Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Tre projekte të reja për energjinë!

Shqipëria po tenton të ndërmarrë disa hapa të mëtejshme në drejtim të aplikimit të energjisë së rinovueshme, që mundëson jo vetëm një energji më të pastër, por edhe më pak emetim karboni në mjedis. Aktualisht ka nisur procedura e realizimit të tre studimeve të fizibilitetit; njëri për vendosjen e rrjetit kombëtar të karikimit të makinave elektrike, tjetri për krijimin e asaj që është emërtuar si “Rruga e Energjisë së Pastër” dhe tjetri për zëvëndësimin e sistemit të ngrohjes në rajonin e Korçës.

Rrjeti kombëtar i pikave të karikimit të makinave elektrike

Shqipëria po bëhet gati të bëjë të studim fizibiliteti për vendosjen e pikave të karikimit për makinat elektrike. Agjencia për Efiçencën e Energjisë ka hapur tenderin përkatës për realizimin e këtij studimi.

“Qëllimi i këti shërbimi është realizimi i studimit të fizibiliteti dhe më pas i projekt idesë, për përcaktimin e një rrjeti për vendosjen e stacioneve të karikimit të makinave elektrike në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Realizimi i fizibilitetit është pjesë shumë e rëndësishme e studimit pasi në të do të përcaktohet se cili sistem karikimi do të përdoret në Republikën e Shqipërisë dhe do të përcaktohet një rrjet mbulimi që do të përfshijë të gjithë territorin. Ky studim do të shoqërohet me një studim të ndikimit në mjedis duke e shoqëruar dhe me analiza të sakta të ndërhyrjes apo ndërthurjes me ekosistemin e zonës, dhe ndikimeve sociale që ai mund të sjellë” shkruhet në dokumentet e tenderit.

Numri i makinave elektrike në vitet e ardhshme do të rritet dhe potenciali i tyre do të shfrytëzohet vetëm nëse rrjeti elektrik menaxhohet ashtu siç duhet.

Është vlerësuar se kërkesa për makina elektrike do të rritet me shpejtësi, ku rreth 23% të automjeteve të transportit rrugor do të kalojnë në makina elektrike në 2030, sipas International Energy Agency (2018). Në vitin 2018, Shtetet Anëtare të BE-së dhe Parlamenti Europian kanë ranë dakord për një klasifikim të ri të emetimeve të CO2 për automjetet e reja, për të stimuluar furnizimin e emetimit zero dhe të ulët te automjetet.

Projekti: Rruga e Energjisë së Pastër

Veç studimit të fizibilitetit për rrjetin kombëtar të stacioneve të karikimit të makinave elektrike, një projekt tjetër është ai për krijimin e një sistemi të plotë të ndriçimit dhe parkimit të makinave elektrike. Projekti është emërtuar “2 km Smart-City, rruga e Energjisë së Pastër”, projekt i cili do të ndihmojë në uljen e niveleve të CO2 si dhe do të shërbejë si promovues i efiçencës së energjisë dhe energjive të pastra. Konsulenti që do të përzgjidhet nga tenderi do të duhet të bëjë një studim se cili aks rrugor do të përdoret për këtë projekt.

Qëllimi i këtij studimi konsiston në përmirësimin e efiçencës së energjisë duke reduktuar konsumin e energjisë dhe uljen e niveleve të CO2 në ndriçimin urban, si dhe përdorimin e makinave elektrike, duke sjellë përfitimet përkatëse mjedisore, që do të shërbejë si promovues i efiçencës së energjisë dhe energjive të pastra për tu shtrirë në të ardhmen në gjithë territorin e Shqipërisë.

“Ndriçimi urban ka për qëllim të plotësojë shikim të mirë për përdoruesit e trafikut publik gjatë orëve të errësirës për të mbështetur sigurinë e trafikut, rrjedhën e trafikut dhe sigurinë publike. Impakti kyç ambjental prej ndriçimit rrugor është konsumi i energjisë i lidhur ngushtë me emetimet e gazrave me efekt serrë. Të tjera ndikime në mjedis vijnë nga përdorimi i disa substancave si mërkuri, por kriteri kryesor fokusohet të konsumi energjisë. Duke vendosur kërkesat për efiçencë në energji për llambat, në mënyrë të drejpërdrejtë çon në zvogëlimin e përmbajtjes së mërkurit. Për këtë arsye rritja e standardit gjatë projektimit duhet të jetë kusht në mënyrë që edhe realizimi i ndriçimit të realizohet sipas specifikimeve të ndriçuesave për kategorinë e përdorimit rrugë qyteti dhe zona të banuara, lulishte e sheshe” shkruhet në dokumentet e tenderit.

Elektrifikimi i transportit rrugor do të kontribuojë në mënyrë domethënëse në përmirësimin e cilësisë së ajrit nga njëra anë dhe mbrojtjen e klimës nga ana tjetër vetëm nëse përdorimi i elektricitetit vjen nga burime me karbon të ulët/ pa karbon (panele diellore, era, hidrike, gjeotermale).

Për hartimin e projektit duhet të analizohen të gjitha mundësitë e vendosjes së stacioneve të karikimit, i shoqëruar dhe me një analizë financiare në lidhje me investimin e realizimit të sistemit e ndriçimit, parkimit, furnizimit elektrik të makinave “2 km Smart-City, rruga e Energjisë së Pastër”

Konsulenti do të realizojë projekt idenë dhe projektin e zbatimit në një segment rrugor të përcaktuar nga AEE. Ai do të paraqesë një program për realizimin e projekt-idesë, projektit të detajuar teknik të zbatimit, me të gjithë dokumentacionin e duhur për zbatimin e punimeve.

Testimi në Korçë, zëvëndësimi i druve me energji të rinovueshme

Agjencia për Efiçencën e Energjisë ka hapur tenderin edhe për realizimin e një studimi fizibiliteti lidhur me mundësinë e krijimit të një sistemi ngrohje të Korçës duke përjashtuar lëndën drusore.

Qyteti i Korçës ndodhet në lindje të territorit të Shqipërisë dhe i përket zonës C (zona e ftohtë), sipas përcaktimit dhe ndarjes së territorit në 3 zona.

Para viteve ’90, ngrohja në qytetin e Korcës realizohej në një pjesë të qytetin me ngrohje qëndrore me kalorifer duke shfrytëzuar nxehtësinë termike të prodhuar nga TEC-i i qytetit, dhe pjesa tjetër e qytetit ngrohej me dru dhe qymyr, një mënyrë kjo që përdorej nga të gjithë konsumatorët familjar në Shqipëri.

Pas viteve ’90 me daljen jashtë funksionit të aktivitetit të industrisë duke përfshirë këtu edhe HEC-in që mbështeste këtë industri, ngrohja e banesave fillimisht realizohej me dru dhe më vonë në mënyrë graduale filloi përdorimi dhe vendosja e pajisjeve FanCoil, (kondicionerë individual) duke shfrytëzuar energjinë elektrike të marrë nga rrjeti qendror.

“Ngrohja e banesave me sistemin FanCoil (individual) në shumë raste ka rezultuar jo efikase për arsye të cilësisë së dobët të pajisjeve të përdorura, duke dhënë rendiment të ulët gjatë periudhës së ngrohjes në dimër dhe shpeshherë dhe mosfunksionim të pajisjeve gjatë periudhave të ftohta nën zero gradë, ndërsa ngrohja tradicionale me dru përveç rendimentit të ulët në ngrohje shkakton prodhimin e gazrave CO2, ndotje të lartë të ajrit, si dhe prerje dhe dëmtim masiv të pyjeve.

Pavarësisht se ekziston një moratorium i vendosur nga qeveria i cili ndalon ushtrimin e veprimtarisë së shfrytëzimit të lëndës drusore në fondin pyjor publik dhe privat, një pjesë e konsiderueshme e ngrohjes në qytetin e Korçës realizohet me lëndë drusore. Pavarësisht rritjes së çmimit të lëndës drusore përsëri kërkesa për përdorimin e druve të zjarrit për ngrohje hapësirash, gatim dhe ujë të ngrohtë sanitar mbetet e lartë” shkruhet në dokumentet e tenderit.

Objektivi i projektit është diversifikimi dhe gjetja e mundësive të reja për ngrohjen në sektorin e ndërtesave ekzistuese e të reja (publike apo private) gjatë periudhës së dimrit, me qëllim zvogëlimin e emetimit të CO2 si dhe uljen e kostove për ngrohje. Pesha e konsumit fundor të energjisë që konsumohet nga sektori i banesave është i konsiderueshëm dhe marrja e masave për të diversifikuar furnizimin me energji, si dhe uljen e emetimeve te CO2 është e një rëndësie të veçantë.

Duke patur këtë synim, qëllimi kryesor që do të ndjekë gjithë këtë proces do të jetë nxitja dhe përdorimi i alternativave të reja që janë miqësore me ambjentin, për ngrohjen e ndërtesave gjatë periudhës së dimrit dhe që që kanë fizibilitet më të mirë se burimet aktuale të energjisë të përdorura për ngrohje.

“Duke patur parasysh që Shqipëria tashmë është pjesë korridorit Trans Adriatic Pipeline aplikuesit në propozimet e sjella nga studimi i fizibilitetit duhet të marrin në konsideratë këtë mundësi si dhe të shohin mundësi të tjera alternative për prodhimin e energjisë si biomasa, panelet fotovoltaike diellore për prodhim energjie/ujë të ngrohtë sanitar, nga burimet eolike etj” shkruhet më tej në dokumentet e tenderit.

Pas realizimit të studimit të fizibilitetit konsulenti do të realizojë projekt idenë dhe projektin e zbatimit, për variantin që do të përcaktohet si më fizibël nga ky studim.

Scan,  12.09.2020