Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

A ka ekspertizë Shqipëria për të gjetur dhe shfrytëzuar pasuritë nëntokësore?

Dihet se, Shqipëria në një territor relativisht të vogël, prej 28 mijë km2, ka një mozaik të shkëlqyer pasurish nëntokësore, që zor se gjen në tërë rruzullin një larmi të tillë pasurish. Duke folur për mineralet kryesore, që kanë rëndësi industriale dhe ekonomike, mund të  përmendim disa prej tyre si: naftën dhe gazin, kromin, bakrin, qymyret, torfën, rërat bituminoze, dolomitin, karbonatin e kalciumit, kripën e gurit, xhamin vullkanik, kuarcin, hekur-nikelin, boksite, titano-magnetite, metale të çmuara, olivinite, magnezite, gipse dhe alabastër, fosforite, argjila të llojeve të ndryshme, ujëra mineralë, ujëra termale me temperaturë dhe me presion shumë të lartë etj., etj. Gjithë këto pasuri, që po të llogariten me vlerën aktuale të tregut përbëjnë një pasuri kolosale, po të menaxhohet siç duhet përbën një bazë të sigurt prosperiteti për të sotmen dhe të ardhmen. Vetëm naftë, në bazë të rezervave të raportuara industriale, ka një vlerë pasurore prej rreth 15-20 miliard USD; ndërsa rezervat prognoze kanë një vlerë pasurore prej rreth 250 miliardë $. Një nga problemet më të rëndësishme të futjes në eficiencë maksimale të këtyre pasurive në interes të vendit që i disponon, mendojmë se është ekspertiza e vendit, e cila duhet të jetë kompetitive si për kërkimin dhe gjetjen e këtyre pasurive nëntokësore ashtu dhe për shfrytëzimin dhe  përpunimin maksimal bashkëkohorë të tyre. Në bazë të këtij koncepti vendet janë repartizuar si kolonial – ata që e kanë këtë ekspertizë dhe të kolonializuar – ata që nuk e kanë atë. Duke u nisur në bazë të disa etapave, që ndahen qartë në historinë e gjetjes dhe shfrytëzimit të pasurive nëntokësore të vendit mund të themi se: deri në kohën që, vendi doli fitimtar nga Lufta e Dytë  Botërore, industrinë minerale e kishin në menaxhim kompani të huaja, të cilat vetëm punën e rëndomta të karakterit fizik, e linin në dorë të shqiptarëve. Kjo si në fushën e minierave ashtu dhe në atë të naftës. Megjithëse gjatë periudhës Mbretërore u vërejtën disa tentative për të përgatitur specialistë, që të njihnin fushën e gjeologjisë dhe minierave,  dhe kështu të krijonin dora-dorës ekspertizën kombëtare përkatëse, mund të themi se, një gjë e tillë ngeli në një nivel  të atillë që nuk mund të merrte në dorë plotësisht operacione te tilla si, shfrytëzimin e pasurive  nëntokësore pale operacione shumë delikate të kërkimit dhe zbulimit, që nuk bëhej fjalë. Në këtë pikëpamje, para ardhjes në fuqi të pushtetit komunist ekspertët e fushës së gjeologji – minierave ishin shumë të paktë si: Riza Alizoti, Andrea Xega, Sherif Toptani. Punën kryesore dhe më delikate, siç ishte ajo e kërkimeve dhe zbulimit të pasurive minerale, e kryenin specialistë të firmave të huaja, që kishin marrë koncesione përkatëse në Shqipëri. Me ardhjen në pushtet të komunistëve, të cilët e vlerësuan mjaftë rëndësinë e vënies në eficiencë ekonomike të pasurive minerale duke filluar nga nafta dhe gazi dhe gjithë mineralet e tjera (këtë e tregojnë shifrat e realizuara të prodhimit), vihet re në mënyrë të qartë që, filluan përpjekjet që të ravijëzohej një   formatim i ekspertizës vendore, fillimisht me ndihmën e specialistëve sovjetikë dhe specialistëve të shteteve të tjera më me eksperiencë në këto fusha. U dërguan mjaft studentë që të diplomoheshin në fusha speciale të domenit të gjeologji – minierave si: për gjeologji kërkimore (rilevim, paleontologji, mineralogji, gjeokimi, sizmik, elektrometri, gravimetri etj.,), gjeologji kantierale (karrotazhe, vlerësimi i parametrave të shfrytëzimit te vendburimeve, vlerësim rezervash  etj), miniera (inxhinierë minierash, marshejder, pasurues  etj), gjeofizikë, teknologë për shpimin, nxjerrjen dhe përpunimin, kimistë nafte, kimist mineral etj. U ngrit Fakulteti i Gjeologji- Minierave, që përgatiste një spektër të plotë të industrisë së pasurive nëntokësore. Vetëm industria e naftës në fillimet e dekadës së fundit, të shekullit të kaluar, kishte rreth 1400 specialistë të lartë të profileve të ndryshme. U ngritën qendra të studimit dhe projektimit në fushën e minierave, gjeologjisë, teknologjisë etj. Qendra këto që, me kalimin e kohës u bënë institute të rëndësishme kërkimore dhe shkencore. Kështu u ngritën Instituti i Naftës dhe i Gazit dhe me tej ai i Teknologjisë së naftës dhe gazit, Instituti i Gjeologjisë dhe i Minierave etj. Me prishjen e marrëdhënieve politike dhe ekonomike të Shqipërisë me ish-Kampin Socialist dhe ikjen e gjithë ekspertëve të huaj, gjithë volume i punimeve kërkimore – shkencore- projektuese dhe zbatuese në fushën e gjetjes dhe shfrytëzimit të pasurive nëntokësore u morr në dorë nga specialistët shqiptarë. Kjo ishte një barrë shumë e rëndë, por, njëkohësisht një shans i shkëlqyer që, të konsolidohej në mënyrë të plotë ekspertiza vendore, e cila për rreth tridhjetë vjet me radhë,  deri në vitet e përmbysjes së pushtetit komunist tregoi veten se u maturua në nivelet bashkëkohore. Faktet e shumta që, mund të gjenden gjatë periudhës që, ekspertët shqiptarë të specialiteteve të ndryshme të fushës së gjetjes dhe shfrytëzimit të pasurive nëntokësore, tregojnë arritje të kënaqshme. Kështu gjatë kësaj periudhe u zbuluan shumë vendburime nafte dhe gazi, u realizuan shpime të thella me një thellësi deri në 6700m, që renditet në vlera kampione në drejtim të arritjeve të thellësive maksimale, u shfrytëzuan vendburime nafte dhe gazi-kondensati në vendburimet karbonitike, u gjetën vendburime të reja të kromit, bakrit, hekur-nikelit, qymyrit etj., u rritën në mënyrë të ndjeshme rezervat industriale dhe gjeologjike të pasurive të ndryshme etj., tregon për nivelin e lartë teknik dhe shkencor që u maturua në Shqipëri. Duhet thënë se, Demokracia e gjeti Shqipërinë me një fond jo të vogël rezervash në të gjithë spektrin e mineraleve të dobishme nëntokësore, e gjeti me një numër institutesh, laboratorësh shkencorë dhe analitikë, me një numër relativisht të madh shkencëtarësh me grada shkencore që i fituan jo duke lexuar libra dhe kopjuar nga literatura, por, në sajë të realizimeve konkrete të shkencës dhe teknologjisë, të kërkimeve laboratorike, pilote, të mbështetura në faktet konkrete të nxjerra nga praktika operacionale në Shqipëri. Shumë specialistë të formimeve të ndryshme, që u përgatitën jashtë shtetit, por, dhe në Shqipëri përbënin një shtrat të sigurt për ecurinë e mëtejshme të kësaj eksperience, e cila e mbështetur ne tabanin real shqiptar, e kombinuar dhe me arritjet bashkëkohore të shkencës dhe teknologjisë, do, dhe mund t’i udhëhiqnin me kompetencë gjithë operacionet gjeologo-teknologjike që përmban konvejeri i kërkim- zbulimit dhe shfrytëzim- përpunimit të pasurive nëntokësore të Shqipërisë. E themi me argument të padiskutueshëm se,  mos ruajtja dhe mos mbështetja deri në perfeksionin e ekspertizës dhe infrastrukturës shkencore  që u gjet e gatshme me një formim minimumi tridhjetë vjeçar, nga politikanët e rinj të sistemit demokratik, është një përgjegjësi e madhe historike, e cila ka të bëjë veç të tjerave me një skontim shumë të madh të  kontributit, që duhet të jepnin këto pasuri në forcimin e prosperitetit dhe vet sistemit demokratik në Shqipëri. Politikat e ndjekura të shkatërrimit të kësaj trashëgimie  kërkimore, shkencore dhe projektuese, asgjësimi i ekspertizës deri në pothuaj pamundësi rikuperimi, është një kosto shumë e madhe dhe e pamerituar për ekonominë e vendit. Lënia në dorë të të huajve e kërkimit, gjetjes dhe shfrytëzimit të këtyre pasurive sikur asgjë tjetër të mos sjelli – sjell atë që, një pjesë e mirë të këtyre pasurive shkon në interes të kompanive të huaja  duke ja marrë këtë interes fare me  të padrejtë, vendit dhe popullit që i disponon. Këtu nuk kundërshtohet bashkëpunimi me kompanitë e huaja dhe me investimet e huaja, por diskutohen ato forma bashkëpunimi që minimizojnë deri neglizhojnë deri në asgjësim një eksperiencë autoktone që pa e tepruar mund të themi se, është një pasuri kombëtare po aq e vlefshme sa dhe pasuritë nëntokësore. Akoma më i papranueshëm është fakti që, kompanitë e huaja janë ftuar për koncesione në pasuritë e zbuluara, të cilat janë të gatshme për t’u shfrytëzuar dhe që nuk kanë ndonjë risk të madh operacional. Dihet që, këto pasuri janë gjetur dhe janë shfrytëzuar për një kohë të gjatë nga specialistët tanë. I vetmi argument, që paraqitet për futjen e kocensionarëve, në këto pasuri të zbuluara, është mungesa e fondeve për investime. Por, nuk ka nevojë për koment po të thuhet se, cila bankë nuk jep kredi për të shfrytëzuar një pasuri të zbuluar tashmë dhe që e ke si floririn në pëllëmbë të dorës?! Po kështu është për të ardhur keq që pasuritë tona nëntokësore eksportohen në gjendje krude (lëndë të parë) gjë që e ul akoma më shumë vlerën e përfituar nga ekonomia shqiptare. Kjo është praktikë e vendeve koloniale! Duke i’u dhënë përgjigje pyetjes që është përfshirë në titullin e këtij shkrimi mendoj se, Shqipëria jo vetëm që ka pasur ekspertize për shfrytëzimin dhe përpunimin e pasurive te veta nëntokësorë, por ama ka pasur dhe do kish akoma më shumë po të ruhej , mbështetej ashtu siç duhet edhe në fushën e kërkimit e të zbulimit jo vetëm të mineraleve të dobishme, por edhe të naftës dhe të gazit që janë  pjesa më delikate dhe e vështirë e fushës së zbulimit të pasurive nëntokësore. Këtu mund të themi se, ekspertiza që kemi pasur, mund të përdorej fare mirë  për të nxjerrë përfitime, jo të vogla, duke e përdorur atë në tregun e jashtëm. Një gjë e tillë mund të bëhej edhe ne bashkëpunim me kompani të tjera, që operojnë në këto fusha. Këtë fakt e mbështet periudha gati tridhjetë vjeçare e kërkimit, zbulimit  dhe vënies në shfrytëzim dhe përpunim të pasurive nëntokësorë të vendit gjatë të cilës specialistët tanë me ekspertizën totalisht të tyre arritën që t’i dhurojnë ekonomisë arritje të shquara në fushën e gjetjes së rezervave të reja si dhe në realizimet teknologjike për vënien në shfrytëzim dhe përpunimin e tyre.

Prof. Fatmir Shehu – Gazeta Telegraf, 03.07.2012