Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

COVID-19, nafta dhe gazi 1 trilion dollarë humbje

Pandemia e koronavirusit pritet t’i shkaktojë sektorit global të naftës dhe gazit deri 1 trilionë dollarë humbje këtë vit. Kërkesa së ulët për karburante shqetëson investitorët ndërsa çmimet qëndrojnë në nivelet poshtë mesatares së dy dekadave.

Kompanitë e kërkim-prodhimit të naftës dhe gazit nëpër botë pritet të humbasin deri 1 trilionë dollarë fitime në 2020-ën për shkak të pandemisë.

Parashikimi vjen nga kompania norvegjeze “Rystad” e cila vlerëson se sektorin e pret një rënie me 40 për qind e fitimit vjetor nga 2,47 në 1,47 trilionë dollarë, pasi me gjasë mund të vijojnë masat e karantinës, kërkesa e dobët për karburante dhe anulimi i planeve të investimit prej gjigantëve të energjisë.

Për vitin 2021, fitimet pritet të përmirësohen me gati 300 miliardë dollarë por sërish larg 2,52 trilionë dollarëve të parashikuar para pandemisë.

Mungesa e kapaciteteve depozituese për naftën e papërdorur vijon të shqetësojë aktorët si Amerika.

Magazinat më të mëdha të vendit planifikohet të arrijnë pikun në muajin ndërsa miliona fuçi naftë tani ruhen në platformat oqeanike për të mos ndalur aktivitetin prodhues të një sektori kyç të ekonomisë.

“Në rezervat tona strategjike po shohim mundësinë për të ruajtur disa qindra milionë fuçi shtesë, kundrejt pagesës. Presidenti do të ruajë interesin e sigurisë kombëtare dhe vendet e punës,” u shpreh të mërkurën sekretari amerikan i Thesarit.

Kompanitë globale, ndërkohë, mes tyre gjiganti britaniko-holandez, Shell, apo Equinor-i i Norvegjisë, kanë njoftuar zbritjen e dividendit për aksionarët.

Një hap i tillë pritet edhe për prodhuesit amerikanë.

Megjithatë të enjten çmimet e naftës në bursa vijuan rikuperimin e humbjeve të javës së kaluar.

Nafta bruto e standardit amerikan u vlerësua mbi 16 për qind më lart në baza ditore duke u luhatur në vlerën 17 dollarë fuçia, ndërsa Brent-i për Europën në 25 dollarë fuçia.

Rritjet janë ndikuar nga lajmet se shtetet kudo po shohin mënyra për t’i dhënë fund karantinës së rreptë, çka do të rivinte në punë transportin, ndërsa po avancon edhe gara për vaksinën kundër koronavirusit.

Ora News,  30.04.2020