Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Mungesa e reshjeve rrezikon buxhetin, financime shtesë për OSHEE

Mungesa e reshjeve ka rritur kërkesat e OSHEE për financim nga buxheti. Ministria e Financave analizon se kushtëzuar nga disbursimet dhe situata e pafavorshme hidrike e fundit të vitit 2018 dhe vitit 2019, nevoja e pritshme shtesë deri në fund të 2019, në formën e mbështetjes buxhetore për OSHEE sh.a mund të shkojë në 5 miliard lekë, ose rreth 40 milionë euro.

Ministria e Financave kërkon nga Ministria e Infrastrukturës dhe OSHEE të marrin disa masa si më poshtë:

1-Rivlerësimi i pozicionit financiar, duke konsideruar (përmes parashikimeve të qëndrueshme e realiste) zhvillimet e pritshme në prodhimin vendas të energjisë.

2-Rishikimi në ulje i planit të investimeve për vitin 2019, kjo referuar Planit për Konsolidimin Financiar të Sektorit Publik Elektroenergjitik, dakordësuar me Bankën Botërore, ku OSHEE sh.a duhet të respektojë një nivel investimesh prej rreth 5 miliard lekë në vit, për tre vitet e ardhshme (ndërkohë që, investimet e OSHEE sh.a për vitin 2019 janë miratuar në nivelin 8.9 miliard LEK, të reja dhe në vazhdim).

3-Marrja e masave të nevojshme për menaxhimin optimal të likuiditeteve, reduktimin e kostove operative të shpenzimeve të OSHEE sha.a, të cilat vërejmë se janë rritur ndjeshëm në 2019, krahasuar me një vit më parë.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, periodikisht mbi bazë tremujore, ka mbledhur, përpunuar dhe analizuar informacionin e nevojshëm në lidhje me treguesit e performancës financiare të tre kompanive të sektorit energjetik.

Kjo, me qëllim identifikimin, vlerësimin, monitorimin dhe raportimin e risqeve fiskale që rezultojnë nga ndërmarrjet publike me kapital shtetëror në tërësi dhe nga sektori energjetik në veçanti, duke konsideruar rëndësinë strategjike të tij dhe problematikat që e karakterizojnë.

Në 3 mujorin e parë të vitit 2019, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë vërehet se:

Të ardhurat pësuan një rënie të konsiderueshme prej 6.3 miliard lekë ose 24 për qind, ndërkohë që, shpenzimet janë  ulur me 3.6 miliard Lekë ose 14 për qind. Për pasojë:

-Rezultati financiar (fitim/humbje) për këtë tre mujor është negativ. Konkretisht sektori rezulton me humbje prej rreth 1.76 miliard Lekë.

-Totali i Aktiveve dhe Detyrimeve kanë pësuar rritje përkatësisht: 6  për qind dhe 2 për qind duke sjellë për rrjedhojë rritjen e zërit të kapitalit me 19 për qind.

-Marzhi i fitimit, kthimi mbi aktivet dhe kthimi mbi kapitalin kanë trend rënës, duke treguar një performancë jo të mirë financiare të sektorit në përgjithësi.

Monitor,  22.10.2019