Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rriten financimet e gjelbra në rajon

Financimi sipas qasjes së Tranzicionit të Ekonomisë së Gjelbër të BERZH-it arriti një rekord prej 4.6 miliardë eurosh, ose 46 për qind të vëllimit të përgjithshëm të biznesit në 2019, duke nënvizuar kontributin e fortë të BERZH-it në axhendën globale të qëndrueshmërisë. Kjo qasje do të mbështesë vendet e BERZH-it për të pasur ekonomi me emetime sa më të ulëta karboni dhe sa më elastike.

Rekordi i financimeve të ekonomisë së gjelbër është një element shumë i rëndësishëm në rezultatet e përgjithshme vjetore që tregojnë se BERZH-i, që shtrihet nga Europa Qendrore në Azinë Qendrore dhe Mesdheun Jugor dhe atë Lindor, ka pasur një ndikim shumë të lartë në rajonet e tij gjatë 2019-s.

Duke u përpjekur për të përmbushur zotimin për të rritur si cilësinë, ashtu edhe sasinë e investimeve në 38 ekonomi, investimet totale u rritën në mbi 10 miliardë euro për herë të parë, duke shkuar në 10.1 miliardë euro, nga 9.5 miliardë euro që ishin më parë.

Në kohën e Marrëveshjes së Klimës në Paris 2015, BERZH vendosi një objektiv të rritjes së financimit të gjelbër nga 25 për qind në 40 për qind të investimit të tij vjetor deri në vitin 2020. Rezultati i vitit 2019 e mposht këtë objektiv.

Deri më tani, BERZH-i ka nënshkruar marrëveshje me vlerë 34 miliardë euro në drejtim të investimeve të gjelbra, të financuara në mbi 1900 projekte të gjelbra, që parashikohet të reduktojnë deri në 102 milionë tonë emetime të karbonit në vit.

Vetëm në vitin 2019, Banka financoi mbi 2.2 GW të kapacitetit të ri të energjisë së rinovueshme. Rritja e shpejtë e financimit të gjelbër në 2019 ishte rezultat i performancës së lartë në sektorë të ndryshëm dhe në disa raste të veçanta edhe e performancës në disa shtete.

Me qasjen e Tranzicionit të Ekonomisë së Gjelbër të integruar me sukses në punën e BERZH-it, u arrit të financoheshin gati 72 për qind e investimeve totale të vitit 2019 të Grupit të ri të Infrastrukturës së Qëndrueshme të BERZH-it, e cila integron më ngushtë punën e Bankës me sektorin social, atë të infrastrukturës, energjetikës, transportit etj.

Në vitin 2019, objektet e Financimit të Ekonomisë së Gjelbër të BERZH-it – të cilat ofrojnë linja kredie dhe ndihmë teknike për institucionet financiare partnere vendase, të cilat më pas mbështesin bizneset dhe pronarët e shtëpive që dëshirojnë të investojnë në teknologjitë e gjelbra, përbënin 29 për qind (973 milionë euro) të financimit të përgjithshëm të sektorit të institucioneve financiare të bankës, duke shënuar kështu një rritje të lartë nga vlera prej 19.5 për qind (622 milionë euro) të shënuara në 2018.

Në industri, tregti dhe agrobiznes, 33 për qind e marrëveshjeve të bëra në vitin 2019 u financuan në bazë të qasjes së Tranzicionit të Ekonomisë së Gjelbër (951 milionë euro), rreth 28 për qind nga vlerat e shënuara gjatë 2018 (602 milionë euro).

Nivelet e financimit të gjelbër pothuajse u dyfishuan në Europën Qendrore dhe atë Lindore, ndërsa në Europën Juglindore ato pothuajse u trefishuan.

Monitor,  31.01.2020