Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia, sekretariati: Ende pa platformë tregëtimi

Tregu shqiptar i energjisë mbetet i rregulluar në shumicën e tij duke u shoqëruar edhe me një sërë hallkash të tjera që vijnë si rrjedhojë e kësaj situate. Një raport i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë ka marrë në analizë tregun e shumicës në energji duke theksuar se aktorët kryesorë sot mbeten gjeneruesi publik dhe shpërndarësi publik teksa nuk ka një platformë për shitblerjen mes tyre. I njëjti nënvizon se nuk ka kontrata të standardizuara, tregtimi varet në procedura afatshkurta si shitje shumice apo blerje për humbje dhe se shifrat që gjenerohen nga këto procedura nuk krijojnë dot një ide për çmimet në avancë.

“Tregu me shumicë i energjisë elektrike në Shqipëri bazohet në kontrata dypalëshe. Prodhuesi kompetent është i detyruar t’i ofrojë të gjithë volumin e tij furnizuesit kompetent nën detyrimin e shërbimit publik, në masën që ky i fundit ka nevojë. Në varësi të kushteve të motit, duke pasur parasysh që prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri është i bazuar në hidro përqindja e portofolit që i alokohet furnizuesit është mes 70-90 për qind.

Edhe pse çmimi për këtë pjesë të portofolit të gjenerimit është dypalësh mund të konsiderohet i rregulluar duke pasur parasysh që vendoset në bazë të kostos pa pasur ndonjë lidhje me çmimet e tregut. Nuk ka një  platformë për tregtimin e prodhimit për tregun shqiptar dhe për këtë arsye nuk ka kontrata të standardizuara produkte apo sinjale për çmime në avancë. Në fakt, çdo tregtim nga gjeneruesi apo furnizuesi publik bëhet për të shitur teprica ose për të mbuluar ndonjë mungesë në portofolin e tyre që është më pak se 20%. Shitja ose blerja bëhet përmes tenderëve me lote të ndryshme apo porosi. Kjo zakonisht bëhet në terma afatshkurtër javore dhe në disa raste brenda muajit, por gjithmonë pasi parashikohen nevojat e konsumatorit nga furnizuesi publik i cili ka përparësi.

Aktiviteti tregtar është kryesisht i përqendruar tek tenderët e kompanisë prodhuese dhe furnizuese përmes kontratave të paracaktuara që orientohen kryesisht në shkëmbime ndërkufitare” thuhet në raport.

Lidhur me këtë Sekretariati ka nënvizuar se në kushtet kur tregu në avancë nuk ekziston në Shqipëri dhe për rrjedhojë nuk ka asnjë indeks të çmimeve apo kur kontratat financiare nuk përdoren si instrument mbrojtës për tregun shqiptar duhet të hidhen sytë tek masat përmirësuese.

“Në përputhje me kompetencat, rregullatori duhet të identifikojë masa që do të lehtësonin krijimin e një tregu me kontrata të standardizuara dhe të marrë masa që të nxisë cilësinë” vlerëson raporti.

Monitor,  13.11.2019