Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kur inspektoriati katandiset lesh e li…

Po e nis me një dokument zyrtar: Një auditim i detajuar e mjaft cilësor i Kontrollit të Lartë të Shtetit të vitit 2015 “Performanca e IQT në garantimin e cilësisë së tregtimit të naftës dhe nënprodukteve të saj në Shqipëri”, evidenton që nga 5314 analiza për gazoilin dhe benzinën, bashkarisht, të kryera në vitin 2014, 473 prej tyre kishin rezultuar me shkelje të cilësisë, që do të thotë se 9 %  e mostrave të marra në tregun e karburantit në vendin tonë kanë rezultuar jasht standardit të cilësisë. Një shifër goxha e madhe!!

Në mungesë të një auditimi të ri, le të bëjmë një krahasim me 28 shtetet e Bashkimit Evropian, për të njëjtin vit: në vitin 2014 në të gjithë teritorin e tij të madh ishin marrë 14 125 mostra gazoil diesel dhe 9360 mostra benzinë, nga të cilat vetëm 405 mostra ose 1.7 % e totalit, bashkarisht, kishin rezultuar me shkelje të tregusve të standardit të cilësisë, që do të thotë rreth 5 – 6 herë më pak se sa në vendin tonë….. dhe ku?… në një treg nëpër rrugët e të cilit funksionojnë 114 431 stacione karburanti, qarkullojnë mbi 200 milion vetura dhe 20 milion kamiona dhe janë tregtuar 245. 876 milion litra gazoil diesel dhe 105. 566 milion litra benzinë, pra me dhjetra herë më shumë se sa në vendin tonë të vogël.

Dhe e vecanta është që: i) gazoili diesel që mbulon 70 % të tregut evropian ka patur shumë më pak shkelje (ndërsa tek ne është kaq problematik!) se sa benzina që mbulon 30 % të tregut si edhe që ii) shkeljet i atribohen më shumë shmangieve fare të vogla të treguesve të ndikimit kryesisht në ambjent si: squfur, etanol, benzene, aromatics, olefins, presioni i avujve, distilimi, FAME, densiteti, RON, MON, cetan number dhe oksigjeni, ndërsa tek ne shmangiet i përkasin pothuajse të gjitha pikës së flakërimit të gazoilit dhe përmbajtjes së squfurit në të dy produktet, nganjëherë në vlera alarmante… e njëjta gjë ka vijuar edhe në vitet e mëpastajmë dhe vijon.

Me të drejtë kushdo mund të pyes: Kur do t’i afrohet vendi ynë standardeve të cilësisë së karburanteve të vendeve evropiane? Edhe sa kohë duhet akoma?” Dhe përgjigja realiste do të ishte: i) Kur të ndryshojë mendësia e tregtarëve tanë të karburantit dhe ii) kur puna e institucioneve tanë të jetë e nivelit evropian. E meqë tregtarët tanë të karburanteve duan akoma dhe shumë kohë që të kuptojnë rëndësinë e stabilitetit të tregut e të konkurencës së ndershme në treg, sikurse bëjnë tregtarët evropian, gjithëshka mbetet dhe varet nga performanca e punës së isntitucioneve të shtetit.

Ç’është e vërteta, duhet pohuar, që nga viti 1999, kur me inisiativën e ministrit Ylli Bufi u themelua një inspektorat i vecantë në vendin tonë për kontrollin e këtij tregu, ka patur përmirësime dhe ndryshime nëse jo të mëdha, të paktën të lavdërueshme, nga një treg rrumpallë ku mbizotëronte babëzia për fitim, duke mashtruar me cilësinë e gazoilit, benzinës dhe e nënprodukteve të tjerë, pa menduar fare për pasojat në ambjent dhe në makina, hap pas hapi, përvec se janë miratuar dhe zyrtarizuar standardet evropiane të cilësisë të detyrueshëm për zbatim edhe në vendin tonë, është krijuar edhe një infrastrukturë inspektim – kontrolli dhe laboratorike për cilësinë, mjaft e organizuar, e për të gjithë teritorin e vendit. Koha provoi rëndësinë e këtij inspektorati, formësimi e konsolidimi i të cilit ka vijuar normal dhe me synime të qarta progresiste deri në fund të vitit 2009. Pastaj fatkeqësisht ka ndodhur e kundërta.

Për tetë vjet nuk u bë asgjë për perfeksionimin e inspektimit të tregut. Jo pak, tetë vjet!!… që mund të ishin bërë shumë gjëra të mira…., të paktën duhet të ishin bërë: i) monitorimi për mënjanimin e përzierjeve të ndryshme të nënprodukteve të caktuar për qëllim fitimi nga shoqëritë e shumicës dhe stacionet e pakicës, një sëmundje që ka vijuar gjatë e nuk është shëruar akoma e që përbën burimin më kryesor të cënimit të cilësisë. Në cfarë mënyrë? Nëpërmjet monitorimit të thjeshtë të kontrollit të bilancit material të lëngut të cdo shoqërie, sidomos të stacioneve (furnizmim – shitje = gjendje në rezervuar, e nëse gjendja del më e madhe se llogaritja, atëhere është bërë shtim ilegal…) që mund të sigurohej nëpërmjet një kontrolli të përbashkët të paktën cdo 6 muaj me tatim taksat (që zotëron faturat blerje, shitje – te pakten pas legalizmit të këtij tregu), ii) aplikimin e kërkesave të standardit për sigurimin e pastërtisë së rezervuarve për mënjanimin e ndotjes dhe degradimin e cilësisë së karburanteve, iii) përfshirjen dhe vënien nën kontroll të impianteve gjoja të ripërpunimit të nënprodukteve të naftës ose industrial, të shpërndarë si qoska nëpër tërë teritorin këto vitet e fundit, por që cuditërisht as kontrollohen as nuk dihet cilësia dhe tregu ku shiten produktet e tyre… një gropë e zezë në këtë fushë, iv) përdorimi i autolaboratorit të blerë në vitin 2011 që do të kontrollonte në mënyre dinamike tregun, si mjet efektiv për parandalimin e abuzimeve, por që fatkeqësisht është lënë dhe vijon stok… pa e çarë kokën fare për shpërdorimin e fondit mbi 20 milion lekë… tete vjet dhe inspektorati jo vetëm që nuk pësoi rritje, por degradoi keq e më keq: Inspektimi dhe monitorimi i tregut u çakordua, u prish politika e kontrollit si një i tërë, tregu dhe subjektet ndaheshin sipas dëshirës dhe interesit të titullarit të radhës, disa prej të cilëve kanë qënë të lidhur edhe vet me tregun, inspektimi është përqëndruar në tregun më të lehtë e më të thjeshtë, në stacionet e shitjes, ndërsa disa shoqëri me emër të madh të shumicës, që furnizojnë pjesën më të madhe të tregut me këto produkte nuk kontrollohen dhe u bënë “lulja mos më prek” … nga frika apo interesi i shefit?

Të dyja….. kështu skaneri i tregut dhe kontrolli i faktorëve ndikues kanë munguar dukshëm. Kush është shkaku? anormaliteti dhe paqëndrueshmëria e inspektoratit në tetë vitet e fundit. Mendoni, në 8 vite, titullarët e tij janë ndërruar 8 herë, që do të thotë për cdo vit një kryeisnpektor, që do të thotë që për cdo vit administrata e tij është bërë “shesh për përshesh” nga titullarët e njëpasnjëshëm, që cdo vit sillnin “tërmet”, jo për të rritur besueshmërinë, performancën e cilësinë e shërbimit, kapacitetet teknike, moralin dhe etikën e personelit gjendje, por për „cveshjen“ e institucionit nga ata që gjendeshin në punë (duke mos kursyer as profesionistët me përvojë, nga 33 inspktorë të naftës në organikë, vetëm 5 – 6 janë inxhinjer nafte ose kimist!!!,) e rinisjen nga e para me miqtë dhe shokët e titullarit të ri, pothuajse të gjithë jasht profesionit, të marrë nga rruga si miq të tij ose të partisë së tij… rasti mbase më tipik kur institucioni bëhet lesh e li….dhe pasojat negative janë të dukëshme.

Kështu p.sh. performanca e marrjes së mostrës, që përbën detyrën më kryesore funksionale të inspektorëve, është bërë hallka më e dobët për të mos thënë hallka më skandaloze në këtë inspektorat … sepse inspektorët e ISHTI nuk i njohin standardet e marrjes së mostrës përfaqësuese për cdo lloj rezervuari e rëndësinë e saj për të qënë njëlloj me vetitë identike të volumit që duhet të përfaqësoj në analize, nuk njohin as rregullat për ruajtjen e integritetit të mostrës gjatë transportit, pra që të ruhet kompozimi i njëjtë sic u mor nga rezervuari i lëngut. ….sepse përaq kohë të shkurtër sa janë në punë, ata nuk duan tja dinë për përgjegjësinë e kësaj pune delikate dhe as për interesin publik, por për interesat e atij që i punësoi, të marrin një rrogë e të fitojnë ndonjë lekë më shumë…. dhe kështu ndodh që rezultati i analizës laboratorike të mostrës që sjellin në laborator shpesh nuk shpreh të vërtetën reale të volumit në depozitë, si rrjedhim subjekti gjobitet kot dhe “dobiçi” i mbetet laboratorit.

Si personi që i njeh mirë faktorët e testimit, mund të them që matjet laboratorike janë e vetmja punë e besueshme e këtij inspektorati sepse i) laboratori është i akredituar, ii) pavarësisht nga djegjet kriminale të disa fondeve për blerje paisje të tjera, ai është i kompletuar me paisjet më të mira të kontrollit të cilësisë, iii) e siguron shërbimin e mirëmbajtjes, riparimit e të kalibrimit të tyre nga profesionist kompetent në afatet e kërkuara nga standardet iv) ka një ekip profesionistësh laborante kimist, me përvojë mbi 10 – 15 vjecare, të trajnuar rregullisht, që njohin mirë paisjet dhe metodën standard të testimit të cdo treguesi të cilësisë së produktit benzinë ose gazoil, ku janë vendosur gjobat,  v) personeli i testimit është “qorr e shurdh” në lidhje se kujt i përket mostra që analizon dhe vi) personeli i këtij laboratorit me ndihmën e pakursyer të personit që ka kryer akreditimin e tij, ka bërë vlerësimin e pasigurisë së matjeve të cdo paisje dhe metode testimi, që shoqëron cdo rezultat analitik, duke e mbyllur kështu me sukses gjithë procedurën e saktësimit të matjes, që si matje duhet të konsiderohen të sakta.

Po kështu më anormale dhe e dënueshme është edhe praktika e vendimmarrjes së gjobës nga titullari, e trajtuar shkel e shko sipas oreksit të tij mbi kurrizin e bisnesit…. Nga shkeljet e thëna në fillim të këtij shkrimi, Institucioni kishte gjobitur 54.2 % të tyre, dmth ishin ushtruar 256 gjoba ndaj subjekteve. Dakord, mirë ka bërë, por pse nuk janë gjobitur të 473 shkeljet e konstatuara por vetëm 256 të tyre? “Cili ka qënë kriteri dhe arsyeja e këtij seleksionimi”?

A shikohen të gjitha shkeljet me të njëjtin kut, me të njëjtën “lupë” e “zemër” për cdo subjekt, i shumicës apo i pakicës, e kujtdo tjetër që mund të ndikojë në prishjen e cilësisë së gazoilit diesel dhe benzinës, apo disa të nënës e disa të njerkës? si spjegohet që të gjitha gjobat ju përkasin stacioneve të shitjes më pakicë dhe asnjë për shoqëritë e shumicës, që i furnizojnë ato me këto produkte dhe që duhet, sipas ligjit, të përgjigjet për cilësinë e tyre në stacionin e shitjes me pakicë?

Qënkan të “virgjëra” të gjitha shoqëritë e shumicës!!!……Ndërkohë, shumë prej tyre nuk janë të drejta, sepse nuk janë të bazuara shkencërisht. Kështu cuditërisht pa e carë kokën fare janë vendosur gjoba me shmangie të treguesve të cilësisë që janë brenda kufijve të pasaktësisë së matjes, sikurse është shmangia me minus 2  ose 3 0 c të pikës së flakërimit ose plus për 2 – 3 – 5 mgr/kgr (pjesë për milion) squfur mbi nivelin e lejuar n standard por që janë brenda gabimit të pasaktësisë së matjes.

Dhe mendo…. laboratori është brenda godinës të inspektoratit, ku mund të thirret për sqarime e saktësime të cdo paqartësie të matjes ose të mostrës. Këto raste flasin jo vetëm për paaftësi, për dënime të padrejta, por kryesisht të bëra me qëllim ndaj disa bisneseve… , i cili ha dynjanë pastaj nëpër gjykata për të fituar të drejtën që u takon . … për dijeni të publikut, gjykatat administrative kanë anuluar rreth 50 % të këtyre gjobave të vena nga inspektorati. Përqindja do të ishte më e lartë nëse gjyqtarët (pavarësisht nga mbingarkesa e madhe e cështjeve të tyre gjyqsore), do të gjenin kohën e duhur për të degjuar e asimiluar të vërtetën shkencore të ekspertizës teknike asnjanëse se sa, nga njëherë, të ruanin nderin e institucionit të shtetit!!!. Dhe nuk flitet për gjoba të vogla 100.000 apo 1 milion lekë por mbi 2 milion lekë të reja, që mund ta falimentoj një subjekt të vogël… nuk jam e nuk dua të vendosem në krah të bisnesit, jam totalisht dakord që abuzuesit të gjobiten, por kur e meritojnë, në mënyrë të drejtë, bazuar në të dhena teknike të sakta e bindëse.

Ç’farë duhet bërë që të arrijmë nivelin e evropës? E para, institucioni duhet të rikrijohet, jo të reformohet, por të rithemelohet. E kjo do të thotë që së pari duhet të bëhet skanimi dhe pastrimi i institucionit nga t gjitha “delet e zeza” të tij, që mburren me diploma falso e me “mbulesa” të forta partie dhe miqësie nga larte. S dyti inspektorati duhet t kompletohet me teknicen profesionistsh që për këtë shërbim publik duhet të jenë inxhinjer nafte, kimist dhe fizikant me diplomë të rregulltë. Inspektorati ka një emër domethënës specifik, „teknik” dhe kështu duhet të jetë. Ndërkohë, inspektorët e përzgjedhur, konform ligjit Nr.10 433, datë 16.6.2011 “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, duhet ti nënshtrohen trajnimit të detyrueshëm dhe testimit profesional fillestar përpara përfundimit të periudhës së provës, si edhe testimit të detyrueshëm cdo 2 vjet.

Kush nuk përditëson njohuritë, ose humbet etikën dhe vlerat morale duhet të “fshihet” nga inspektorati. Në vendet e tjera evropiane, për të mos thënë në të gjithë botën, shërbimi i marrjes së mostrës u besohet vetëm trupave të inspektimit që janë të akredituar / certifikuar, të trajnuar për të njohur rregullat e standardet e marrjes së mostrës e të transportimit të tyre, ndërsa tek ne abuzohet me statusin shtetëror, duke ju bërë nder injorantëve që nuk njohin sic duhet as gjuhën shqipe të shkruar. Shërbimi i inspektorëve duhet të monitorohet nga shërbimet e brendëshme të inspektoratit, monitorime të përshtatëshme për të siguruar “syrin” e shtetit në kontrollin e të gjithë inspektorëve në gjithë vendin. Kështu shmangen pisllëqet dhe manovrimet me mostrat në marrje ose gjatë rrugës për në laborator, që kanë qënë kaq dyshues. Dhe kryesorja, titullari nuk duhet të jetë person politikë, vetëm teknik e me një afat shërbimi jo më pak se 3 – 4 vjet.

Ndërkohë, bazuar në literaturën shkencore duhet të legalizohen akte dhe rregulla nënligjore për i) përshkrimin e marrjes së cdo mostre, transportit dhe dorëzimit të saj në laborator ii) verifikim të rezultatit të sapomarrë me tregues jasht standardit, me mostër të re, e marrë me ekip tjetër e më të besuar nga titullari dhe subjekti, iii) Nëse shkelja konfirmohet përsëri, afati i ruajtjes së mostrës për ritestim në rastet e çështjeve gjyqësore duhet shkurtuar në një muaj dhe iv) ritestimi për çështjen gjyqësore duhet të bëhet në një laborator tjetër të akredituar, që fatmirësisht egziston në vendin tonë, i cili mënjanon konfliktin e interesit dhe mund të aplikojë me sukses procedurat e përshkruara në S SH EN ISIO 4259 “për zgidhjen e mosmarrveshjes dhe interpretimin e rezultateve të bazuara në saktësinë e metodës së provës”.

Të gjitha këto masa administrative dhe rregulla e standarde teknike do të rrisin kapacitetin njerëzor të inspektoratit, i aftë të  ushtrojë inspektimin, marrjen e mostrës, testimin e saj dhe shqyrtimin korrekt të cdo pasaktësie e mosmarrveshje me bisnesin, në nivelin e vendeve evropiane.

Qytetaret, konsumatorët, bisnesi dhe ne ish punonjësit e tij, e presim këtë gjë të ndodh shpejt, duke filluar ngritjen dhe funksionimin e një inspektorati serioz e profesionist si në të gjithë vendet perëndimore, model të performancës së punës e të sjelljes etike me këdo, e mbi të gjitha me bisnesin??!!!. . “Këmbora” i është varur një kryesinspektori të ri, i sapoemëruar, në kuadër të implimentimit të reformës në administratë. Unë hyj tek ata njerëz që besojnë se në vendin tonë ka njerëz me sedër e ego pozitive për të bërë gjëra të mira. Dhe gjëja më e mirë sot është të dish të bësh institucion, administratë, për të bërë shtet, premitimi i madh i Edi Ramës që u besua dhe u votua masivisht nga shqiptarët, por që deri tani nuk është provuar akoma…. presim të shohim në muajt që vijnë….

Shekulli,  17.04.2018