Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rifillojnë monitorimet e koncesionarëve të HEC-ve dhe minierave

Prej rreth tre muajsh, monitorimi në terren i koncesioneve të hidrocentraleve dhe subjekteve minerare që janë në shfrytëzim të lejeve aktive, ishte ndërprerë për shkak të koronavirusit. Së fundmi Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës bëri me dije se do të nisë daljen në terren për të dyja kategoritë ku të paktën për pjesën e minierave do të ketë fokus në Tiranë dhe Durrës e më pas do të vijohet me pjesën tjetër të vendit.

“Pas ndërprerjes së përkohshme të mbledhjeve të Këshillit Teknik dhe të Komisionit të Miratimit të Planeve Vjetore të Punës për shkak të masave dhe luftës kundër përhapjes së koronavirusit (Covid-19), Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore njofton të gjitha Subjektet Minerare se ka rifilluar puna në terren për akt-verifikimet dhe mbikëqyrjen e aktivitetit minerar në qarqet e Tiranës dhe Durrësit. Pas përfundimit të akt-verifikimeve do të zhvillohet mbledhja e Këshillit Teknik” thuhet në njoftimin e bëra nga ana e AKBN.

Lidhur me hidrocentralet i njëjti institucion nënvizon se mbledhjet e Grupit të Oponencës Teknike dhe procedurave të monitorimit të kontratave koncesionare dhe kontratave ishin ndërprerë për shkak të COVID-19.

“Drejtoria e Monitorimit të HEC-eve njofton të gjitha shoqëritë koncesionare se do rifillojnë normalisht procedurat për të dy veprimtaritë e sipërcituara” shprehet Agjencia.

Sa i takon punës së përditshme në këtë institucion bëhet me dije se tashmë ka nisur zbatimi i urdhrit “Për marrjen e masave organizative për ushtrimin e veprimtarisë së institucioneve të administratës shtetërore gjatë gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19” miratuar pak kohë më parë nga Departamenti i Administratës Publike.

Sipas këtij dokumenti institucionet duhet të respektojnë masat e parandalimit të përhapjes së koronavirus duke zbatuar protokollet e nevojshme të distancimit, masave mbrojtëse si maska dhe ato dizifektuese të ambienteve. Po kështu parashikohet edhe opsioni i punës nga shtëpia për një pjesë të administratës puna e të cilëve mund të kryhet edhe në distancë.

Monitor,  09.06.2020