Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nesër, aksioni kombëtar “Shqipëria e pastër”

Task-Forcë për menaxhimin e mbetjeve, në bazë të njësive vendore.
Ministria e Shëndetësisë ka marrë masat për aksionin kombëtar “Shqipëria e pastër”, që do të mbahet në 20 prill. Ndërkohë që të gjitha strukturat e shëndetësisë do të marrin pjesë në aksionin e koordinuar nga të gjitha institucionet në prefekturat përkatëse. Përmes një urdhri, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, rithekson kërkesat për shpejtimin e kontrollove në drejtim të mirëmbjatjeve të ambienteve publike, si dhe pjesëmarrjen me të gjitha burimet e brendshme në aksionin e datës 20 prill 2012, nga të gjitha strukturat shëndetësore. Po kështu, si i ngarkuar për ndjekjen e këtij aksioni në Prefekturën Vlorë, Vasili ka zhvilluar takime edhe me drejtues vendorë të kësaj prefekture. Në takim janë diskutuar edhe masat për sezonin turistik. Ndërkohë, puna për aksionin e datës 20 prill do të përqendrohet jo vetëm në aksionin për grumbullimin dhe transportimin e mbetjeve urbane, por edhe tërheqja e mbetjeve në vazhdimësi, duke synuar zgjidhje afatgjata të këtij problemi. Vasili kërkoi ngritjen e Task-Forcës për menaxhimin e mbetjeve, në bazë të njësive vendore, që do të raportojnë pranë të njëjtës strukturë. Prefekti duhet të jetë përgjegjësi kryesor per organizimin jo vetëm të aksionit të dates 20 prill, por dhe ndjekjes në vijimësi të këtij procesi. Vasili kërkoi ndërkohë një bashkëpunim më të mirë të policisë, që sipas tij, duhet të kërkojë ekzekutimin e urdhërave administrative për ndotësit e ambientit.
Bashkia Shkodër, sensibilizim komunitetit për një mjedis të pastër
“Dita e Shqipërisë së pastër”, e përcaktuar nga Kryeministri Sali Berisha për në datën 20 prill, ka bërë që strukturat e qeverisjes vendore në Bashkinë Shkodër të intensifikojnë angazhimin për të patur një qytet sa më të pastër. Këtij qëllimi i ka shërbyer edhe takimi i zhvilluar në Bashkinë e Shkodrës nga nënkryetari, Ahmet Omi, i cili në bashkëbisedim me të gjithë drejtuesit e rajoneve të qytetit, punonjës të administratës, ndërmarrjes së pastrim-gjelbërimit, përfaqësues të Drejtorisë Rajonale të Arsimit, organizatave të ndryshme që operojnë në territorin e qytetit etj., kërkoi një angazhim maksimal për të mbyllur me sukses misionin e sigurimit të një qyteti sa më të pastër. Gjatë takimit, nënkryetari Omi paraqiti edhe një program pune, i cili do të mbulojë fushatën në fjalë, e cila më së shumti konsiston në anën sensibilizuese, kryesisht ndaj qytetarëve, sistemit arsimor, ku secilës shkollë iu ndanë detyrat konkrete, por në të njëjtën kohë një vëmendje e madhe u kushtua edhe në drejtim të komunitetit të biznesit, pasi një pjesë e mirë e tij ka qenë problem jo i vogël për ndotjen e qytetit nga papastërtitë e depozituara në vende të papërshtatshme. Duke i dhënë një rol shumë të veçantë edhe shoqërisë civile, e cila ka marrë përsipër shpërndarjen e broshurave sensibilizuese për mbajtjen pastër të mjedisit, Omi theksoi se, “ky nuk do të jetë vetëm një aksion për datën e caktuar, por do të synohet të vijohet me moton “Jo vetëm sot, por në 365 ditë”, çka do të thotë se gjatë të gjithë ditëve të vitit, komuniteti shkodran duhet të jetë sa më i ndërgjegjësuar në këtë drejtim për të kontribuar në mbajtjen pastër të qytetit. Pas takimit, grupe të Bashkisë në bashkëpunim me nxënës të shkollave të qytetit, kryen disa aksione pastrimi në sipërfaqet publike të gjelbërimit.
Mjedisi i pastër, prioritet i Bashkisë Kamëz
“20 prill-Dita e Shqipërisë së pastër. Mjedisi i pastër, përparësi absolute e Bashkisë Kamëz”. Ky është lajtmotivi i punës të të gjitha strukturave të Bashkisë. Jo vetëm punonjësit e Ndërmarrjeve të Pastrim-Gjelbërimit e të Ujësjellës-Kanalizimeve, por edhe kolektivat mësues-nxënës të të gjitha shkollave si dhe vetë qytetarët janë mobilizuar si asnjëherë tjetër për të garantuar një qytet të pastër. Në këtë funksion kudo janë vendosur banera dhe rrugët janë pajisur me sinjalistikën e duhur.
Ndërkohë, në çdo shtëpi janë shpërndarë fletëpalosje për të sensibilizuar qytetarët për lëvizjen për një mjedis të pastër, që është lëvizja për shëndetin, për jetën, dinjitetin e qytetarit dhe të vendit në tërësi. Kësisoj Bashkia dhe strukturat e saj po luajnë rol të rëndësishëm në mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit.
Si rezultat i projekteve konkurruese, Bashkia Kamëz është përfituese e projektit për “Menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve urbane, si pjesë e programit IPA Adriatic CBC me një vlerë prej 300 mijë eurosh. Vetëm në fazën e parë të implementimit të këtij projekti, Kamzës iu shtuan 200 kazanë për grumbullimin e mbetejeve urbane.
Në këtë kuadër, Bashkia Kamëz ka marrë të gjitha masat që qyteti të ketë një fytyrë krejt të re e të pastër më 20 prill, ditën e Shqipërisë së pastër.

Gazeta Rilindja Demokratike, 19.04.2012