Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Buxheti, termoizolimi dhe “green economy”

Gjatë gjithë këtij dimri acar jam matur disa herë ta botoj këtë shënim të shkurtër. Gjatë janarit shikoja kronikat që flisnin për shkollat tona,  ku bëhej mësim me dorashka e me kapuça, dhe sillja në mend se si ne kemi aq shumë vjet si shoqatë ANEP që lobojmë, çirremi e ngjiremi që “mos të ketë asnjë ndërtesë të re publike, e cila ndërtohet apo rikonstruktohet, që të bëhet pa termoizolim të certifikuar”. …Më tej, gjatë shkurtit, pashë shpalljen e buxhetit ambicioz të qeverisë për investimet në bashki e komuna, i cili jep parà për mbi 150 objekte të reja sociale-arsimore-shëndetësore. …E më tej, tani në mars po përgatisja një material timin lidhur me Konferencën Ndërkombëtare “Rio + 20”, që do të mbahet në qershor si replikim pas 20 vjetësh i së famshmes Konferencë të Rios në ’92-shin për Zhvillimin e Qëndrueshëm. …E pra, kjo spuntoja e fundit më bëri të “plas” me vete: opo do ta them prapë, e prapë, e prapë, e prapë, derisa të më dëgjojnë, dhe nuk ka rëndësi nëse bëhem apo jo i bezdisur për ndonjë! Nuk më bëhet vonë! Këtë që do të lexoni tani e kam shkruar e thënë dhe plot herë të tjera, ndoshta shumë herë, por ndoshta asnjëherë ajo çka kemi thënë nuk ka rënë në veshin e duhur, ose më mirë të themi që ndoshta ai vesh ende nuk ka qenë gati për këto tambure. Ndonjë urbanist a arkitekt, madje edhe në post të rëndësishëm publik, me dritëshkurtësi dhe ngurtësi, e ka quajtur idenë tonë si “një luks për këtë fazë zhvillimi të Shqipërisë”: një mentalitet frenues ky, i cili na pengon të lëvizim drejt aspiratës për të tentuar ta shndërrojmë Shqipërinë në një vend të zhvilluar. Por unë nuk do të lodhem së thëni diçka për të cilën jam tejet i bindur, ndaj dhe po e përsëris prapë me elemente të reja. E kam thënë shumë herë që “mënyra më e mirë e prodhimit të energjisë është kursimi i saj”. Pra, ne si vend nuk kemi pse blejmë e konsumojmë gjithmonë e më shumë energji, ndërkohë që ne e shpërdorojmë gjithmonë e më shumë atë. E kam krahasuar sistemin tonë të konsumit të energjisë me “butet e Danaideve”, pra me ato fuçitë e shpuara të mitologjisë greke ku sado ujë (energji) të hedhësh, ato mbeten prapë bosh. Pra, duhet ta kursejmë energjinë, d.m.th. duhet të mbyllim çarjet dhe vrimat e “buteve të Danaideve”, në mënyrë që të na duhet shumë më pak energji për t’i mbajtur ato të mbushura. Por, si ta kursejmë këtë energji, pra? Mënyra më e mirë dhe më me pak kosto e kursimit të energjisë, është rritja e eficiencës energjetike, pra plotësimi i po të njëjtave nevoja tonat, madje me cilësi më të lartë jetese, duke konsumuar gjithmonë e më pak energji. Si bëhet kjo? Në disa mënyra, por thjesht, si veza e Kolombit, do të ishte: hapi më i shpejtë, më i mirë, më pa kosto dhe më i drejtpërdrejtë për rritjen e eficiencës së energjisë në objektet tona publike (të paktën në objektet e reja) është kushtëzimi i shpenzimit të parave publike në to me kushte të tilla teknike si termoizolimi “kapot” apo “sanduiç”, apo arkitektura me hijëzim natyror, me diellëzim natyror apo dhe me ventilim natyror etj. Pra, thjesht të fusim pak më shumë zgjuarsi dhe know-how në mënyrën se si i ndërtojmë objektet tona të reja publike, duke u siguruar që do të konsumojnë sa më pak energji gjatë operimit. Dhe, për çfarë ndërtesash publike e kam fjalën? E kam fjalën veçanërisht për shkolla, kopshte, çerdhe, spitale, qendra shëndetësore, qendra sociale, pa folur për korpuse universitare apo për ndërtesa administrate. Pra bëhet fjalë për ndërtesa, të cilat strehojnë apo ku shërbehen kategori vulnerabël të popullsisë: fëmijë apo të sëmurë. Tani, disa të paditur apo disa të tjerë të djallëzuar do të thonë: “Kjo rrit koston e ndërtimit të objekteve të reja, dhe ne jemi vend i varfër”. Absolutisht jo! E dini me sa për qind rritet kostoja e një objekti nëse bëhet edhe termoizolimi?! Me vetëm 2-3%, jo më shumë. Madje, nëse përdoret sistemi “kapòt”, ndërtesat dalin edhe shumë më estetike, pra rrënjësisht të përmirësuara në imazh për qytetet tona të stërlodhura. Dhe a e dini se çfarë dhe sa fitohet? Fitohet cilësi jetese, se ndërtesat janë të ngrohta në dimër e të freskëta në verë, dhe fëmijët tanë do të studiojnë si njerëz nëpër shkolla. Fitohet shëndet, sepse fëmijët do të sëmuren më pak, e ndaj dhe do të kursehen ditë pune të prindërve. Fitohet cilësi arsimimi, fitohet cilësi formimi dhe, më kryesorja, për ekonomistët me laps të hollë që janë kritizerë të çdo shpenzimi, fitohen parà, shumë parà. Sepse kursehen parà nga taksat tona, për shkakun se në një ndërtesë të termoizoluar nuk është e nevojshme të ndizen kaldaja e të blihen kondicionerë pa fund: në një ndërtesë të termoizoluar, në klimën e Tiranës, lind e nevojshme të ndizet ngrohja vetëm në 10-15 ditë gjatë dimrit dhe ftohja vetëm në 15-20 ditë gjatë verës. Jo më shumë. Tani, llogarisni se sa ditë në vit ndizen kondicionerët apo kaldajat në zyrat apo shtëpitë tuaja, dhe me pak aritmetikë do të gjeni se sa orë korrent apo naftë do të kurseheshin nëse do të kishim shkolla a spitale të termoizoluara: do të kursehej mbi 70% e energjisë që shpenzohet aktualisht, gjë që do të thotë se investimi fillestar për termoizolimin, e nxjerr veten edhe ekonomikisht brenda 2-3 vjetëve dhe më tej të bën të fitosh. Atëherë, pse në Shqipëri vazhdohet ende të ndërtohet në kundërshtim me kriteret e eficiencës energjetike?! Thjesht sepse disa ndërtuesve jocilësorë nuk u intereson që termoizolimi të bëhet kusht i panegociueshëm teknik për lejet e ndërtimit, si dhe sepse administratorët publikë lokalë thjesht nuk kujtohen për këto “detaje të parëndësishme” për ta (sic!). Kështu, a e dini se sa shkolla janë rikonstruktuar në Tiranë gjatë viteve të fundit? Pothuaj të gjitha. Dhe në sa prej tyre është bërë termoizolim? Vetëm në ato ku investitorë kanë qenë Banka Botërore apo organizma të tjerë ndërkombëtarë. Në të tjerat as që është bërë fare fjalë dhe rikonstruksioni është mjaftuar me banalitetin primitiv që njihet si “dritare me dopio xham”, apo me vetëm pllaka majolike e dyer tamburato, apo me ca kuba a piramida “artistike” betoni nëpër fasada, apo me disa fasada banale xhamllëku, apo me ndonjë suvatim mizerje dhe ngjyra të ndezura për lustrabojë nga jashtë. Ky mentalitet primitiv dhe hipokrit për të përcaktuar “shkollat dhe kopshtet e rikonstruktuara” është arsyeja se pse në çdo shkollë të rikonstruktuar nga Bashkia, madje edhe aty ku kaldajat punojnë, nxënësit presin gozhdë në dimër dhe bëjnë sauna në verë. Rezultati? Eficienca e energjisë zero me xhufkë, cilësia e jetesës dhe e shëndetit zero me xhufkë dhe shpenzimet publike për ngrohje/ftohje në maksimum. Sikur vetëm me paratë që janë shpenzuar për suvatime të reja të ishte bërë termoizolim “kapòt”, gjendja do të ishte rrënjësisht e ndryshuar. Por asgjë nuk është bërë, dhe do të ishte mëkat nëse do të vazhdohej me këtë mentalitet të kapërcyer tashmë. Madje, e përsëris, ne si shoqatë kemi hedhur idenë për një VKM që në çdo projekt rikonstruksioni, të çfarëdo ndërtese publike, të vendoset kryerja e termoizolimit si kriter i detyrueshëm. Kjo ide thamë është konsideruar “luks” për Shqipërinë nga disa ofiqarë. Por, në një program të tillë të mundshëm mbarëkombëtar për termoizolimin e objekteve publike që rikonstruktohen, ne jemi të sigurt që mund të gjenden shumë organizma ndërkombëtarë (UNDP, Bankë Botërore, BERZH etj.) që do të financonin pa asnjë mëdyshje. Pse? Thjesht sepse kjo praktikë e termoizolimit është njëra nga lëvizjet më të thjeshta, por ndër më efikaset në drejtim të përdorimit eficient të burimeve natyrore, dhe është, pra, në përputhje të plotë me lëvizjen drejt një zhvillimi të qëndrueshëm me një ekonomi “Low Carbon”. …Dhe këtu dalim te lidhja e kësaj praktike të termoizolimit edhe me parimet e “green economy”, e cila përbën synimin tonë kombëtar dhe që është në qendër të Samitit të qershorit “Rio+20”. Kjo konferencë prestigjioze do të kërkojë të dijë nga Shqipëria se çfarë është bërë konkretisht për të promovuar parimet e “green economy”, që njihet si “ai set praktikash që çojnë në përmirësimin e mirëqenies njerëzore dhe barazisë sociale, duke reduktuar njëkohësisht rrezikun mjedisor dhe degradimin mjedisor”. …Edhe pse duket si diçka e madhe në emër, ka shumë hapa të vegjël që mund të çojnë drejt dyerve të ekonomisë së gjelbër, hapa që nuk kushtojnë përveçse pak vullnet për të zbatuar ide të thjeshta. Me bindjen se Shqipëria do të fillojë të zbatojë me vendosmëri këta hapa të vegjël, por të rëndësishëm, shpresoj po ashtu që “Rio+20” të na vlerësojë si një vend që bën vazhdimisht përparim drejt “green economy”, si e vetmja rrugë drejt zhvillimit të qëndrueshëm.

Gazeta Panorama, 13.03.2012