam një takim të shkëlqyer me Presidentin e BERZH-it, Sir Suma Chakrabarti, në vizitën e tij të parë në Shqipëri. Për mua ishte një rast i veçantë për t’i shprehur mirënjohjen më të thellë, si për këtë vizitë shumë të rëndësishme, por edhe për të gjithë mbështetjen e fuqishme që Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim i ka dhënë Shqipërisë që ditën e anëtarësimit të saj në këtë bankë e deri në ditët e sotme, një shumë që mbulon me dhjetëra e dhjetëra projekte, prej mbi 700 – 800 milionë euro, por që kanë tërhequr, së bashku, disa miliardë euro në projekte në zhvillimin e këtij vendi, në sektorin publik dhe atë privat. Financimet e fundit të BERZH-it në Shqipëri janë një paketë prej 252 milionë euro projekte aktuale dhe 500 milionë euro projekte të reja. Këto financime përfshijnë infrastrukturën e vendit, autostradat dhe rrugët rurale, ujësjellësit, shkollat, komunikimin në tërësi, digat, energjinë, KESH-in dhe sipërmarrje të tjera publike. Por, BERZH-i është partneri kryesor i sektorit privat në Shqipëri. Me kërkesën e qeverisë shqiptare BERZH-i, rreth 70 përqind të investimeve të saj në Shqipëri i ka të lidhura me sektorin privat, gjë e cila ka qenë një faktor shumë i rëndësishëm, veçanërisht në këto vite krize, në performancën e këtij sektori. BERZH ka vendosur marrëdhënie të shkëlqyera me autoritetet e qeverive vendore dhe po ndihmon bashkinë e Tiranës në një seri projektesh shumë të rëndësishme. Ajo është e angazhuar në korridoret e mëdha rajonale dhe gazsjellësit e rajonit.
Vizita e Presidentit Chakrabarti përbën një ngjarje shumë të rëndësishme në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe BERZH -it. Është një rast i shkëlqyer për të përcaktuar hapësirat e bashkëpunimit dhe përparësitë e bashkëpunimit në të ardhmen. Edhe një herë, unë dua ta falënderoj shumë përzemërsisht Presidentin Chakrabarti për këtë vizitë, të falënderoj të gjithë ekipin e tij, në Shqipëri dhe në Londër, që me aq përkushtim punon për zhvillimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi jashtëzakonisht të rëndësishëm për vendin tonë.
Faleminderit!
Presidenti i BERZH, zoti Chakrabarti: Shumë faleminderit, zoti Kryeministër.
Jam jashtëzakonisht i kënaqur që ndodhem në Shqipëri. Ne jemi takuar për herë të parë në Bled, në fund të gushtit, në një ditë me shumë shi dhe atëherë thashë që do të doja të vija në Shqipëri në fillim të mandatit tim. Më vjen shumë keq që nuk erdha dot për 100 vjetorin e pavarësisë, por është bukur që pata mundësinë të vij tani në fillimin e 100 vjetorit të dytë, në Tiranë.
Kishte shumë arsye për të cilat doja të vija, por arsyeja e parë ishte t’i thosha përgëzime Shqipërisë. Unë e mendoj këtë si një histori zhvillimi suksesi. Nëse shohim se si ka qenë Shqipëria 20 vjet më parë dhe ku është sot, shohim një transformim. BERZH-i ka luajtur një rol në këtë, por merita së pari u takon popullit të Shqipërisë, sektorit privat dhe publik, sigurisht, si edhe lidershipit politik në këtë vend përgjatë 20 viteve. Dhe ju, i nderuar Kryeministër, keni luajtur një rol jetësor gjatë kësaj periudhe.
BERZH-i është shumë i kënaqur që ka luajtur, gjithashtu, një rol në këtë histori. Ne kemi qenë një prej investitorëve të huaj më të mëdhenj në këtë vend, 723 milionë euro në 63 projekte që kur kemi filluar aktivitetin këtu. Por ne, gjithashtu, kemi sjell para nga investitorë të tjerë të huaj, kështu që impakti total i projekteve tona gjatë kësaj periudhe është 1.6 miliardë euro. Në tre vitet e fundit kemi rritur në mënyrë të konsiderueshme mbështetjen për Shqipërinë, 240 milionë euro, dhe vetëm vitin e fundit kemi sjellë 70 milionë euro, një shifër shumë e lartë. Në shumë aspekte e konsideroj Shqipërinë si një model të bashkëpunimit midis BERZH-it dhe një vendi ku kemi bashkëpunime.
Ne jemi përfshirë në shumë projekte, në sektorë të ndryshëm, por ata që dallohen më shumë, shumë të rëndësishëm janë: modernizimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, terminali i pasagjerëve në portin e  Durrësit, si dhe shumë rrugë rajonale e lokale, të gjithë shumë të rëndësishëm për Shqipërinë, por, gjithashtu, shumë të rëndësishëm për integrimin ekonomik rajonal.
Shqipëria ka performuar shumë mirë në vitet e fundit, kur kriza financiare ka prekur Evropën, e ka përballuar relativisht mirë stuhinë, por sigurisht rritja ekonomike ka vuajtur edhe në Shqipëri, gjithashtu. Pyetja e madhe tani dhe për vitet e ardhshme është si mund të ndihmojmë të gjithë ne që rritja ekonomike në Shqipëri të lëvizi lart. Ne kemi diskutuar me qeverinë si të përmirësojmë klimën e biznesit, si të rrisim investimet e sektorit privat në ekonomi. Kjo është ajo se çfarë BERZH-i duhet të përpiqet dhe të ndihmoj Shqipërinë të arrijë.
Një strategji e re për Shqipërinë është miratuar nga bordi i BERZH-it në dhjetor, e cila do të jetë për tre vitet e ardhshme, ka një rrjedhë shumë të shëndetshme projektesh ku mbështetet. Ne do të fokusohemi në një numër fushash të rëndësishme që zhvillojnë sektorin privat. Ne do të fokusohemi në një sektor më efikas dhe të qëndrueshëm të energjisë, shumë i rëndësishëm për këtë vend, ne mendojmë se Shqipëria mund të luaj një rol të rëndësishëm në çështjet rajonale të energjisë, gjithashtu. Gjithashtu, ne duam të përmirësojmë infrastrukturën duke ndihmuar pjesëmarrjen më të madhe të sektorit privat në projekte të infrastrukturës. Ne duam të zhvillojmë një sektor të gjallë të sektorit të agrobiznesit, edhe këtu ka shumë potencial në Shqipëri. Dhe shumë e rëndësishme, kemi nevojë për ndihmë për të zhvilluar ndërmjetësimin financiar. Ka likuiditet në sektorin bankar, ne duhet të përpiqemi që ta spostojmë atë lloj likuiditeti në sektorin real për ta ndihmuar ekonominë të rritet.
Pra ka shumë për të bërë, por përpara nesh kemi një axhendë interesante dhe kam besim, zoti Kryeministër, se marrëdhënia midis Shqipërisë dhe BERZH-it do të jetë po aq e fortë duke vazhduar përpara sa ka qenë për shumë vite. Ne do të jemi këtu për të ndihmuar në afatgjatë, për të ndihmuar Shqipërinë të arrijë potencialin e saj.
Faleminderit!
Pyetje: Zoti Chakrabarti, ju thatë se Shqipëria i ka rezistuar mirë krizës ekonomike. Sipas jush, cilat janë arsyet për këtë? Së dyti, cila është ndihma që ju keni menduar për vendet që janë jashtë BE-së, përfshirë edhe Shqipërinë?
Zoti Chakrabarti: Lidhur me pyetjen e parë, unë mendoj se një ndër arsyet kryesore pse Shqipëria ka qenë kaq e suksesshme në përballimin e krizës është se ndërmori më  parë nga vendet e tjera, shumë nga masat, që vendeve të tjera i’u desh të ndërmerrnin më pas, pra ajo nuk priti për krizën. Unë mendoj se kjo ishte largpamësi nga ana e qeverisë si dhe nga ana e bankës qendrore dhe guvernatorit të saj që vepruan shumë më herët për të bërë gjëra, të cilat vendet e tjera i bënë pasi goditi kriza. Çështja tani është që qeveria të paraprijë me masa, asaj çka do të ndodhi dhe të zbatojë politikat që do të sjellin rritje, të zhvillohet klima e biznesit dhe gjera të tjera.
Në lidhje me çështjet e BE, BERZH ka eksperienca shumë të mira në përpjekjet për të ndihmuar vendet gjatë proceseve të afrimit me BE. Ne mund të ndihmojmë nëpërmjet këshillimit, asistencës teknike, por gjithashtu edhe më pas japim ndihmë për përshpejtimin e përdorimit të fondeve strukturore. Në disa vende, si përshembull në Poloni, ne kemi ndihmuar shumë në përshpejtimin e fondeve strukturore. Kemi bisedime me Bullgarinë, Rumaninë, për përdorimin më të shpejtë të fondeve strukturore, gjë që shpesh përbën një problem për vendet pasi janë anëtarësuar. Sigurisht ne jemi shumë të gëzuar të ndihmojmë edhe më pas.
Pyetje: Zoti Kryeministër, përse zoti Fyle shmangu në bisedat tuaj diskutimin e 3 ligjeve aq të diskutuara në politikën e brendshme? Një pyetje e dytë ka të bëjë me projektligjin për armët, a duhet të pajisen edhe deputetët,  ministrat e gjithashtu edhe subjektet private me armë?
Kryeministri Berisha: Për pyetjen e parë ka vetëm një përgjigje; unë jam gati t’i votojmë që nesër ligjet dhe nuk ka kush përse të diskutonte me mua për to.
Lidhur me pyetjen e dytë, kjo është një çështje praktikash të ndryshme në vende të ndryshme, por ato që përcakton ligji janë gjithnjë praktika të bazuara, të pranueshme.
Pyetje; Zoti President, një pyetje lidhur me situatën e borxhit në Shqipëri. Qeveria shqiptare ka deklaruar se në vitin  2013, do  të stimulojë rritje ekonomike përmes nxitjes së investimeve dhe përmirësimit të klimës së biznesit. Një nga rrugët e stimulimit të rritjes së ekonomisë është dhe ajo e rritjes së nivelit të borxhit, Në kushtet aktuale, kapërcimi i nivelit mbi 60 për qind, a e shikoni se mund të përbëjë rrezik për ekonominë shqiptare?
Zoti Chakrabarti: Unë mendoj se në lidhje më zhvillimin e klimës së biznesit, kjo është shumë jetësore. Në një botë ku ka shumë fonde investimesh në dispozicion, vendet janë në konkurrencë me njëri tjetrin. Kështu që vendet që ofrojnë klimën më të favorshme të biznesit do të ecin mirë. Unë mendoj se Shqipëria ka shumë gjëra që ecin mirë, si burimet natyrore, ide potenciale për investime, dhe tashmë ka një numër reformash për të përmirësuar klimën e investimeve. Qeveria dhe ne mendojmë se do të duhen reforma të mëtejshme, disa prej fushave janë rreth administratës tatimore, reforma e tokës, sistemi ligjor etj, të cilat padyshim janë çështje të vështira për një vend. Shqipëria ka dalë mirë në sondazhin e “Doing Business”, unë mendoj se mund të dal edhe më mirë, kjo do të ndihmoj në tërheqjen e investitorëve të huaj.
Unë mendoj se niveli i borxhit në çdo vend duhet te përcaktohet nga autoritetet e vendit, nuk duhet përcaktuar nga BERZH. Çështja është se një moment të caktuar vendit i mbaron hapësira fiskale dhe duhet të rrisë borxhin. Unë mendoj se ky vend ka vendosur që tani është koha të thith investime private për të marrë fuqi për të arritur rritje dhe zhvillim. Sektori publik nuk mundet më të bëj gjithçka, dhe kjo është shumë e kuptueshme. Prandaj, duke u kthyer tek pyetja juaj e parë, me përmirësimin e mëtejshëm të klimës së investimeve, ne do të ndihmojmë në sjelljen e investitorëve në vend, siç kemi bërë në të shkuarën.
Pyetje:  Zoti Kryeministër, është deklaruar një shifër 62. 6 për qind e nivelit të borxhit publik. A do t’i qëndrojë qeveria shqiptare kësaj shifre, apo mund të kemi një rritje të mëtejshme?
Kryeministri Berisha: Faleminderit për pyetjen. Po, qeveria do t’i qëndrojë nivelit të përcaktuar të borxhit. Ne i kemi qëndruar atij në tërësi gjatë 5 viteve të fundit. Unë nuk besoj se niveli prej 6o për qind është linjë e kuqe. Linja e kuqe është ai nivel që kërcënon, siç theksoi edhe Presidenti Chakrabatti, mundësinë e shërbimit të borxhit. Borxhi në tërësi i ka shërbyer dhe i shërben këtij sistemi për zhvillim, për ndërtim, por ai kthehet në “lak në fyt” që në momentin që shfaqen vështirësitë e para serioze, në përgjigjen ndaj tij. Mund të them se qeveria shqiptare nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë vështirësi në shërbimin ndaj borxhit dhe është në detyrën e saj të parashikojë e të parandalojë situata të cilat e çojnë atë në një gjendje të vështirë për t’u shërbyer. Mund të them se borxhi i Shqipërisë – në qoftë se do të përdornim termat malinjë e beninjë -, ai është kryekëput beninjë. Është beninjë, së pari sepse është i tëri i përkushtuar investimeve në infrastrukturën bazë të vendit, është beninjë sepse është në 2/3 e tij në monedhë lokale, në lekë dhe, vetëm 1/3 e tij është në euro dhe dollarë, pra borxh ndaj institucioneve financiare publike ndërkombëtare, përveç 200 milionë euro që janë borxh tregtar nga shitja e eurobondit. Pra, realisht ky është një borxh që kontrollohet pa ndonjë vështirësi të madhe dhe ne  qëndrojmë fort për kontrollin e tij.

energjia.al, 07.02.2013