Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Analiza: Albpetroli shtetëror dhe roli i tij në industrinë e naftës

Nga Isuf Tushe, gjeolog nafte, Doktor i Shkencave Gjeologjike

Rastësia me çoj të hedh këto rreshta sepse para ca muajsh, në internet, më zuri syri video të kompanisë shtetërore të naftës në Malajzi, Petronas, e cila festonte 45 vjetorin e krijimit të saj. Çfarë të shikoje në ato video të publikuara në internet, nga një menaxher i saj, një festë vërtetë madhështore, njerëz të gëzuar që festonin dhe reklamonin sukseset dhe arritjet e kompanisë. Më është dhënë mundësia të kryej një studim gjeologjik për këtë kompani lidhur me oil/gas shale.

Ajo që më ka bërë përshtypje ishte mënyra se si menaxhonte pasuritë nëntokësore të naftës dhe gazit në shtetin e Malajzisë, por kurrë nuk më kishte shkuar ndërmend të kërkoja në internet, apo të pyesja ndonjë specialist se kur ishte krijuar Petronasi, pasi duke u nisur nga zhvillimi i tij në shumë drejtime, në industrinë e naftës, etj., më ishte krijuar ideja se duhet të jete krijuar shumë vite më pare që ka arritur në këtë stad zhvillimi dhe këto rezultate të kënaqshme.

Petronasi sot cilësohet një nga gjigandet më të mëdhenj të industrisë naftës në kontinentin aziatik, për nga asetet dhe rezervat hidrokarbure që zotëron, kapacitetin investues financiar dhe aftësitë teknologjike që ka, sukseset në kërkim-zhvillimin e vendburimeve të naftës dhe gazit, dhe fuqinë punëtore që punon për të, por mbi të gjitha këto arritje i dedikohen mënyrës së drejtimit, organizimit dhe menaxhimit të filialeve të tij brenda dhe jashtë territorit të Malajzisë. Vërtetë një gjigand i madh, me zyra të vendosura në kullat binjake madhështore të rrethuara nga godina shumë dimensionale, që lidhen midis tyre me tunele të gjatë dhe të pafund, brenda me ajër të kondicionuar, që të çojnë në të gjitha drejtimet dhe metrotë në kryeqytetin Kuala Lumpur.

Një arkitekturë mahnitëse, përrallore, e mrekullueshme për t’ia patur zilinë, e cila gjendet në atë vend, e gjitha e projektuar dhe ndërtuar me parat e arit të zi.

Petronasi, fillimisht, është krijuar me investimin e shtetit, pra me parat e taksa paguesve Malajzian. Më tej është zhvilluar si një kompani me vetëfinancim, e cila i paguan të gjitha detyrimet financiare shtetit, por gjithmonë është nën drejtimin dhe mbikëqyrjen e tij. Hap pas hapi, Petronasi krijoj të gjitha filialet dhe institucionet shkencore që i nevojiteshin për zhvillimin dhe drejtimin e industrisë naftës dhe sot pa hezitim mund të konsiderohet, financiarisht, më i fuqishëm edhe se vet shteti që e krijoj. Përdori gjithë arsenalin kombëtar të specialisteve dhe shkencëtarëve, por nuk ka nguruar të punësonte të tjerë nga bota e zhvilluar, të cilët i mungonin ose thjesht për të bashkëpunuar dhe shkëmbyer eksperiencën midis tyre për probleme shkencore të ndryshme në fushën e hidrokarbureve dhe këtë praktikë pune ka edhe sot e kësaj dite.

Rruga që Petronasi ka progresuar dhe arritjet e mëdha që ka në industrinë e naftës e kanë bërë atë sot shumë të fuqishëm dhe së bashku me filialet tij, është pronar dhe kujdestar i ligjshëm i gjithë aseteve dhe pasurive natyrore hidrokarbure në shtetin e Malajzisë dhe nëpërmjet pjesëmarrjes në investim, me një përqindje të vogël, bëhet partner me kompanitë konçensionare operatore, në vendburimet dhe sipërfaqet perspektive për kërkim. Pra kështu, ka favorizuar dhe i ka dhënë prioritet shumë kompanive të huaja që të investojnë në një pjesë të fushave naftëgazmbajtëse për kërkim-zbulimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në këtë vend. Petronasi është nën një mbikëqyrje të rreptë shtetërore, por edhe ai ushtron po ashtu një kontroll akoma më të rreptë tekniko-shkencor, investues dhe financiar ndaj kompanive konçensionare.

Partneriteti midis tyre, i sanksionuar me ligj në kontrata, është një arritje e madhe dhe ka dhënë rezultate të mira në menaxhimin e pasurive hidrokarbure, sepse kompanitë konçensionare operatore, për çdo projekt ose metodë që duan të aplikojnë në kërkimzbulimin dhe në vendburime, duhet të marrin miratim dhe aprovim të plotë tek partneri i saj, Petronasi, pavarësisht se ky i fundit ka përqindjen më të vogël të investimit në partneritet ndaj kompanisë konçensionare. Vlera e investimit të tij përkundrejt kompanisë konçensionare shlyhet me prodhim të naftës dhe gazit.

Në këtë mënyrë, Petronasi shtetëror, ka nën kontroll çdo gjë dhe konçensionarit i pritet rruga për abuzime. Po ashtu, nëpërmjet filialeve të tij, ai i siguron me rentë kompanive konçensionare gjithë pajisjet që atyre i nevojiten, duke filluar që nga sondat e shpimit me pajisjet përkatëse dhe deri tek platformat, pajisjet e prodhimit, dhe shërbimet. Të dyja këto, sipas marrëveshjes që kanë midis tyre, ndajnë fitimin që realizohet dhe i paguajnë shtetit taksat. Në qoftë se kompania konçensionare ndërpret kontratën, sepse mund të mos ketë leverdi ekonomike ose i ndërpritet për shkak të mos përmbushjes së detyrimeve kontraktuale, pra nuk realizon investimet sipas kontratës, sipërfaqja naftëgazmbajtëse ose vendburimi, me aprovim të dy palëve, i kthehet Petronasit, i cili është pronari shtetëror i ligjshëm i kësaj pasurie.

Pra, kompania konçensionare është thjeshtë operatore, nuk bëhet kurrë pronare dhe nuk ka të drejtë të shesë këtë pasuri tek kompanitë e tjera, ashtu siç ndodh shpesh me vendburimet e naftës dhe gazit në vendin tonë, ku kompanitë konçensionare janë bërë pronar me të drejta të plota dhe shesin vendburimet tek simotrat e tyre, pasi pasurohen ose kur nuk ju del hesapi atje ku duhet.

Kjo me ringjalli kujtesën dhe menjëherë mendja me shkoj tek vulë humburi ynë, Albpetroli shtetëror i naftës. Petronasi shtetëror, nuk është shumë i vjetër, por vetëm rreth 15-16 vite më i vjetër se Albpetroli, i cili u pagëzua me këtë emër pas vitit 90’, pa marrë parasysh që ai është trashëgimtari i ligjshëm i industrisë ekzistuese të naftës në vendin tonë, e cila e ka zanafillën e krijimit dhe historinë e zhvillimit të saj menjëherë pas luftës dytë botërore.

Kështu pra, Albpetroli ynë nuk e nisi nga hiçi, por mënyra makabre si e menaxhoj, e vodhi dhe vazhdon të shkatërroj këtë pasuri në këto 30 vite përfundoj tek hiçi.

Malajzia është vërtetë një vend i pasur me hidrokarbure, radhitet në vendin e 23-të në botë për rezervat e naftës dhe e 14-ta për gazin natyror, por edhe Shqipëria është po aq e pasur, po të kemi parasysh rezervat për frymë të popullsisë. Fillimisht, zbulimi dhe prodhimi i naftës dhe gazit, është bërë nga shoqëritë e huaja konçensionare rreth viteve 80’ të shekullit të 18-të, ndërsa në vitin 1974 lindi si nevojë e domosdoshme dhe shteti krijoi kompaninë shtetërore, Petronas, me detyrë kërkim-zbulimin dhe prodhimin e hidrokarbureve dhe kujdestar i ligjshëm i gjithë pasurive natyrore hidrokarbure në territorin malajzian.

Vendburimet e naftës dhe gazit përhapen gjerësisht në basenet gjeologjike detare (offshore) dhe pothuajse mungojnë plotësisht vendburimet në tokë. Kompanitë nacionale shtetërore të hidrokarbureve ekzistojnë pothuajse në gjithë vendet e botës. Ato kanë rol të veçantë në marrëdhëniet me shtetin, në krahasim me kompanitë e tjera konçensionare me kapital privat, qofshin të vendit apo të huaja, që veprojnë në territoret përkatëse. Bile ka shtete në botë, që në territorin e tyre tokësor dhe detar, nuk kanë perspektivë për kërkim-zbulimin dhe nxjerrjen e hidrokarbureve të naftës dhe gazit ose ato janë shumë të kufizuara.

Megjithatë, ato i kanë kompanitë nacionale shtetërore të naftës, të cilat i përdorin për kërkim-zbulimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në shumë vende të botës, duke marrë koncesione, investojnë kapitalet e tyre në to, dhe nxjerrin fitim për shtetin. Një rast tipik këtu mund të përmend Japoninë, e cila prodhon në territorin e saj sasi shumë të vogla nafte dhe gazi, por kompania shtetërore e saj merr me koncesion vendburime dhe investon për ti zhvilluar ose sipërfaqe për kërkim në shumë vende të botës, bile edhe në ato shtete, ekonomikisht, të fuqishëm siç është lindja e mesme. Pra kompanitë nacionale shtetërore janë e ardhmja e ekonomisë dhe e shtetit.

Nga eksperienca ime, duke punuar për disa projekte në vende të ndryshme të botës, kamë vënë re që kompanitë nacionale shtetërore, luajnë një rol të rëndësishëm në ekonomi, sepse shërbejnë si amortizator, ku nëpërmjet tyre rregullohet çmimi i shitjes së karburanteve në tregun e brendshëm, në përputhje me çmimet që dikton shteti, për të zhvilluar ekonominë, për të ulur papunësinë, dhe për të zbutur krizat ekonomike.

Albpetroli shtetëror, në industrinë tonë të naftës, që në fillimet e tij, trashëgoi dhe zotëroi pasuri natyrore nëntokësore kombëtare me vlera kolosale dhe të papërsëritshme në Shqipëri dhe në shumë shtete për rreth nesh. Ai kishte pasuri vendburimet e naftës dhe gazit të zbuluara në sipërfaqen nga qyteti i Durrësit, në Kuçovë-Fier dhe deri në Sarandë, si dhe disa sipërfaqe të reja me perspektivë më të lartë për kërkimin e hidrokarbureve në gjithë territorin shqiptar. Albpetroli, si trashëgimtari i drejtpërdrejt i Drejtorisë Përgjithshme të Naftës dhe Gazit në Shqipëri, e cila krijoi dhe përsosi dhjetëra filiale, kërkimi, prodhimi të naftës dhe gazit natyror, rërave bituminoze, bitumeve, uzina përpunimi, uzina mekanike, filiale shërbimesh, laborator, filiale të shpërndarjes dhe shitjes së karburanteve, eksporteve, sizmiken, dy Institutet Shkencore të Naftës, etj., e kishte gjithë aktivitetin gati, të krijuar brenda tij, në një cikël plotësisht të mbyllur, nga kërkimi te shitja e karburanteve brenda vendit dhe deri tek eksporti i naftës bruto dhe nën produkteve të saj.

Në to punonin me devotshmëri dhe sakrifica mijëra punonjës të kualifikuar, teknik, inxhinier dhe specialitete të tjera që studiuan në shkollat tona të naftës, në Universitetin e Tiranës, si dhe një pjesë e tyre, jashtë vendit në universitete me emër në botë. Kështu pra, Albpetroli u bë pronar dhe kujdestar i ligjshëm për të administruar gjithë këto pasuri dhe asete në industrinë naftës, ku çdo gjë ishte funksionale.

Në zonën tektonike Jonike dhe Ultësirën Pranë Adriatike u zbuluan dhe ishin plotësisht në shfrytëzim një numër i madh vendburimesh nafte, gazi kondensat, gazi natyror, bitumi dhe rëra bituminoze. Për nga sasia e rezervave të zbuluara disa prej tyre renditen ndër më të mëdhenjtë në Europë. Këto zbulime u arritën në saj të kujdesit tepër të veçantë që tregonte Qeveria Komuniste Shqiptare deri ne vitin 1990. Të gjithë jemi dëshmitarë, që investimet që bëheshin për kërkim-zbulimin, zhvillimin dhe vënien e tyre në shfrytëzim të plotë ishin djersa e popullit tonë dhe puna e sakrificat e mëdha të punonjësve, të specialistëve dhe shkencëtarëve të industrisë naftës në dekada.

Ndërkohë, të ardhurat që siguroheshin prej tyre shteti i përdorte për të zhvilluar degët e tjera të ekonomisë kombëtare, krahas investimeve për zhvillimin e vetë kësaj industrie. Të ardhurat nga industria e naftës dhe gazit kanë mbajtur gjallë dhe zhvilluar ekonominë tonë bile edhe në periudha të vështira të konjukturave të krijuara nga politika izoluese e asaj kohe. Nga eksportet e saj siguroheshin pjesa më e madhe e të ardhurave kombëtare.

Me gjithë këto avantazhe, Albpetrolit megjithëse ju dha mundësia për të qenë e ardhmja e shtetit dhe ekonomisë tonë, nuk po del dot prej rrugës që është nisur dhe do të mbetet si një ëndërr e keqe në kujtesën e çdo naftëtari dhe në historikun e industrisë naftës në Shqipëri. Pas vitit 90’, drejtuesit dritëshkurtër partiak në këtë industri, për interesat e tyre, qeveritarët dhe politikanët injorant dhe mediokër, që bënë ndryshimin e sistemit politik dhe sollën të ashtuquajturën “demokraci” dhe që kanë drejtuar këtë vend për 30 vite, me vetëdije të plotë dhe me qëllime të caktuara për pasurim personal, duke përdorur teoritë djallëzore dhe famëkeqe, jashtë çdo logjike njerëzore, vidh dhe shkatërro, t’ia ulim vlerën që ta privatizojmë, ku krahas shkatërrimit total të shumë ndërmarrjeve dhe degëve të ekonomisë dhe të industrisë shqiptare në përgjithësi, shkatërruan edhe industrinë e naftës, si dhe atë minerare.

Nuk e di se në cilët auditorë i kishin mësuar këto teori dhe marrë këtë përvojë këta pseudo politikan dhe drejtues që shkatërruan gjithë ekonominë kombëtare.

Albpetroli, si një korporatë shumë e fuqishme në vendin tonë, që në krijimin e tij, u përdor dhe tjetërsua nga qeveritarët dhe politikanët e djathtë dhe të majtë, për tu pasuruar vetë, njerëzit e tyre, simpatizantët më me zë të kastës politike, dhe duke i hedhur ndonjë kockë grupeve shkatërrimtare të pakënaqura që i ndiqnin nga pas. Këtu janë lidhur kontrata dhe bërë marrëveshje të fshehta nga më të ndyrat që mund të ekzistojnë, në forma dhe mënyra nga më të sofistikuarat, jo në favor të shtetit dhe ekonomisë tonë, si dhe në kundërshtim të plotë me mendimet dhe idetë e specialisteve të naftës, institucioneve shkencore dhe gjithë naftëtarëve që punonin në ato filiale.

Ai dhe filialet e tij u mbushën dhe u bënë strehë e politikanëve hajdut, që e kanë drejtuar dhe drejtojnë atë në gjithë këtë periudhë të zgjatur tranzicioni dhe qëllimi i vetëm i tyre ka qenë dhe është vjedhja e  hapur e kësaj pasurie nën ombrellën mbrojtëse të shtetit dhe jo zhvillimi i saj për ta forcuar këtë korporatë me qëllim që ajo të vazhdonte të zhvillonte këto pasuri natyrore dhe ti vinte në shërbim të ekonomisë dhe popullit. Është e papranueshme që në një vend me kaq pasuri natyrore, siç është Shqipëria, të ulet këmbëkryq fukarallëku, i cili është pasoj vetëm e korrupsionit dhe pandëshkueshmerisë së politikanëve, të cilët gjithë ditën flasin dhe shajnë njeri-tjetrin nëpër protesta dhe në zyrat luksoze të tyre, por që të gjithë janë njëri më i korruptuar se tjetri, ndërsa në prapaskenë mbrojnë njëri-tjetrin.

Albpetroli kishte te gjitha mundësitë organizative, ekonomike, pasurore, filialet dhe institucionet shkencore në aktivitet të plotë, një fuqi punëtore me eksperiencë që ishte rritur dhe zhvilluar bashkë me këtë industri. Ai sot do ishte një korporatë e fuqishme shtetërore me kapital vetë financues, i cili do të luante një rol të veçantë në trajtimin e vendburimeve ekzistuese të naftës dhe gazit, si dhe në territoret e reja perspektivë. Ai do bëhej një kujdestar ligjor i pazëvendësueshëm dhe zot i gjithë pasurive hidrokarbure në vend ashtu sikurse janë kompanitë shtetërore në shumë vende të botës.

Por nuk ndodhi kështu, në gjithë këtë histori 30 vjeçare, drejtuesit dhe specialistët në të gjitha hallkat, duke filluar nga Albpetroli, filialet e tij dhe deri në Ministrinë e Energjetikës, janë zëvendësuar me njerëz pa kualifikim, pa eksperiencë dhe arsimin përkatës në shkencën e naftës, bile dhe të pashkolluar, thjeshtë dhe vetëm se ishin militant të partise në pushtet. Ata nuk kishin një ide, objektiv ose projekt-program mbi zhvillimin e industrise se naftës me kaq shumë pasuri natyrore nëntokësore. Ata nuk ishin të interesuar të tërhiqnin mendime ose të konsultoheshin me specialist dhe shkencëtar të filialeve apo institucioneve shkencore që ekzistonin në atë kohë, të cilët kishin eksperiencë dhe një pjesë kishin studiuar ose ishin specializuar jashtë shtetit dhe kishin njohuri mbi mënyrën e organizimit dhe menaxhimit të industrisë naftës në modelin ekonomik kapitalist ku ne po shkonim.

Ata hiqeshin dhe hiqen se dinë gjithçka, që nga instancat më të ulta dhe deri lartë në ministri dhe kur ne interesoheshim për të dhënë ndihmesën tonë në organizimin e industrisë naftës, shpesh na thoshin që këto filiale dhe institucione janë çerdhe komunistësh, por ata harronin që në krye të organizatave bazë të partisë kishin qenë vetë ata. Kështu arritën që të gjitha këto filiale dhe institucione shkencore ti shkatërronin, në mënyrë që të bëhej më i lehtë korrupsioni dhe të shkatërrohej kjo pasuri kombëtare.

Korrupsioni, vjedhjet dhe shkatërrimi filluan menjëherë pas viteve 90’, ku militantë partiak, krahas grabitjes masive të pajisjeve sipërfaqësore të puseve dhe sondave të shpimit që i çonin për skrap, krijuan bizneset e tyre private për furnizimin e Albpetrolit dhe filialeve të tij me materiale dhe pajisje që përdorte industria naftës, pavarësisht se në magazine kishte rezerva dhe aktiviteti i punimeve në vendburime ishte reduktuar. Vidhej nafta bruto në vendburime dhe e përpunuar në uzina, përziheshin bashkë dhe shitej në pikat e karburanteve. Albpetroli filloj të lidhte kontratat e para me kompani private për shtrimin e rrugëve të puseve ose ndonjë punim tjetër, ku faktikisht hidhesh vetëm pak çakëll ose rërë bituminoze nga ajo e Kasnicës. Gjithë këto matrapazllëqe vjedhjesh, korrupsioni, etj., që vazhduan gjatë, bëheshin direkt në bashkëpunim me drejtues ose sekser të Albpetrolit dhe filialeve të tij duke ndarë parat bashkë. Shumica e materialeve dhe pajisjeve vidheshin në vendburime, në sheshet e shërbimit, në magazinat e filialeve dhe shiteshin prapë në këto filiale nëpërmjet Albpetrolit. Është arritur deri aty sa vidheshin vulfet në  puset e prodhimit të naftës dhe shiteshin përsëri nëpërmjet Albpetrolit. Pra, Albpetroli dhe filialet e tij, nga kujdestar dhe zot të resurseve natyrore hidrokarbure, përfundimisht humbën rolin e tyre dhe u shndërruan thjeshtë në hajdut ordiner të kësaj pasurie.

Me vonë, mënyra e vjedhjes dhe korrupsioni u bënë më të sofistikuara dhe metodë pune në Albpetrol dhe deri në ministri dhe qeveri. Filloj dhënia e vendburimeve ekzistuese me koncesion, me “kontratat e famshme” tek kompanitë private, pa eksperiencë, pa kapital investues, me emra fantazmë ku pronarët e vërtetë nuk dihen akoma dhe tek persona partiak, të cilët pasi siguruan pronësinë e vendburimeve nga sekserët që punonin në ministri, qeveri dhe Albpetrol, krijuan enkas kompani dhe sot disa prej tyre mbajnë fjalime të bukura kundër korrupsionit në protesta. Këto janë histori të gjata, të dhimbshme dhe unike qe janë krijuar dhe zbatuar vetëm në Shqipëri.

Këto vjedhje dhe korrupsioni spektakolar në industrinë e naftës krijojnë dyshime të forta se prapa këtyre kontratave të lidhura me kompanitë konçensionare qëndrojnë politikan të lartë dhe njerëz me pushtet të cilët ndajnë fitimet me konçensionarin dhe shteti nuk përfiton asgjë nga kjo pasuri.

Përfundimisht, korporata shtetërore e hidrokarbureve, Albpetrol, si trashëgimtare e industrisë naftës, sot ka vetëm emrin dhe është kthyer në një relikte pa vlerë, ka pasuri ca puse të “vdekur” me naftë viskoze në ranor rreth qytetit të Patosit, i cili dikur popullohej kryesisht nga naftëtarë, si dhe ndonjë vendburim të shfrytëzuar barbarisht dhe shkatërruar nga kompanitë konçensionare dhe është ri-shtetëzuar, sepse atyre nuk ju duhej më. Megjithatë, kjo relikte nuk punon me humbje, siç raportojnë kompanitë mëdha konçensionare që shfrytëzojnë vendburimet kryesore, sepse dorëzon ca fitime në shtet.

Me gjithë këto vjedhje dhe korrupsionin marramendës nga qeveritar, politikan dhe drejtues të Albpetrolit, që i kanë bërë dhe bëjnë industrisë naftës, prapë ata nuk janë të kënaqur. Kanë vite që diskutojnë gjatë në ato palo institucione shtetërore, përpilojnë plane, programe dhe tenderë për ta shitur edhe këtë relikte të vetme që ka mbetur gjallë, tek privati i radhës, i cili nuk po i plotëson dot mirë kërkesat e tyre personale. Privatizimin e Albpetrolit, d.m.th. kalimin e kujdestarisë mbi pronësinë e pasurive hidrokarbure tek privati, i cili ligjërisht në këtë rast do të bëjë survëimin ose mbikëqyrjen e gjithë aktivitetit të kompanive private konçensionare që operojnë në vendburimet ekzistuese të naftës dhe gazit, si dhe në sipërfaqet e reja perspektive për kërkim, e konsiderojë një veprim shumë të nxituar dhe skandaloz, i cili do shoqërohet me pasoja akoma më të rënda dhe të pariparueshme për këtë pasuri natyrore dhe ekonominë e vendit.

Ne, naftëtarët, që kemi punuar dhe kontribuar në naftë për vite të tëra, nuk kemi pse ti festojmë përvjetorin e krijimit të korporatës tonë shtetërore të hidrokarbureve, Albpetrolit, por me siguri duhet të përkujtojmë atë si ditën më të zezë ku zyrtarisht ai filloj aktivitetin mbi vjedhjen, korrupsionin dhe shkatërrimin e industrisë naftës, sepse festën e krijimit të tij duhet ta festojnë madhërishëm vetëm ata që e drejtuan atë në këto 30 vite dhe janë pasuruar mjaft mirë me resurset tona natyrore nëntokësore.

Gazeta Tema,  10.06.2020