Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Apple është e gjitha green

100% e energjisë së konsumuar vjen nga burime të rinovueshme. Kompania me bazë në Cupertino mbulon kërkesën e gjithë strukturave të saj në botë me energji të pastër. Ndërsa Google mbetet kompania që, në mënyrë absolute, blen më shumë energji “green”. Gjigantët e tjerë të teknologjisë mbeten ende pak prapa

Vetëm energji e rinovueshme për Apple

Apple është e gjitha “green”. Kompania me seli në Cupertino ka arritur objektivin për furnizimin e gjithë strukturave të saj, nga dyqanet tek data center, e më tej te zyrat, me energji të rinovueshme.
Objektivi është arritur falë 23 furnizuesve me energji të pastër, 9 prej të cilëve janë të rinj. Ky është një rezultat edhe më i dukshëm, duke marrë parasysh se vetëm tetë vjet më parë, përqindja e energjisë së rinovueshme ishte 16%.

Nëse merren në konsideratë gjithë përpjekjet e bëra që nga viti 2011, emetimet e gazit serrë janë reduktuar me 68%, ndërsa vetëm në vitin 2017, janë shmangur 1,5 milionë tonë. Për sa u përket impianteve të prodhimit të energjisë nga ku Apple furnizohet, gjiganti teknologjik numëron tashmë 25 të tilla në të gjithë botën, të cilëve do t’ju shtohen edhe 15 të tjerë.

Kur këta të realizohen, do të jenë në gjendje të furnizojnë një total prej 1,4 Gigawatt energji të pastër. Projektet për energjinë e rinovueshme të kompanisë, janë në interes si të Apple Park, selia e re, si zyrave të tjera nëpër botë – në Kinë, Japoni, Singapor, por edhe Danimarkë dhe Irlandë sa i përket Europës.

Google dhe rekordi i energjisë së pastër

Disa ditë më parë, Google bëri të ditur se në vitin 2017, kërkesa energjetike është mbuluar e gjitha nga energjitë e rinovueshme.

Me fjalë të tjera, siç shpjegoi zëvendëspresidenti i sektorit të infrastrukturës, Urs Hölze, për çdo kilovatorë energji të konsumuar nga një prej zyrave të saj nëpër botë, është blerë një tjetër nga një prej impianteve eolikë dhe diellorë të ndërtuar nga kompania.

Në total, kolosi i Mountain View ka blerë më shumë se 3 Gigawatt energji të rinovueshme, duke ia kaluar Amazon dhe Facebook, me 1,2 Gigawatt.

Angazhimi i kolosëve të tjerë

Kompanitë e tjera teknologjike në botë janë larg shifrave të arritura nga Apple dhe Google për sa u përket energjive të rinovueshme. Siç shkruan FastCompany, Facebook ka arritur në 25% të kërkesës të data center të saj që furnizohet me energji të pastër, me synimin për të arritur në 50% brenda fundit të vitit.

Ndërsa Amazon është duke punuar për të siguruar mbulimin total të qendrave përpunuese të të dhënave. Për vitin 2017 ishte paracaktuar objektivi 50% i energjisë së rinovueshme për gjithë infrastrukturat e saj. Ndërkohë Microsoft është angazhuar për të reduktuar, brenda vitit 2030, emetimin e anhidritit karbonik me 70%.

Corriere della sera,  17.04.2018