Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Tregu i karburanteve në Kosovë, mbyllen hetimet

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës pas hetimeve në nëntor të vitit 2019 në tregun e karburanteve, tashmë ka pranuar komentet e operatorëve, dhe pas shqyrtimit te tyre, ka konstatuar që AKK qëndron prapa gjetjeve të paraqitura në Njoftimin e Fakteve Paraprake.

Sidoqoftë, bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës do të fillojë së shpejti mbajtjen e seancave dëgjimore me ndërmarrjet nën hetim, meqë rast palët do ta kenë mundësinë t’i kontestojnë faktet e konstatuara të AKK-së në seancë dëgjimore. Ky proces do t’i paraprijë një vendimi përfundimtar nga ana AKK-së lidhur me këtë çështje. Lidhur me mbajtjen e seancave dëgjimore, AKK do të njoftojë me kohë të gjitha operatorët që janë subjekt i hetimit.

Siç është sqaruar edhe më herët, ky hetim ka filluar në fillim të vitit 2019, kur ishin ngritur dyshime se operatorët e shitjes me pakicë të këtyre derivateve nuk kishin reflektuar në mënyrë individuale gjatë caktimit të çmimeve gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2018, kur çmimi në tregun e Kosovës kishte mbetur i njëjti përkundër rënies së çmimit në tregun ndërkombëtar.

Gjithashtu, AKK është duke i përcjellë me vëmendje ankesat e bizneseve lidhur me dyshimet për rritjet e çmimit të çimentos, të aplikuara nga një ndërmarrje që ka pozitë të fuqishme në tregun e çimentos në Kosovë. Bazuar në mandatin e tij, AKK do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar çfarëdo shkelje të mundshme të konkurrencës dhe do të njoftojë publikun lidhur me çdo zhvillim të mundshëm rreth kësaj çështjeje.

Monitor,  31.01.2020