Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Detyrimet e biznesit për eficencën energjetike, Berberi: Certifikohen menaxherët e nergjisë, çdo konsumator i madh duhet t’i punësojë

Agjencia për Eficencën e Energjisë ka nisur procedurat e certifikimit për menaxherët e energjisë, të cilët do të shërbejnë pranë bizneseve apo institucioneve publike që karakterizohen si konsumatorë të mëdhenj të energjisë. Në një prononcim për TV SCAN, kreu i Agjencisë Evis Berberi thotë se nevojat për këta profesionistë janë të mëdha për tregun e punës, duke qenë se tashmë detyrimet për rritjen e eficencës energjetike kanë hyrë në fuqi.

“Konsumatorët më të mëdhenj të energjisë pra ta që kanë mbi 3 milionë kw/h të konsumuar në vit dhe bashkitë e Republikës së Shqipërisë duhet të punësojnë patjetër një menaxher energjie. Automatikisht Tregu sot ka nevojë për menaxher të energjisë dhe ne po mundohemi për të plotësuar këtë vakum. Për të aplikuar kanë qenë diku tek 120 aplikantë.”

Berberi thotë gjithashtu, se brenda këtij vitit do të miratohen edhe ndryshimet ligjore, që do të ulin nivelin konsumit për t’u klasifikuar si konsumator i madh energjie, duke rritur numrin e bizneseve apo institucioneve që do e kenë këtë detyrim.

“Ndryshimet ligjore janë duke u punuar në bashkëpunim me Ministrinë dhe konsulentët e huaj dhe besoj brenda vitit parlamentar ndryshimet ligjore do të kalojnë. Niveli nga 3mln kw/h konsum në vit do kalojë në 1 mln kw/h konsum, që do të thotë rritje hapësirës, që do të thotë se sot janë 70 konsumatorë, do të shkojë në rreth 200 të tillë. ”

Përveç detyrimin për të punësuar një menaxher energjie, çdo person juridik, publik ose privat, që kategorizohet si konsumator i madh është i detyruar të zhvillojë një Auditim energjetik. Ndërkohë që, brenda dy vjetësh nga marrja e rezultateve të auditimit, duhet të ndërmarrë masat dhe kryejë veprimet e rekomanduara për përmirësimin e eficencës së energjisë. Po ashtu, ata janë të detyruar të dërgojnë pranë Agjencisë për Efiçencën e Energjisë, jo më vonë se data 31 mars e çdo viti, një raport me të dhëna mbi konsumin e tyre të energjisë për vitin kalendarik paraardhës, ndërkohë që ky detyrim do të zbatohet duke filluar nga 31.03.2021.

Scan, 21.09.2020