Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Linja Tiranë-Podgoricë, OST shkelje mijëra euro

Kontrolli i Lartë i Shtetit nga data 1.2.2012 deri në 24.3.2012 ka ushtruar auditim në Operatorin e Sistemit të Transmetimit sh.a. (OST) Tiranë, për zbatimin e Projektit “Ndërtimi i Linjës së Interkonjeksionit 400 kV Tiranë-Podgoricë”, për periudhën 30.06.2005 deri më 30.12.2011.
Financimi i këtij Projekti është mundësuar me kredi në vlerën 43,896,478 Euro, akorduar sipas marrëveshjes së Kredisë dhe projektit ndërmjet Bankës Gjermane KfW, Ministrisë së Financave dhe KESH sh.a. (me kontratë nënhuamarje kaluar OST sh.a.) në shumën 32,733,604 Euro; ndërkohë që pjesë e marrëveshjes ka qenë dhe EPCG Mali i Zi me kontratë nënhuamarje me KESH sh.a. për pjesën e kredisë prej 11,162,873 Euro. 
Projekti është  menaxhuar nga OST sh.a., ka filluar zbatimin në vitin 2005 dhe është venë në punë më datë 5.05.2011. Në përfundim të auditimit, nga shqyrtimi dhe vlerësimi i dokumentacionit të vënë në dispozicion nga arkiva e OST sh.a., shoqëruar me inventarin e të gjitha dosjeve që disponoheshin nga kjo arkivë për këtë Projekt, ka rezultuar se:
– Në OST sh.a. nuk disponohej dokumentacioni lidhur me procedurën e prokurimit dhe të vlerësimit për “Shërbime konsulence dhe kontratën e punimeve civile për Linjën e Interkonjeksionit 400 kV Tiranë – Podgoricë”.
– Si pasojë e vonesave në realizimin e detyrave të konsulentit lidhur me procesin e pregatitjes së dokumentave të tenderit deri në shpalljen e fituesit të kontratës, si dhe në procesin e shpronësimeve, KESH sh.a. në rolin e huamarrësit kryesor dhe OST sh.a. në rolin e nënhuamarësit, për periudhën 30.06.2005 deri më 30.12.2011, janë penalizuar  nga Banka Gjermane KfW në shumën  348,935 Euro.
– Ndërmjet shumave të likujduara nëpërmjet kërkesave për disbursim dhe vlerës reale të mallrave të zhdoganuar (referuar deklaratave doganore) konstatohet një diferencë në shumën 185,000 Euro, likuiduar kontraktorit më tepër, vlerë e cila përbën dëm ekonomik.
– OST sh.a. në raportimin e t.v.sh. në organet tatimore, ka vazhduar deklarimin në bazë të deklaratës doganore dhe jo sipas vlerës së faturës së disbursimit, ku shuma e paguar për këto mallra në vlerë është më e madhe se vlera reale e mallit të zhdoganuar dhe t.v.sh.-së së paguar. Për pasojë, diferenca midis t.v.sh.-së së paguar sipas deklaratës doganore dhe asaj që realisht duhej të paguante OST sh.a. është në vlerën 4,772,784 lekë, duke shkelur në këtë mënyrë nenin 116 “Evazion Fiskal”, të ligjit nr. 9920 datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në RSH”, i ndryshuar.
– Si pasojë e shërbimeve shtesë të konsulencës të pa justifikuara, detyra këto që do të kryheshin nga kompania konsulente sipas përcaktimit në kontratën bazë, dëmi ekonomik llogaritet në shumën 171,540.83 Euro, likuiduar kompanisë konsulente  ndërsa si pasojë e mungesës së materialeve të dorëzuara dëmi ekonomik llogaritet në shumën 2,474.2 Euro, likujduar kontraktorit.
Për përmirësimin e gjëndjes, KLSH ka rekomandur 10 masa organizative, ku ndër to paraqesim:  
– plotësimin dhe arkivimin e dokumentacionit të procedurave të prokurimit për kontratat e lidhura për “Shërbime kosulence për Linjën e Interkonjeksionit 400 kV Tiranë–Podgoricë” dhe “Ndërtim i Linjës së Interkonjeksionit 400 kV Tiranë-Podgoricë”;
– rakordimin e pagesave të kryera dhe pretendimeve, me kontraktorin dhe kompaninë konsulente për pjesën e mbetur të kredisë, pasi për periudhën objekt kontrolli planifikimi për disbursimet e kredisë nuk ka qenë i saktë, duke shkaktuar penalitete në vlerën 348,935 Euro;  
– rakordimin e shumës së dëmit ekonomik prej 185,000 Euro dhe 2.474.2 Euro me kontraktorin dhe të shumës 171,540.83 Euro me kompaninë konsulente; kjo dhe për faktin se kontratat e lidhura i nënshtrohen ligjeve ndërkombëtare dhe gjykatave të arbitrazhit të cilësuara në marrëveshje apo kontratë;
– rishikimin e differencës së konstatuar midis t.v.sh.-së së paguar sipas deklaratës doganore dhe asaj që realisht duhej të paguante OST sh.a. në vlerën 4,772,784 lekë me organet tatimore;
Në lidhje me masat për shpërblimin e dëmit të shkaktuar, KLSH ka rekomanduar ndjekjen e zbatimit të procedurave administrative ligjore për arkëtimin e shumës prej 20,513 Euro nga një subjekt juridik privat dhe 34,320 Euro nga një punonjës i OST sh.a.  
Ndërkohë, për punonjësit shkaktarë përgjegjës, mbështetur në kontratën kolektive dhe individuale të punës, i kemi kërkuar OST sh.a. të fillojë procedurën për:  “Pushim nga puna” për Shefin e Zyrës së Administrimit të Tregut në Drejtorinë e Tregut me cilësinë ish-Shef i PIU; dhe “Kalimin në një  detyrë të një niveli me të ulët për një periudhë deri në një vit” për Shefen e Njësisë së Menaxhimit të Projekteve në Drejtorinë e Projektim Zhvillimit.
Së fundi, në vlerësimin e veprimtarisë të Shefit të Zyrës së Administrimit të Tregut në Drejtorinë e Tregut me cilësinë ish-Shef i PIU, u konkludua se kishim të bënim me elementë të veprës penale, ndaj për të KLSH ka depozituar  në organet e prokurorisë kallëzim penal për shpërdorim detyre.

Gazeta Start, 20.06.2012