info@energjia.al

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, ka pritur në një takim Ambasadorin e Kanadasë  për Kosovë, rezident në Kroaci, Daniel Maksymiuk, me të cilin ka bashkëbiseduar për zhvillimet ekonomike në vend, përfshirë prioritetet e Qeverisë në planin ekonomik.

Fokusi kryesor i takimit ishin potenciali minerar që ofron Kosova pasi që Kanadaja njihet si lider botëror në këtë industri. Me këtë rast Ambasadori Maksymiuk, ka njoftuar Ministrin Lluka për disa kompani Kanadeze të interesuara në këtë fushë që pritet të vizitojnë Kosovën së shpejti.

Për më tepër, Ambasadori ka ftuar Ministrin Lluka në konferencën më të madhe në botë për miniera dhe minerale që mbahet në muajin mars në Toronto, më qëllim të prezantimit të potencialeve që ofron Kosova në këtë industri.

Ministri Lluka, gjithashtu i paraqiti planet e tij për rritje të transparencës në të gjitha projektet minerare, mënyrë kjo e cila do t’i nxisë investitorët serioz të shteteve si Kanada drejt një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik.

Nga ana e tij Ambasadori Maksymiuk, ka përgëzuar Ministrin Lluka për praktikat  transparente në fushën e ekonomisë, duke shtuar se kjo do të ndikoj në bashkëpunimin e më tejmë mes dyja vendeve.

Ambasadori Maksymiuk tha se minierat janë fushë, në të cilat investitorët e huaj kanë interesim të investojnë, duke shtuar se kjo do të ndikonte që Kosova të ketë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  11.10.2017

Miniera e “Trepçës” në Stan Tërg vazhdon të ballafaqohet me vështirësi të mëdha, ndonëse Ligji për Trepçën, i miratuar në Kuvendin e Kosovës në fillim të tetorit të vitit 2016, garantonte zhvillim të shpejtë, pasi që gjiganti ekonomik kosovar i kthehej shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Prodhimi në vitin 2017 ka shënuar rënie të dukshme krahasuar me vitin 2016.

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë prodhuar 6 mijë tonë më pak xehe se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Me prodhimin aktual menaxhmenti i “Trepçës” ka arritur t’i sigurojë pagat për 1360 punëtorë, sa aktualisht punojnë, minatorë dhe staf tjetër. Institucionet e Republikës së Kosovës, para së gjithash Qeveria e Kosovës, prej se është miratuar Ligji për Trepçën nuk ka arritur t’i formojë dy bordet kryesore, atë Mbikëqyrës dhe Bordin Menaxhues dhe në këtë mënyrë gjithçka ka mbetur në duart e menaxhmentit që udhëhiqet nga Ahmet Tmava.

Drejtori Tmava është duke e shtyrë, siç thonë, “me gjoks”, pa e pasur asnjë lloj përkrahjeje nga Qeveria e Kosovës. Institucionet e vendit nuk kanë arritur ta bëjnë asnjë hap përpara për rimëkëmbjen dhe zhvillimin e “Trepçës”.

Në “Trepçë” thonë se kombinati ka mbetur peng i politikës, pasi që me rënien e Qeverisë ka ngelur puna e funksionalizimit të Ligjit për Trepçën, e më këtë edhe zhvillimi i saj, ashtu siç synohej.

Drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava, i ka thënë “Zërit” se janë duke u përballur me telashe të mëdha, të cilat nuk mund të zgjidhen pa u konstituuar institucionet e Kosovës, sidomos pa u funksionalizuar Qeveria e re e vendit, e cila do të vazhdojë me procesin e transformimit të ndërmarrjes nga ajo shoqërore në ndërmarrje publike.

Gazeta Zëri,  07.09.2017

Pas 8 muajsh radhazi me rritje të shpejtë, eksportet shqiptare u ngadalësuan në qershor. Instituti i Statistikave raportoi se muajin që lamë pas Shqipëria eksportoi 22.5 miliardë lekë mallra, një shifër kjo thuajse e njëjtë me atë të qershorit të vitit të kaluar.

Të dhënat tregojnë se stanjacioni i eksporteve është shkaktuar tërësisht nga grupi i mineraleve dhe energji, të cilat ranë me 2.6 miliardë lekë krahasuar me qershorin e 2016-s, duke asgjësuar plotësisht rritjen e eksporteve në grupet e tjera.

Sipas INSTAT, brenda grupit të energjisë, efekti më i madh ka ardhur nga rënia e eksportit të naftës. Kjo, pasi një pjesë e konsiderueshme e arit të zi që prodhohet në fushën e Patos-Marinzës, tashmë nuk eksportohet më jashtë, por përpunohet dhe tregtohet në tregun e brendshëm.

Megjithatë, pavarësisht rënies së lehtë në qershor, si gjashtëmujor eksportet kanë shënuar rritje dyshifrore mbi 13.5 për qind.

Më konkretisht, sipas INSTAT, për gjysmën e parë të këtij vitit eksportet e mallrave kanë arritur në 133 miliardë lekë, ose 15 miliardë lekë më shumë se sa gjashtëmujori i parë i vitit të kaluar.

Thuajse në të njëjtën vlerë sa eksportet janë rritur edhe importet. Rrjedhimisht defiçiti tregtar i vendit për gjashtëmujorin e parë të vitit ka mbetur i pandryshuar në krahasim me të njëtën periudhë të një viti më parë, rredh 162 miliardë lekë, ose mbi 1.2 miliardë euro.

Top Channel,  18.07.2017

Projekti “Crepula”, sipas faqes zyrtare të kompanisë kanadeze “Altair Rexources Inc”, është blerë nga ndërmarrja “AGJA” në Kosovë. Ajo posedon 90 për qind të projektit, gjegjësisht aksione të kompanisë nga Kosova, për çka ka paguar 300 mijë dollarë me këste. Pacolli: Druaj se është marrëveshje e fshehtë në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë

Kompania kanadeze “Altair Rexorces Inc” ka filluar hulumtimet për plumb, zink dhe argjend në Crepulë të Zubin Potokut, në pjesën veriore të Kosovës. Projekti “Crepula”, sipas faqes zyrtare kanadeze “Altari Rexources Inc”, të cilin e përcjellin mediet serbe në veri të Mitrovicës, është blerë nga ndërmarrja “AGJA” e Kosovës.

Kompania ka njoftuar se posedon 90 për qind të projektit – aksione të kompanisë nga Kosova, për çka ka paguar 300 mijë dollarë me këste. “Altair Rexources Inc” gjithashtu posedon raport të hollësishëm për “Crepulën”, të cilin e ka hartuar Perry Grunenberg, i cili në nëntorin e vitit 2015 kishte vizituar Crepulën, fshatin serb në komunën e Zubin Potokut. Sipas informacioneve që ka publikuar kompania, marrëveshja në mes të “Altair Rexorce Inc” dhe ndërmarrjes “AGJA” për shitjen e aksioneve është arritur në gushtin e vitit 2015. Për marrëveshjen e arritur në mes të “Altair Rexorce Inc” dhe ndërmarrjes “AGJA”, e cila është pajisur me licencë nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerare – KPMM, sipas medieve serbe janë në dijeni edhe autoritetet kosovare. Sipas tyre, Blerand Stavileci, ministër i Zhvillimit Ekonomik i Republikës së Kosovës, si dhe ish-ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, janë takuar në Prishtinë me përfaqësuesit e kompanisë kanadeze “Altair Rexorce Inc”, ndërsa i pranishëm ishte edhe ambasadori kanadez në Prishtinë, Daniel Maksymiuk.

Hulumtimet në territorin e Crepulës, siç pohohet në raportin e hollësishëm, janë realizuar në vitin 2007 dhe në vitin 2008 kur ato i ka kryer kompania “Lydian”, respektivisht firma e regjistruar në Kosovë “Kosovo Recource Company”, ndërsa shtohet se shpimi dhe hulumtimet janë kryer edhe nga ana e qeverisë së ish-Jugosllavisë në vitet e ’70-ta dhe ’80-ta, por edhe në vitin 1959 kur ato i kishte kryer “Trepça”.

Sipas informacioneve të kompanisë, janë planifikuar të shpohen (hapen) 10 deri në 20 gropa, të paktën në madhësi prej 1000 metrash, që do të varen nga rezultatet përfundimtare të kompanisë. Shpimet bëhen në bazë të hulumtimit preliminar, ndërsa gjithashtu, siç kanë thënë në “Altair Rexorce Inc”, ndërsa përcjell “Kossev”-i, kompania kanadeze ka licencë për të hulumtuar në një hapësirë prej 9.82 kilometrash katrorë në rajonin, siç thuhet, “në të cilin prej mesjetës është prodhuar plumb, zink dhe argjend”.

Në anën tjetër Behxhet Pacolli, president i AKR-së, pak kohë më përpara pati shfaqur frikën se Qeveria e Kosovës ka bërë marrëveshje me atë të Serbisë për minierën e Crepulës së Zubin Potokut. Ai pati thënë se për këtë ishte informuar nga “equities.com”.

“Sapo u informova nga ‘equities.com’ se kompania ‘Altair Rexources Inc’ ka kryer pagesën finale dhe ka kryer të gjitha obligimet për të marrë në pronësi minierën e Crepulës në rajonin e Zubin Potokut në veri të Kosovës. Kjo kompani ka licencë që kontrollon 9.82 kilometra katrorë të një territori historikisht të pasur me zink, plumb dhe argjend. Programi i eksplorimit ka filluar në vitin 2017, ku së shpejti pritet të fillojnë shpimet e nevojshme, gjë që e bën të dyshimtë faktin se si u pajis kjo kompani me këtë licencë dhe cilit institucion ia pagoi obligimet financiare? Shpresoj se kjo marrëveshje nuk është një marrëveshje e fshehtë e Qeverisë sonë me palën serbe”, pati thënë Pacolli.

Ndryshe, rajoni i Crepulës ku ndodhet edhe miniera është ndër minierat më të mëdha të zinkut në Kosovë. Ajo ndodhet në Crepulë të Zubin Potokut, një fshat i cili kufizohet me fshatrat shqiptare të Skenderajt dhe ka rezerva të llogaritura në 14 milionë tonë të mineraleve, që mund të nxjerrë 2.17 për qind plumb dhe 20 për qind zink ose 303.800 tonë plumb dhe 2.810.000 tonë zink.

Revista Monitor,  27.03.2017

Rreth 12 milionë ton linjit mendohet se qendrojnë të paprekura nën “këmbët” e Kosovës. Vlera monetare e kësaj pasurie vështirë se mund të paraqitet me shifra, por nëse llogariten shpenzimet e dy termocentraleve të KEK-ut, i bie që Kosova ka rezerva linjiti edhe për 1,000 vite të tjera.

Për nga rezervat e linjitit Kosova është i pesti në botë.
Duke pasur parasysh këto rrethana, njohës të fushës së ekonomisë dhe energjetikës vlerësojnë se qymyri duhet të jetë bartësi kryesor i zhvillimit të energjisë në Kosovë.

Ibrahim Rexhepi, nga Instituti STRASS, thotë se përkundër këtyre pasurive, Kosova tash e 30 vjet nuk ka ndërtuar asnjë central të ri për prodhimin e rrymës nga thëngjilli.

“Të gjitha qeveritë e Kosovës, duke përfshirë edhe këtë aktuale, janë te fokusuara në ndërtimin termocentraleve, mbi bazën e linjitit. Mirëpo, ende nuk kanë bërë asnjë lëvizje konkrete, madje asnjë kontrate nuk është nënshkruar për arritjen e këtij qëllimi”, shtoi ai.

Rexhepi tha se eksploatimi i qymyrit nuk nënkupton domosdoshmërisht rritje të ndotjes së ambientit.

”Duhet venë kriteret më të ashpra për ruajtjen e ambientit si nga rreziqet që e kërcënojnë nga eksploatimi i qymyrit, ashtu edhe nga përpunimi i mëtejmë i tij. Këtu nuk duhet pasur tolerancë, pa marrë parasysh koston, të cilën do ta paguaj edhe konsumatori. Siç kemi parë nga informatat që kanë ofruar institucionet relevante deri tani, këto kushte pritet t’i përmbush edhe investitori amerikan në termocentralin Kosova e Re”, tha ai.

Edhe Agim Ymeri, inxhinier i Gjeologjisë tha se angazhimi i autoriteteve kompetente në shfrytëzimin e resursit të linjitit nuk është i kënaqshëm.
“Qeveria duhet patjetër t’i përkrah projektet që në parim kanë shfrytëzimin e qymyrit e në veçanti me metoda alternative siç është gazifikimi nëntokësor”, tha Ymeri.

Gazifikimi nëntokësor i qymyrit ka ardhur në diskursin e Kosovës vetëm pas vitit 2012, kur kompania Envidity ka aplikuar për marrjen e një licence për rajonin e Dukagjinit për të bërë prodhimin e naftës nga qymyri. Projekti është miratuar në qeverinë e Kosovës, mirëpo ende është në procedurat nëpër komisione Parlamentare dhe pritet të dalë për votim edhe në Kuvendin e Kosovës.

Qeveria e Kosovës është në finalizim të marrëveshjes me kompaninë amerikane Contour Global për ndërtimin e një termocentrali me kapacitet të instaluar prej 500 megavatësh. Gjithë investimi do të bëhet nga sektori privat. Kosova e Re synohet të zëvendësoj Termocentralin Kosova A, të cilin qeveria e ka marrë obligim për ta mbyllur në një periudhë afat-mesme.

Sipas qeverisë dhe kompanisë në fjalë, ky termocentral pritet të ulë ndotjen e ambientit nga niveli aktual për masën rreth 90 për qind.
Në Strategjinë Minerare të Republikës së Kosovës për periudhën 2012- 2025, thuhet se Linjiti konsiderohet resursi më i rëndësishëm energjetik i Kosovës, i cili furnizon rreth 97% të prodhimit total të energjisë elektrike e që shpenzohet për furnizimin e termocentraleve të Kosovës.

Thuhet se Kosova ka potencial të konsiderueshëm të mineraleve me vendburime të nivelit Evropian, me rezerva të mëdha të qymyri (linjitit)
Si basenet më të rëndësishme qymyrmbajtëse konsiderohen Baseni i Kosovës, Dukagjinit, si dhe ai i Drenicës.

Rezervat e vlerësuara të qymyrit (linjitit) në gjithë Kosovën thuhet se janë 12 miliardë e 442 milionë tonelata.

Revista Monitor,  15.09.2016

Kosova i ka rreth 68 milionë tonë mbetje minerale, të cilat në tregun momental kushtojnë më shumë se 884 milionë euro.

Mirëpo, pos vlerës financiare që mund ta përfitojë Kosova nga këto mbetje, ato paraqesin edhe rrezik të lartë për shëndetin e qytetarëve. E konsideruar si pasuri në dëm të shëndetit të njerëzve, kjo mbetje minerale ende është pa destinim, sepse Ligji për mbetjet minerale tash e dhjetë vjet nuk është miratuar e, po ashtu, as Ligji për “Trepçë”-n.

Deputeti i Lëvizjes për Bashkim (LB) dhe anëtari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Raif Qela, ka thënë se po të hulumtohen tregjet botërore, këto mbetje minerale mund të shiten edhe më shtrenjtë sesa tregu momental. “Jam i bindur se me pak hulumtim mbetjet minerale mund të shiten në tregun botëror me çmim shumë më të volitshëm sesa ky, por edhe po të shiten krejt depozitat e mbetjeve minerale me çmimin e kontraktuar së fundmi, del se vlera e mbetjeve minerale të ndërmarrjes ‘Trepça’ është rreth 884 milionë euro”, ka thënë Qela për gazetën “Epoka e re”.

Ai ka treguar se mbetjet minerale të ndërmarrjes “Trepça” janë pasuri që nuk duhet të nënçmohen. “Kosova ka rreth 68 milionë tonë mbetje minerale. Mbetjet minerale dalin nga procesi i flotimit, si dhe nga procesi metalurgjik”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq sa i përket çështjes së ambientit, kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), Ilir Morina, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se e kanë ngritur këtë problem qysh dhjetë vjet më parë.

“Ne kemi bërë studime të shumta në bashkëpunim me Qeverinë Çeke dhe kompani të tjera. Ne si agjenci në raportet tona kemi potencuar se ndotjet më të mëdha në Kosovë janë nga ‘Trepça’ dhe shtatë deponitë me mbi 45 milionë mbetje nga plumbi dhe zinku, të cilat përmbajnë metalet më të rënda të mundshme për ambientin, ajrin tokën dhe ujin. Aty ekziston çdo element toksik tepër i rrezikshëm. Këto mbetje, të cilat janë të deponuara gabimisht, janë burim i shumë kontaminimeve dhe rezultatet nga organizatat botërore të shëndetit tregojnë se njerëzit që jetojnë rreth deponive të tilla kanë sasi të plumbit në gjak tri herë më shumë sesa është e lejuar”, ka thënë Morina.

Kurse, drejtori i ndërmarrjes “Trepça”, Ahmet Tmava, ka thënë se mbetjet janë asete që mund të valorizohen dhe të sjellin të hyra financiare.

Epoka e Re,  24.03.2016

Është shteti më i varfër në rajon me nëntokën më të pasur. Ministri që ka për barrë zhvillimin ekonomik të vendit bie dhe zgjohet si të gjithë 1.8 milion kosovarët mbi miliarda euro pasuri që nuk shfrytëzohen.

Në një intervistë për Gazetën Fjala, Blerand Stavileci, ministër i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës tregon se edhe pas tetë vitesh të pavarur, ende nuk ka një model të qartë ekonomik. Ndërkaq, edhe sot e kësaj dite, “ne kemi njerëz që mendojnë që këto pasuri duhet ruajtur dhe mos shfrytëzuar dhe të tjerët që mendojnë që ato duhet shfrytëzuar”, thotë ai.

Stavileci thotë se vendi vazhdon të përballet me sfida të shumta politike që në të shumtën e rasteve e pamundësojnë një përqendrim të plotë tek agjenda ekonomike.

Ai është i bindur që në mandatin e tij të përmbyllë projektin më të përfolur në vend për shumë vite, atë të Termocentralit “Kosova e Re”, të rehabilitoj Kosovën B dhe t’ia zgjasë jetën termocentralit më të vjetër në Ballkan, “Kosovës A”, që duhej dekomisionuar në vitin 2017.

Kreu i zhvillimit ekonomik në vend, konsideron që lokomotivë e zhvillimit rural mund të jetë sektori i bujqësisë, e për sa i takon atij urban primar duhet të jetë fusha e teknologjisë dhe informacionit. Ai fletë për Trepçën, Energjinë e mundësitë e reja të zhvillimit.
Sipas Stavilecit, Qeveria po punon në gjetjen e atyre sektorëve të cilët do të jenë bartës të një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik.

Gazeta Fjala: Cili është modeli i zhvillimit ekonomik të Kosovës?
Stavileci: Ju e dini që Kosova me vite të tëra ka qenë në kërkim të një modeli të zhvillimit ekonomik. Ndryshe ndoshta nga vendet e tjera të cilat ne mundohemi që ti marrim si pika referente mendoj që shumica prej tyre nuk e kanë pasur një situatë fillestare siç e kemi pasur ne. Diçka e trashëguar nga një e kaluar jo e mirë për shtetin tonë. Vetëm nëse e shohim nivelin e investimeve që janë bërë në të kaluarën e shohim që ato kanë qenë shumë larg realitetit të dëshiruar. Kemi pasur në vend edhe prezencë ndërkombëtare e cila sado që e ka mbështetur shtetin tonë, ne prapë kemi qenë disi duarlidhur në kuptimin e shprehjes së stabilitetit ekonomik. Pas shpalljes së pavarësisë, ne edhe sot 8 vite më vonë vazhdojmë të përballemi edhe me sfida të shumta politike që në të shumtën e rasteve e pamundësojnë një përqendrim të plotë tek agjenda ekonomike. Ne tashmë jemi buke punuar në gjetjen e atyre sektorëve të cilët do të jenë bartës të një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik. Qeveria duhet ta kryej rolin e ve në kuptimin e krijimit të strukturës ligjore dhe të gjitha kushteve të tjera me të cilat do të lehtësohej puna e këtyre bizneseve. Unë vazhdimisht e proklamojë një model të zhvillimit ekonomik i cili i ka dy rrafshe, atë të zhvillimit ekonomik rural dhe atë urban. Konsideroj që lokomotivë e zhvillimit rural mund të jetë sektori i bujqësisë, për sa i takon atij urban primar duhet të jetë fusha e teknologjisë dhe informacionit. Edhe nëse sot e analizojmë bruto prodhimin kombëtar të vendit tonë shohim se këta dy sektorë marrin pjesë me diku 25 për qind. Imagjinoni sikur pjesa më e madhe e energjisë sonë do të orientohej në këto dy fusha se çfarë do të mund të ndodhte në ekonominë e vendit tonë.

Gazeta Fjala: Kosovarët thuhet se flenë mbi minerale, mirëpo nuk ua kanë parë shumë hairin deri tani. Cila është strategjia e shfrytëzimit të tyre?
Stavileci: Në mënyrë shumë të sinqerte po e them se sektorin minerar po e përshkruaj si një ‘bukuri të fjetur” të vendit tonë. Ne jemi një vend shumë i pasur me pasuri nëntokësorë dhe në anën tjetër nuk kemi bërë sa duhet në shfrytëzimin e tyre. Edhe sot e kësaj dite, ne kemi njerëz që mendojnë që këto pasuri duhet ruajtur dhe mos shfrytëzuar dhe të tjerët që mendojnë që ato duhet shfrytëzuar. Edhe në këtë çështje kemi polarizime të ndryshme në dy skaje të cilat nuk po i sjellin asgjë të re kësaj çështje. Mendoj që në këtë çështje duhet të ketë një qasje të kombinuar në mes të shfrytëzimit dhe dobisë ekonomike të tyre dhe të një ruajtje për të mos lënë degradimin e tyre. Unë konsiderojë që jo vetëm për Trepçën, por edhe për minierat e tjera të shpallura si zona të veçanta vite më parë nga Qeveria e Kosovës do të duhej të ishin objekt i interesave të ndryshme të sektorit privat. Kjo fushë do të duhej të mundësonte një hapje më të madhe ndaj sektorit privat që në mënyrë që edhe këtu të futet sektor privat.

Gazeta Fjala: Cila do të jetë zgjidhja për statusin e Trepçës?
Stavileci: Ne me stafin tim para pak kohësh kemi mbajtur edhe një punëtori të brendshme për ta pasur pikërisht një vizion që përputhet me ato çka i thash më lartë, dhe mendoj që për disa muaj ne do t’i kemi të gatshme disa prej këtyre zonave të interesit të veçantë të cilat mendoj që do ti shërbejnë sektorit privat që të jenë më tërheqëse për investimet e tyre. Ne duhet të jemi të gatshëm për t’i ofruar alternativat që ti shfrytëzojmë ato në të mirë të zhvillimit ekonomik.

Gazeta Fjala: Stavileci, a do të ndërtohet termocentrali “Kosova e re” në mandatin tuaj apo të mbetet për pasardhësit tuaj?
Stavileci: Sipas dinamikës që ne jemi duke e zhvilluar, besoj që pjesa kryesore do të përfundojë sipas planit të paraparë. Ne në fund të vitit që e lamë pas kemi nënshkruar marrëveshjen e cila i hap rrugë nënshkrimit të marrëveshjeve të tjera e të cilat i hapin rrugë kontratës finale. Gjatë këtij viti do të punohet për përmbylljet komerciale të marrëveshjeve por paralelisht edhe në procesin tjetër e përgatitjes së pakos tenderuese me donatorët të cilët do ta ndërtojnë termocentralin. Unë besoj që me këtë ecuri të punëve që kemi nisur nga fillimi i vit të kaluar orientimisht tash e një vit ne do të jemi dëshmitar të nisjes së punimeve të para në teren aty ku sot gjendet “Kosova B”.

Gazeta Fjala: A ka rrezik të dështoj komplet ndërtimi i saj?
Stavileci: Rreziku gjithmonë ekziston jo vetëm të projektet e këtyre përmasave por edhe tek projektet me të vogla. Por duke e parë seriozitetin e kompanisë dhe përkushtimin tonë si qeveri dhe për më tepër edhe situatën energjetike të cilën e kemi nuk ka lë shumë komoditet për të mos qenë këmbëngulës që sa më shpejtë ta realizojmë këtë projekt. Prandaj unë mendoj që nga ato punë që jemi duke i bërë që prej fillimit të projektit shihet se qasja e investitorit për këtë projekt është mjaftë serioze. Por edhe ne nga kontaktet që i kemi pasur edhe me operatorët të ndryshëm ekonomik të cilët mund të jenë në garë për ndërtimin e Termocentralit, besojë që gjithçka do të shkojë me një epilog për së mbari.

Gazeta Fjala: Me Kosovën e Re, nëse ndërtohet a do të kenë kosovarët 24 orë rrymë dhe sa do të paguajnë më shtrenjtë?
Stavileci: “Kosova e Re”, është në epiqendër në kuadër të projekteve energjetike por edhe të disa projekteve të tjera kapilate sidomos në kuadër të infrastrukturës që është sektori me të cilin Kosova është duke punuar dhe investuar më së shumti gjatë viteve të fundit. Kjo është në funksion edhe me agjendën Evropiane dhe në procesin e vlerësimit të nisur nga kancelarja Merkel. Pra edhe për sa i takon infrastrukturës transportuese dhe asaj energjetike që njihen si parakushte kapitale për një zhvillim ekonomik por që i kontribuojnë edhe ndërmarrjeve dhe njësive transportuese qarkullim më të mirë, më të shpejtë më të lirë, dhe bizneseve tona një konkurrueshmëri më të mirë. Sa i takon çështjes së projekteve të tjera duket thënë që nuk është i vetmi Kosova e Re i cili do ta bëjë dallimin pozitiv sa i takon furnizimit të rregullt 24 orësh me energji elektrike. Ne në fakt jemi duke punuar edhe në projekte të tjera. Do të ketë rehabilitim të Kosovës B. Do ta kemi një studim fizibiliteti për Kosovën A” dhe opsionet e ndryshme të cilat po ashtu do të ndikojnë në rritjen e kapaciteteve ndërtuese. Kjo është pesëshja e elementeve përmbajtjesore që do ta mundësojnë një zhvillim energjetike në vendin tonë.
Të gjitha investimet që behën në sektor janë të reflektueshme në kuptimin e kostos sikurse edhe te rasti i Kosovës B dhe rasteve të tjera. Ne do të krijojmë mekanizma zbutës ose amortizues të ngritjes së tarifave me kontribute të drejtpërdrejta nga buxheti i shtetit tonë. Në mesin e atyre elementeve pozitive që ne i kemi bërë gjatë nënshkrimit të marrëveshjeve me investitorin amerikan ka qenë pjesëmarrja në fonde nga buxheti i shtetit, gjë e cila do të hiqte një barrë financiare gati të papërballueshme për shtetin me rreth 200 milionë euro sa kanë qenë të planifikuara në fillim.

Gazeta Fjala: Çka do të bëhet me Kosovën A, a do të mbyllet në vitin 2017, siç është thënë më herët apo do të rinovohen blloqet e saj?
Stavileci: Në të gjitha analizat dhe studimet që janë bërë viteve të fundit, por edhe në dokumentet strategjike, fati i Kosovës B ka qenë i lidhur me atë të Kosovës A. Duke parë situatën aktuale dhe duke ditur se në vitet që shkuan ne kemi humbur për shkak se nuk kemi arritur që ta përmbyllim projektin për Kosovën e Re dhe se cikli i jetës funksionale ka ardhur së fundmi, ne tash duhet të jemi edhe më të kujdesshëm në kuptimin e vendimeve strategjike për të ardhmen edhe të kësaj njësie gjeneruese. Ne do ta provojmë edhe studimin e fizibiliteitit dhe do të vendosim për objektin që i përmbush objektivat që i kemi paraparë për furnizim të rregullt me energji. Ne do të kemi mundësi të partneritete me operator të ndryshëm që janë lider të energjisë elektrike. Kosova A ka ende potencial për të gjëndëruar energji.

Gazeta Fjala: Sa e ka dëmtuar PTK-në dhe imazhin e sajë rasti me Axos?
Stavileci: Natyrisht që secili projekt që nuk realizohet nuk është që i vë hije të mirë vet projektit por dhe shteti që ka pasur për tu realizuar ai projekt. Në këtë rast mendoj që situate është pak më ndryshe sepse nga ecuria e rrjedhjes së këtij projekti dhe nga dëshmitë dhe faktet që ekzistojnë në kuadër të ish strukturës që e ka menaxhuar këtë projekt nuk ka qenë faji i Qeverisë, por sido që të jetë secili prej neve do të ishte i lumtur që ne të shihnim sot një operator të telefonisë mobile që të operonte më shumë. Por sido që të jetë thonë që në fatkeqësi ka dhe pak fat, dhe mendojë qe me ardhjen e menaxhmentit të ri gjërat kanë ndryshuar në aspektin pozitiv sepse ka nisur një trajektore e mirë sa i përket perfomancës së VALËS, dhe me ardhjen e menaxhmetit të ri ka një ndryshim shumë pozitiv. Kështu që në momentin që të përfundoj arbitrazhi do të hapet mundësia që të bëhet një rishikim i strategjisë dhe të përgatiti për procesin e modernizimit të operatorit tjetër sepse do ti sillte të mira edhe Kosovës edhe qytetarëve në cilësinë e konsumatorëve sepse do të kemi edhe mundësi për rizgjedhje në ekonominë e Kosovës

Gazeta Fjala,  22.02.2016

Me dhjetëra subjekte minerare kanë kërkuar pezullim të aktivitetit, pas gati përgjysmimit të çmimit të mineraleve në tregjet ndërkombëtare. Për t’i dhënë oksigjen kësaj industrie, ministria e energjisë është në bisedime me atë të financave për të lehtësuar këtë sektor duke filluar me uljen e rentës minerare, që aktualisht është 10 %.

“Synimi është që të ketë ndryshime në mënyrën si llogaritet renta, që cmimi i rentës të reflektojë prodhimin e mineralit në grykën e galerisë, duhet të kuptohemi ministria e energjisë është në rolin e natyrshëm të avokatit të kësaj industrie sic ministria e financave synon të maksimizojë të ardhurat”, thotë Koli Bele, sekretar i përgjithshëm, MEI.

Por mbyllja e këtyre subjekteve do të shkaktonte efekt zinxhir në aktivitete të tjera ndihmëse dhe punësim duke sjellë edhe rënien e të ardhurave të tjera që shteti merr nga industria e nxjerrjes së mineraleve, përmes tatim taksave. Një tjetër masë lehtësuese sipas Koli Bele është që subjekti të paguajë garancinë e mjedisit në mënyrë progresive, vetëm për atë pjesë të tokës që shfrytëzon.

“Lejet minerare janë për periudha që shkojnë deri në 25 vite e nuk do të ishte e drejtë që për të gjithë periudhën e jetës së minierës shuma e parave që do të duhej për garancinë e rehabilitimit mjedisor të rrijë e bllokuar në total”, vijon Bele.

Gjendja e sektorit minerar ka zuar në mbylljen e një prej minierave më të mëdha të bakrit në Munellë të Pukës.

Top Channel,  22.02.2016

Qeveria vendosi të aplikojë çmimet e referencës ndaj mineraleve që nxirren në vend për të aplikuar në bazë të tyre vjeljen e rentës minerare.

Vendimi u mor në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave ku u vendos që në fund të pikës 3, të vendimit nr.7, datë 4.1.2012, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet paragrafi me këtë përmbajtje: “ Në varësi të përqindjes së mineralit të shitur brenda vendit, nga nxjerrësi i mineralit te përpunuesi/pasuruesi i mineralit, llogaritja e pagesës së rentës bëhet sipas çmimeve, të përcaktuara në tabelat referuese, të miratuara nga komisioni ad-hoc, i përcaktuar në këtë vendim.”

Burimet nga Ministria e Energjisë thanë se, çmimet e referencave do të ndihmojnë në frenimin e spekulimeve që bëhen në raportim real të çmimeve. Biznesi i nxjerrjes së mineraleve është i fragmentarizuar dhe karakterizohet nga një informalitet i madh.

Ulja e çmimeve të mineraleve në bursat ndërkombëtare vitet e fundit, ndikoi në uljen si në sasi dhe në vlerë të eksporteve e mineraleve shqiptare. Sipërmarrësit e kompanive nxjerrëse në vend, ndërsa kufizuan punën për nxjerrjen e xeherorëve (mineralet e bakrit dhe kromit) reduktuan ndjeshëm eksportet, në pritje të rritjes së çmimit.

Revista Monitor,  13.02.2015

Tremujori i tretë i këtij viti nuk ishte shumë pozitiv për eksportet shqiptare. Në tre muaj, vlera totale ishte 62.8 miliardë lekë, në rënie me rreth një miliardë lekë ose 1.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rënia ka prekur sektorë mjaft të rëndësishëm në strukturën e eksporteve, si mineralet apo bimët medicinale. Sipas shifrave që raporton Instat, eksportet e kromit në këtë tremujor kanë pësuar një rënie drastike. Gjithsej u eksportuan 128 mijë tonë krom, rreth 43% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në vlerë eksportet e kromit në tremujorin e tretë ishin 1.9 miliardë lekë, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ishin afro 2.9 miliardë.

Në total, produktet minerale gjatë tremujorit të tretë siguruan rreth 20 miliardë lekë eksporte, në rënie të ndjeshme vjetore prej 24%. Një faktor i rëndësishëm besohet se ka qënë ulja e çmimeve të naftës në bursat botërore, që ka goditur të ardhurat nga eksporti i naftës bruto. E njëjta gjë mund të thuhet për një grup tradicionalisht të rëndësishëm të eksporteve shqiptare, atë të bimëve medicinale dhe aromatike.

Eksporti i tyre në tremujorin e tretë të vitit 2014 ra në rreth 2,400 tonë, 24% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në vlerë, bimët medicinale dhe aromatike i sollën bilancit tregtar 846 milionë lekë, nga më shumë një miliardë lekë për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. I vetmi sektor që këtë vit po shfaq ecuri bindëse pozitive në eksporte është ai i fasoneve.

Për tremujorin e tretë, nëgrupi i veshjeve eksportoi 10% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa nëngrupi i këpucëve gati 32% më shumë. Në tërësi, ky vit pritet të jetë më pak i mbarë për eksportet shqiptare dhe shpresat për një rritje më të lartë të ekonomisë janë të gjitha te përmirësimi i kërkesës së brendshme.

Scan TV, 27.12.2014