Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjoba 4 milionëshe: Naftëtarë kundërshtojnë vendimin, paralajmëron masa ligjore

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës e ka kundërshtuar vendimin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për shqiptimin e masave ndëshkuese administrative ndaj 14 kompanive të derivateve të naftës. Kjo shoqatë e ka cilësuar vendimin e AKK-së si arbitrar.

Drejtues të Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës edhe sot janë shprehur kundër vendimit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për shqiptimin e masave ndëshkuese administrative ndaj 14 kompanive të derivateve të naftës.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani në një konferencë për media shprehi shqetësimin ndaj Autoritetit të Konkurrencës, për vendimin e marrë ndaj naftëtarëve, sipas të cilit marrëveshje ndërmjet këtyre bizneseve nuk ka ndodhur as një herë apo çmim kartel.

“Vendimin e lëshuar nga Autoriteti i Konkurrencës, ne si shoqatë e kundërshtojmë fuqishëm, sepse vendimi ndaj 14 kompanive ne e cilësojmë si vendim arbitrar”, theksoi Berjani.

Edhe përfaqësues nga kompanitë ndaj të cilave janë shqiptuar masat ndëshkuese kanë kundërshtuar dënimin prej 4 milionë eurove.

Avokati Ariant Koci, si përfaqësues i HIB Petrolit, tha se vendimi i Autoritetit të Konkurrencës nuk ka bazë ligjore.

“Dokumenti ka mungesë të theksuar të provave. Vendimi është i përpiluar pa asnjë bazë ligjore. Nuk ndodh në vendime të futën përshëndetje. HIB-i nuk ka pasur fitim 124 %. Nuk kemi asnjë rast. Do të kërkojmë mbrojtje ligjore. Jam i bindur se ky vendim do të anulohet”, tha Koci.

Kuirse, Tahir Zogaj nga Shell – Al Petrol duke kundërshtuar dënimin, tha se nuk ka pasur kurrë farë marrëveshje të fshehtë dhe Autoriteti Konkurrencës ka bërë një shkelje të rëndë.

“Pa as një fakt na kanë dënuar. Nuk kemi pasur asnjë marrëveshje as që do të kemi”, theksoi ai.

Përfaqësuesi i SHELL tha se do ta apelojnë këtë vendim.

“Autoriteti e ka marrë këtë vendim. Ka bërë shkelje të rëndë. Autoriteti ka dalë qesharak. Me ju drejtu Kuvendit të Kosovës sepse vetëm këtij institucioni anëtarët e autoritetit i dhënë përgjegjësi. Do ta apelojmë këtë vendim”, u shpreh përfaqësuesi i SHELL.

Përfaqësuesi i Alfa Trade po ashtu deklaroi se do ta kontestojnë këtë vendim.

“Vendimi është jashtë normales. Përmes mjeteve juridike do ta kontestojmë këtë vendim”, theksoi ai.

Bislimi Muqaj, përfaqësues i kompanisë Labi Oil, u ankua për dëmtim të imazhit.

“Na e kanë dëmtuar imazhin. Dua të them se 14 kompanitë nuk kalojnë mbi 200 pika karburantit. Në asnjë rrethanë nuk qëndron kjo se kemi dëmtuar klientët. Jam i bindur nga ato 4 milionë që do t’i marrë do t’i humb në gjykata”, theksoi ai.

Edhe Avni Haliti i Alba Petrol bëri të ditur se do të kërkojnë anulimin e këtij vendimi.

“E kundërshtojmë vendimin. Do t’i ndjekim të gjitha rrugët për ta kundërshtuar këtë vendim”, tregoi ai.

Edhe përfaqësues të tjerë të kompanive që janë gjobitur nga AKK-ja kanë kundërshtuar vendimin në fjalë.

Vendimin e kanë kundërshtuar edhe Oda Ekonomike Amerikane dhe Oda Ekonomike e Kosovës dhe për këtë ai deklaroi se do t’i drejtohet edhe Kuvendit të Kosovës.

Monitor,  13.05.2020